Pse të aplikoni pompimin dhe kur?

Pompa e gjirit të nënës ju ndihmon që të nxjerrni qumështin nga gjinjtë tuaj. Ju mund ta përdorni atë qumësht për ta ushqyer foshnjën më vonë. Nënat e nxjerrin qumështin nga gjiri për shumë arsye:

  • Nënat që kthehen në punë apo shkollë, nxjerrin qumështin në mënyrë që foshnja të ketë qumësht gjiri gjatë kohës kur nëna nuk është afër.
  • Partneri apo ndonjë kujdestar tjetër i fëmijës mund ta ushqejë foshnjën për t’ju lënë juve të pushoni.
  • Që të rritet prodhimi i qumështit – nëse pomponi qumështin jashtë pasi që foshnja të ketë përfunduar të ushqyerën do të rrisni prodhimin tuaj të qumështit. Gjithashtu, nëse foshnja ushqehet vetëm nga njëri gji, ju mund të pomponi qumësht nga gjiri tjetër.
  • Që të lehtësoni prodhimin e tepërt të qumështit – ju mund të pomponi vetëm aq sa ju nevojitet që të mos keni shqetësime apo të parandaloni bllokimin e kanalit, apo nëse keni rrjedhje të shpejtë të qumështit që e shqetëson foshnjën.

Në javët e para pas lindjës së foshnjës, është mirë që foshnjën ta ushqeni vetëm nga gjiri, përveç nëse ju prodhoni më shumë qumësht sesa foshnja merr dhe ju keni nevojë të lehtësoni gjirin. Koha e përshtatshme për të pompuar mund të jetë:

  • Herët në mëngjes apo vonë në mbrëmje.
  • Kur foshnja fle për më gjatë në një pjesë të caktuar të ditës.
  • Nëse doni që ta ushqeni foshnjën me gji dhe të pomponi qumësht gjatë të njejtës ushqyerje, nxirrni qumështin vetëm pasi ta keni përfunduar së ushqyeri foshnjën, pasi që nëse pomponi më parë do të mund të zvogëlojë sasinë e qumështit që ju e ofroni. Sidoqoftë, nëse keni rrjedhje të mëdha ju mund të pomponi për disa minuta para se të filloni ushqyerjen.
  • Nëse doni që të rrisni prodhimin e qumështit, pomponi menjëherë pas ushqyerjës pasi që nëse prisni, ta zëmë, për një orë, ulni gjasat që gjinjtë të jenë të mbushur plot për ushqyerjën e ardhshme të foshnjës.

Mbani mend që, pompimi nuk është formë e mirë për të matur prodhimin e qumështit, pasi që foshnjat janë të afta të nxjerrin më shumë qumësht nga gjiri sesa pompa.

Ekzistojnë tri mënyra për të pompuar apo nxjerrur qumështin nga gjiri: 1) Nxjerrja (shtrydhja) me dorë, 2) Pompimi manual, dhe 3) Pompa elektrike/me bateri. Më poshtë do të flasim për përdorimin dhe funskionimin e secilës prej tyre.

Nxjerrja (shtrydhja) me dorë e qumështit nga gjiri

Nxjerrja e qumështit me dorë është falas; nuk keni nevojë të bleni pajisje! Ju mund të përdorni këtë metodë nëse nuk keni nevojë të pomponi shpesh apo nuk keni nevojë për sasi më të mëdha të qumështit. Poashtu ndihmon në hapjën e kanaleve të bllokuara dhe ju ndiheni më e lehtësuar. Do t’ju duhet mjaft praktikë dhe kohë që të mësoni të nxjerrni qumështin nga gjiri kështu që mos u dekurajoni nëse në fillim hasni në telashe. Nëse jeni e relaksuar do ta keni më të lehtë të nxirrni qumështin. Mund të provoni të bëni një dush të ngrohtë apo të vendosni një leckë të lagët të ngrohtë në gji që të stimuloni qumështin të dalë jashtë para se të filloni.

Udhëzuesi hap-pas-hapi i nxjerrjës me dorë të qumështit nga gjiri

1. Lani duart mirë me ujë dhe sapun për 15 sekonda.

2. Masazhoni gjinjtë në lëvizje të vogla rrethore rreth perimetrit të gjirit.      

Image

 

 

 3. Ledhatoni gjinjtë tuaj me thonjë në një lëvizje të poshtë drejt thithkës. 

Image

 

                    

 4. Përkuluni përpara dhe butësisht tundni gjinjtë.

 

Image                                                              

5. Vendosni gishtin e madh në maje të thithkës dhe gishtin tregues në thithkë. 

Image           

6. Butësisht shtyni gishtin tregues dhe gishtin e madh drejt kraharorit tuaj.      

    

Image

7. Shtrydhni lehtë në lëvizje “të mjeljes” që të nxirrni qumështin.

 

Image

                                                        

8. Përsërisni këtë procedurë, duke ndërruar pozitën e gishtave në gji që të zbrazni të gjitha kanalet. 

9. Përsërisni këtë edhe në gjirin tjetër.

10. Qumështin e derdhni në një enë të pastër.  Disa gra preferojnë të përdorin filxhan apo tas.

Burimi: Nationwide Childrens, http://www.nationwidechildrens.org/breast-care-and-expressing-milk

Pompat manuale dhe elektrike

Lloji i pompës që ju e zgjedhni varet nga sa shpesh dhe sa gjatë e përdorni atë. Nëse planifikoni të pomponi qumësht rregullisht apo jeni duke punuar dhe keni nevojë të nxirrni qumështin shpejtë, atëherë përdorni pompën elektrike. Nëse nuk pomponi qumësht shpesh, pompa manuale do të jetë mjaft e përshtatshme për ju.

Ndiqni udhëzimet e prodhuesit për të mësuar si ta përdorni dhe si ta ruani pompën. Sidoqoftë, gjthmonë lani duart para se të filloni të pomponi. Me pompë elektrike/me bateri ju duhet të pomponi për më së shumti 15 minuta në secilin gji. Nëse gjinjtë “zbrazen” para 15 minutash, pomponi deri sa të mos ketë më qumësht dhe pastaj edhe për 2 minuta të tjerë. Provoni të shtrydhni gjoksin që të rrisni sasinë që e pomponi. Pompimi nuk duhet të dhembë, kështu që nëse kjo ndodh, ulni nivelin e thithjës në pompë, sigurohuni që thithka është në mes të thithësit apo pompës për periudha të shkurtëra.

Ruajtja dhe Përgatitja e Qumështit të Nxjerrë nga Gjiri

Metoda për ruajtjen e qumështit:

  • Ruani qumështin e gjirit në një enë të sterilizuar apo shishe nga plastika apo xhami, apo një qeskë plastike të prodhuar veçanërisht për të ruajtur qumështin.
  • Nëse doni ta ngrini, mbushni enën vetëm 75% pasi që qumështi mund të fryhet.
  • Ruani qumështin në sasi që ju përdorni zakonisht për të ushqyer foshnjën p.sh. nëse foshnja juaj pi 100ml, atëherë ruani porcione me nga 100ml.
  • Shkruani datën në shishe apo qeskë para se ta ruani në frigorifer apo friz.
  • Mos e përzieni qumështin e freskët me atë të ngrirë, për shembull, duke mbushur pjesën e mbetur të enës me qumësht të ngrirë me qumësht të freskët.

Kohët e ruajtjës së qumështit:

  • Për 6-8 orë në temperaturë të dhomës.
  • Në frigorifer për deri në 5 ditë.
  • Në friz (me derë të veçantë) për 3-6 muaj.
  • Në friz të madh për 6-12 muaj.
  • Qumështi i ngrirë që është shkrirë mund të ruhet në frigorifer për deri ne 24 orë pas shkrirjës apo për një orë në temperaturë të dhomës.

Përgatitja e qumështit të ruajtur:

  • Që të shkrini qumështin e ngrirë, vendoseni shishën apo qeskën në frigorifer apo fusni në një enë me ujë të ngrohtë. Sigurohuni që shishja apo qeska të jetë e mbyllur që uji të mos depërtojë në qumësht.
  • Që të ngrohni qumështin e shkrirë apo të ruajtur në frigorifer, vendoseni shishën apo qeskën nën ujë të ngrohtë apo në një enë më ujë të ngrohtë. Kurrë mos e ngrohni qumështin në mikrovalë pasi kjo i vret ushqyesit që ndodhen në qumësht. Gjithashtu, qumështi mund të mos ngrohet në mënyrë të barabartë dhe të ngrohet shumë në disa pjesë, e cila mund të shkaktojë djegie në gojën e foshnjës.
  • Para se t’ia jepni qumështin foshnjës, tundni mirë shishën apo qeskën. Derdhni ca pika qumësht në dorën tuaj që të testoni temperaturën. Nëse është shumë e ngrohtë, leni të ftohet.
  • Është normale që yndyra e qumështit të ndahet dhe të shfaqet në krye të enës, dhe nganjëherë edhe të marrë një nuance të së kaltërtes. Në këtë rast mos e tundni enën, por lehtë ktheni shishën apo qeskën përmbys që ta përzieni yndyrën prapë në qumësht.
  • Njohës të shëndetësisë kanë mendime të ndryshme rreth përdorimit të qumështit të mbetur në shishe pas të ushqyerit. Disa thonë që ta hidhni, dhe disa tjerë thonë se mund ta përdorni edhe një herë nëse e ruani në frigorifer menjëherë pas përdorimit dhe e përdorni brenda katër orësh.
Category: Pompimi dhe ushqyerja me shishe

Ligjërata mbi temën Gjidhënia

Ne ofrojmë ligjërata pa pagesë nëpër Kosovë në qendrat tona Klasat për Nëna (Qendrat Informuese për Shëndetin e Gruas).

Gjeni qendrën ligjëruese tuajën më të afërt këtu.

Ligjërata pa pagesë

Keni pyetje?

Pyetje specialistit