Sa më herët që është e mundur! Këtu mund të gjeni orarin e kontrolleve për gratë shtatzëna dhe çfarë mund të prisni gjatë atyre kontrolleve.

Vizitoni mjekun sa më parë që të keni mundësi gjatë shtatzënisë suaj pasi kjo do t’ju ndihmojë në përcaktimin se sa javë jeni shtatzënë, si dhe në identifikimin e komplikimeve të mundshme. Shkoni për vizitë e shoqëruar nga partneri, ndonjë familjar, apo shok/shoqe — për përkrahje, por edhe ata mund të kenë ndonjë pyetje rreth gjendjës tuaj. Më poshtë mund të gjeni një orar të vizitave gjatë shtatzënisë (prenatale), çfarë të prisni nga secila vizitë dhe disa pyetje në të cilat mjeku mund të përgjigjet. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) rekomandon që të bëhen së paku katër vizita rreth javëve 16, 24-28, 32, 36 për shtatzëni pa komplikime. Sidoqoftë, në shumë vende gratë shtatzëna vizitojnë mjekun një herë në muaj.

Vizita 

Javë Shtatzënë

Çfarë të Prisni

1

6-13

javë

  • Vizita te mjeku: mjeku ju pyet për herën e fundit që i keni pasur menstruacionet, nëse keni qenë shtatzënë më parë, nëse keni alergji, për probleme të mëhershme si abortet dhe sëmundjet kronike, historinë mjekësore familjare duke përfshirë sëmundjet gjenetike, shprehitë që mund të ndikojnë tek fetusi, si p.sh. konsumimi i duhanit, alkoolit dhe përdorimi i drogave. Bëhet matja e peshës dhe tensionit të gjakut.
  • Këshilla nga mjeku/mamia se si të kujdeseni për shëndetin tuaj, çfarë ushqimi të përdorni dhe të shmangni, për vitaminat që duhet të merrni gjatë shtatzënisë, shqetësimet që do t’i përjetoni, shenjat paralajmëruese që duhet t’i kini parasysh, çfarë teste tjera mund të bëni dhe ndryshimet normale që duhet t’i prisni deri në vizitën e ardhshme.
  • Kontrolli i legenit ku ekzaminohet struktura dhe merret një mostër për të kontrolluar nëse ka qeliza anormale.
  • Testet laboratorike për të kontrolluar gjakun (lloji i gjakut, sëmundjet gjenetike të fetusit etj.) dhe urinën (proteinat the nivelin e baktereve).
  • Ultrazë ku kontrollohet zhvillimi i fetusit (gestacioni/ngjizja dhe data e lindjes, madhësia, rrahjet e zemrës, shtypja e gjakut, anomalitë strukturore), shtatzënia e shumëfishtë, përcaktimi dhe skrinimi/ekzaminimi për sëmundje gjenetike.

2

18-20

 javë

  • Vizita te mjeku me pyetje mbi problemet dhe shqetësimet që i keni pasur që nga vizita e fundit, si jeni ndjerë, nëse e keni ndjerë foshnjën duke lëvizur apo jo, nëse keni pasur rrjedhje të lëngshme apo gjakderdhje. Mamia do të masë peshën dhe tensionin e gjakut dhe mund të ndodhë që kontrollon edhe urinën.
  • Këshilla nga mjeku për t’u kujdesur për shëndetin tuaj, shenjat e rrezikshme, teste tjera që mund t’i konsideroni (p.sh. teste tjera të gjakut dhe/ose amniocenteza – ekzaminim për të parë anomali në fetus - nëse keni rrezik të lartë për sëmundje gjenetike), dhe ndryshimet që duhet të prisni deri në vizitën e ardhshme.
  • Ultrazë për të kontrolluar zhvillimin e fetusit p.sh. madhësinë, shtypjen e gjakut, anomalitë strukturore, shëndetin e placentës.

3

25-28

javë

  • Vizita te mjeku me pyetje për problemet dhe shqetësimet që i keni pasur që nga vizita e fundit, si jeni ndjerë, dhe si po lëviz foshnja. Mjeku do të dëgjojë rrahjet e zemrës së foshnjës dhe të masë barkun tuaj (nëse mjeku juaj ka ultrazë do të kontrollojë zhvillimin e foshnjës). Mamia do të masë peshën dhe tensionin e gjakut.
  • Këshilla nga mjeku për t’u kujdesur për shëndetin tuaj, shenjat e rrezikshme, ndryshimet që duhet të prisni deri në vizitën e ardhshme dhe përcjelljen e lëvizjeve ditore të foshnjës.
  • Testet laboratorike për të kontrolluar gjakun (anemia, antitrupat Rh, testi për diabet gestational) dhe urinën (niveli i proteinës).

4

31-34

javë

  • Vizita te mjeku me pyetje për problemet dhe shqetësimet që i keni pasur që nga vizita e fundit, si jeni ndjerë p.sh. shtrëngime të mundshme të barkut (kontraksione), kokë-dhembje apo nëse keni pasur ënjtje. Mjeku do të dëgjojë rrahjet e zemrës së foshnjës dhe të masë barkun tuaj për të caktuar madhësinë dhe pozitën e foshnjës (një ultrazë mund t’i ofrojë këto të dhëna, përpos kontrolleve tjera të fetusit). Mamia do të masë peshën dhe tensionin e gjakut.
  • Testet/ekzaminimet e mundshme mund të përfshijnë kontrollin e legenit nëse mjeku është i shqetësuar p.sh. për lindje të parakohshme ose për pozitën e foshnjës. Nëse është e nevojshme do të bëhen edhe teste të urinës.
  • Këshilla nga mjeku për t’u kujdesur për shëndetin tuaj, shenjat e rrezikshme, ndryshimet që duhet t’i prisni deri në vizitën e ardhshme dhe përcjellja e lëvizjeve ditore të foshnjës.

5

36-38

javë

  • Vizita te mjeku me pyetje për problemet dhe shqetësimet që i keni pasur që nga vizita e fundit, si jeni ndjerë dhe si po lëviz foshnja. Mjeku do të dëgjojë rrahjet e zemrës së foshnjës dhe të masë barkun tuaj për të caktuar madhësinë dhe pozitën e foshnjës (një ultrazë mund t’i ofrojë këto të dhëna, përpos kontrolleve tjera të fetusit). Mamia do të masë peshën dhe tensionin e gjakut.
  • Këshilla nga mjeku për t’u kujdesur për shëndetin tuaj, shenjat e rrezikshme, shenjat që duhet t’i prisni për lindje (si dhe kur duhet të lajmëroni mjekun ose kur duhet të shkoni në spital), ndryshimet që duhet t’i prisni deri në vizitën e ardhshme dhe përcjellja e lëvizjeve ditore të foshnjës.
  • Teste laboratorike për të kontrolluar urinën (nivelin e proteinës) dhe marrja e mostrës vagjinale (testi për StrepB).

6

40-41

javë

  • Vizita te mjeku me pyetje për problemet dhe shqetësimet që i keni pasur që nga vizita e fundit, si jeni ndjerë dhe si po lëviz foshnja. Mjeku do të dëgjojë rrahjet e zemrës së foshnjës.
  • Kontrolli i legenit që të kontrollohet nëse ka pasur zbutje apo zgjerim të legenit tuaj.
  • Këshilla nga mjeku se kur dhe si të induktoni procesin e lindjes suaj.
Numri i vizitave që ju duhet të bëni do të varet nga historia juaj mjekësore dhe nëse ka pasur komplikime që kërkojnë kontrolle dhe hapa të mëtutjeshëm. OBSH rekomandon që të bëhen së paku katër vizita gjatë shtatzënisë mes javëve 16, 24-28, 32, 36 të shtatzënisë për të evituar komplikimet e mundshme. Sidoqoftë, në shumë vende, gratë shtatzëna vizitojnë mjekun një herë në muaj, dhe një herë në javë gjatë muajit të fundit të shtatzënisë.
^Testi i gjakut së bashku me ultrazërin njihen si ekzaminim i kombinuar i tremujorit të parë, i cili ofron një vlerësim të rrezikut të fetusit që mund të ketë sindromin Down, si dhe probleme të tjera kromozomale dhe defekte në lindje. Këto teste nuk janë të detyrueshme; mund të vendosni që mos t’i bëni këto teste. Këto teste nuk janë definitive por mund të ofrojnë shenja që tregojnë se fetusi mund të ketë defekt gjenetik. Ka dy teste diagnostike që ofrojnë një rezultat të caktuar: 1) Marrja e mostrave për testin Chorionic villus (një test i bërë në shtatzëninë e hershme nëpërmjet të cilit mund të zbulohen anomalitë kongjenitale në fetus), që bëhet në javët 11-12; ose 2) Amniocenteza (ekzaminim për të shikuar nëse ka anomali në zhvillim të fetusit), që bëhet në javët 16-20. Këto teste janë invazive (futja e një tubi, kateteri, për të marrë një vështrim nga afër) dhe zakonisht kanë një rrezik të vogël të dështimit të shtatzënisë, kështu që ato zakonisht bëhen vetëm kur gruaja shtatzënë mund të ketë rrezik më të lartë të problemeve gjenetike apo kromozomale. Mjeku juaj do t’ju këshillojë nëse një test invaziv është i nevojshëm, por prapëseprapë ky test nuk është i detyrueshëm dhe vendimi për të bërë apo jo një test të tillë është plotësisht i juaji.

Disa ide se çfarë mund të pyesni në vizitat mjekësore gjatë shtatzënisë

Në secilën vizitë:

Edhe nëse nuk ju kërkohet, tregoni mjekut për të gjitha simptomat tuaja edhe nëse ato ju duken normale, siç janë lodhja apo dhimbjet. Mos lejoni që mjeku të shpejtojë me ekzaminimin tuaj ose të ju bëjë që të mendoni që ata janë shumë të zënë. Ata mund të jenë njëmend të zënë, por prapëseprapë, shtatzënia juaj për ju është gjëja më e rëndësishme në botë.

Në vizitën tuaj të parë:

Disa ide se çfarë mund të pyesni në vizitën tuaj të parë gjatë shtatzënisë:

  • Sa peshë duhet të shtoj, duke marrë parasysh peshën e tanishme?
  • A duhet të bëj ushtrime, dhe nëse po, çfarë ushtrime dhe sa shpesh?
  • A mund të kem marrëdhënie seksuale gjatë shtatzënisë?
  • Cilat janë gjasat që të kem komplikime? Çfarë teste shtesë duhet të bëj?
  • Çfarë duhet të ha dhe pi dhe çfarë nuk duhet?
  • A janë të rrezikshme apo të sigurta medikamentet që jam duke i përdorur për momentin? Nëse jo, me çfarë mund t’i zëvendësoj? Cilët janë medikamentet të cilat mund t’i marr pa recetë dhe që nuk janë të rrezikshme për zhvillimin e fetusit?
  • Cilat tretmane bukurie janë të pranueshme gjatë shtatzënisë, p.sh. lyerja e flokëve, manikyri etj.?
  • Çfarë simptomash duhet të pres dhe si mund t’i menaxhoj ato? Çka është normale gjatë kësaj faze të shtatzënisë, dhe për çfarë mundem t’ju kontaktoj?
  • Çfarë të bëj nëse unë ... Nuk ndihem mirë? Kam shtrëngime? Kam gjakderdhje? Kam temperaturë? Kur duhet t’ju kontaktoj apo të shkoj në spital?
  • Tashmë e kam pasur një lindje me prerje cezariane. A mund të kem lindje vaginale/natyrale?
Category: Shtatzënia