Shenjat paralajmëruese pas lindjës

Marrë nga March of Dimes

Trupi juaj kalon nëpër ndryshime të shumta pas lindjës së foshnjës. Këto ndryshime i ndihmojnë trupit tuaj të rimarrë veten nga shtatzënia, si dhe ju ndihmojnë juve të bëheni gati për t’u kujdesur për foshnjën tuaj. Është normale të mos ndiheni rehat, të ndiheni e lodhur dhe të keni dhimbje, përderisa trupi juaj po shërohet pas lindjës.

Megjithatë, shqetësime dhe probleme të tjera shëndetësore mund të jenë shenja që ju keni nevojë për kujdes mjekësor. Kontaktoni mjekun tuaj nëse keni ndonjë nga këto shenja paralajmëruese:

  • Gjakderdhje më të madhe se sa gjatë një cikli të zakonshëm menstrual, apo që bëhet më keq.
  • Rrjedhje, dhimbje apo skuqje që nuk hiqet apo bëhet më keq. Këto mund të jenë si pasojë e prerjes cezariane, epiziotomisë ose çarjes perinale (çarje midis vaginës dhe zorrës së trashë).
  • Ndjenjë të trishtimit që zgjatë më tepër se 10 ditë pas lindjes, ju mund të jeni duke vuajtur nga depresioni i pas-lindjës.
  • Temperaturë më të lartë se 38⁰C.
  • Dhimbje ose therje kur shkoni në banjë.
  • Dhimbje, ënjtje apo zbutje të këmbëve, sidomos rreth pulpit.
  • Damarë të kuq ose kapilarë që dhembin në gjoksin tuaj, ju mund të keni mastitin.
  • Dhimbje të madhe në pjesën e poshtme të barkut, ndjesia për të vjellë apo edhe vjellni.
  • Rrjedhje e lëngjeve të vaginës që kanë erë të keqe.

Besojini instinkteve tuaja. Nëse ndjeni që diçka nuk është në rregull, kontaktoni mjekun tuaj. Shumë nga këto probleme mund të trajtohen lehtë, mirëpo nëse shenjat e rrezikut injorohen dhe nuk trajtohen, ato mund të shkaktojnë probleme serioze. Kontaktoni mjekun apo shkoni menjëherë në spital nëse mendoni që jeta juaj mund të jetë në rrezik, apo keni ndonjërën nga këto shenja:

  • Gjakderdhje që nuk mund ta kontrolloni.
  • Dhimbje të gjoksit.
  • Probleme në frymëmarrje.
  • Shenja të tronditjes si p.sh. ethe, lëkurë të ftohtë dhe të djersitur, marramendje, alivanosja apo zemra e çuar peshë (rrahje të shpejta të zemrës).

Mendja e shëndoshë dhe kujdesi ndaj vetës pas lindjës

Kujdesi ndaj foshnjës së porsalindur është një periudhë shumë e këndshme dhe e gëzueshme, por poashtu edhe stresuese; me shumë gjasë do t’ju testojë durimin deri në maksimum. Nëse jeni shumë e lodhur apo e stresuar nuk mund të kujdeseni si duhet për foshnjën kështu që provoni të:

  • Flini/pushoni – një nga problemet më të mëdha është gjumi i pamjaftueshëm. Flini, apo së paku pushoni kur foshnja të fle.
  • Hani mirë – mbani ushqime të shëndetshme në shtëpi që nuk kanë nevojë të gatuhen dhe që mund të hahen me një dorë. Mos kapërceni vakte, sidomos nëse e ushqeni foshnjën me gji. Kërkoni nga familjarët dhe miqtë t’ju ndihmojnë në përgatitjen e ushqimit.
  • Mos e stresoni veten shumë– mos e stresoni vetën nëse nuk mund ta mbani shtëpinë aq të rregulluar sa do të donit, nëse nuk dukeni aq mirë sa do të  shpresonit, apo që nuk mund të bëni gjëra tjera që i keni planifikuar. Lironi vetën dhe përqendrohuni se ­çfarë mund të bëni që t’i përmirësoni gjërat.
  • Falni lehtë – kjo vlen për ju, partnerin dhe fëmijët tuaj. Rritja e një foshnjeje të porsalindur është një periudhë stresuese, çiftet zihen shpesh dhe fëmijët tjerë kanë tendenca të kenë problem me sjellje. Kuptoni që kjo është e përkohshme dhe që të gjithë po bëjnë më të mirën që të adaptohen me ndryshimet në shtëpi.
  • Kërkoni mbështetje – nga familjarët dhe miqtë, sidomos nga nënat e reja që po përjetojnë të njëjtat sfida si ju. Dilni dhe takoni njerëz, për shembull në park lojërash, pasi kjo mund të ndihmojë t’ju lehtësojë ndjenjën e izolimit apo të ndryshimit të madh në jetën tuaj. Kurset tona të Të Ushqyerit me Gji dhe Nëna  dhe Foshnja në Qendrat tona Beba-ks janë një mënyrë tjetër e mirë për të takuar nëna të tjera.

Gjashtë javët e para pas lindjës

Marrë nga March of Dimes

Gjatë shtatzënisë, trupi juaj ka ndryshuar shumë përderisa ka punuar për të mbajtur foshnjën të sigurtë dhe të shëndetshme. Tani që foshnja juaj ka lindur, ndryshime të tjera ndodhin në trupin tuaj. Disa nga këto ndryshime janë fizike si p.sh. gjoksi juaj mbushet me qumësht. Ndryshimet e tjera janë emocionale, si rritja e stresit. Ja se çka mund të prisni.

Çka është dhimbja perinale?

Zona ndërmjet vaginës dhe zorrës së trashë quhet perineum. Gjatë shtrëngimeve dhe procesit të lindjës, kjo zonë hapet madje mund edhe të çahet. Dhimbjet do të jenë edhe më të mëdha nëse keni pasur epiziotomi (prerja e hyrjes së vaginës për të ndihmuar foshnjën të dalë jashtë). Për të menaxhuar dhimbjën e perineumit, ju mund të bëni:

  • Ushtrimet Kegel. Këto ushtrime do t’i forcojnë muskujt në zonën e legenit, e cila ndihmon në shërimin e perineumit. Për t’i praktikuar këto ushtrime, shtrëngoni muskujt që ju përdorni për të ndaluar urinimin. Mbani muskujt e shtrënguar për 10 sekonda dhe pastaj lëshojini.
  • Vendosni një leckë të ftohtë në zonën perinale. Përdorni akull të mbështjellë me një leckë. Ju poashtu mund të blini lecka të gatshme të cilat i mbani në frigorifer.
  • Uluni mbi jastëk.
  • Mbusheni vaskën me ujë të ngrohtë dhe qëndroni aty për një kohë.
  • Pastroni vaginën sa herë që shkoni në banjë. Kjo do t’ju ndihmojë të parandaloni infeksionet kur epiziotomia juaj shërohet.
  • Pyesni mjekun tuaj për medikamente që ju ndihmojnë të lehtësoni dhimbjën.

Çka janë dhimbjet e paslindjës?

Dhimbjet e paslindjës janë ngërçe që ndjeni përderisa mitra juaj kthehet në madhësinë e saj të rregullt. Menjëherë pas lindjës, mitra juaj është e rrumbullakët, e fortë dhe peshon rreth 1.14kg. Afër 6 javë pas lindjës së foshnjës, mitra peshon rreth 57gr. Këto ngërçe duhet të kalojnë pas disa ditësh. Pyesni mjekun tuaj për medikamentet pa recetë që mund t’i merrni për lehtësim të dhimbjës.

Çfarë ndryshime në trup mund të ndodhin pas prerjes cezariane?

Lindja me prerje cezariane është një operacion i vështirë prandaj do t’ju duhet një kohë për t’u shëruar. Ju mund të ndiheni shumë e lodhur në ditët apo javët e para pas lindjës me prerje cezariane. Kjo ndodh për shkak se ju humbni shumë gjak gjatë operacionit. Poashtu, mund të keni dhimbje në varrën nga prerja në barkun tuaj. Ja se çfarë mund të bëni:

  • Pyesni mjekun tuaj për medikamente kundër dhimbjës dhe konsultohuni me të para se të përdorni ndonjë medikament të blerë pa recetën e mjekut.
  • Kërkoni nga partneri, familja apo shoqëria që t’ju ndihmojnë në kujdesin e fëmijës dhe punëve të shtëpisë.

Çfarë është rrjedhja e lëngjeve nga vagina?

Ekziston një lëng trupor që rrjedh nga vagina, rrjedhja e të cilit mund të rritet gjatë dhe pas shtatzënisë. Pas lindjës së foshnjës, trupi liron gjakun dhe indet që kanë qenë brenda mitrës. Në ditët e para, ky lëng është më i rëndë, me ngjyrë të kuqe të çelët dhe mund të përmbajë mpiksje të gjakut. Pas një kohe, rrjedhja bëhet më e lehtë dhe me ngjyrë më të çelët. Kjo rrjedhje mund të vazhdojë për disa javë, për një muaj apo edhe më tepër. Përdorni fasuleta intime të femrave deri sa rrjedhja e lëngjeve nga vagina të ndalet.

Çfarë është bllokimi i gjirit?

Bllokimi i gjirit ndodh kur gjinjtë fryhen pasi të mbushen me qumësht. Kjo mund t’ju shkaktojë dhimbje. Kur ju të filloni gjidhënien, dhimbja duhet të fillojë të largohet. Nëse nuk planifikoni ta ushqeni foshnjën me gji, kjo do të zgjasë deri sa gjinjtë të ndalojnë së prodhuari qumësht. Klikoni këtu për të mësuar për mënyrat se si mund ta menaxhoni bllokimin e gjirit.

Çfarë është dhimbja e thithkave?

Nëse jeni duke dhënë gji, ju mund të hasni në dhimbje në zonën e thithkave dhe përreth tyre gjatë ditëve të para, sidomos nëse në thithkat tuaja ka çarje.Mirëpo gjidhënia nuk duhet të dhembë, nëse ajo dhembë atëherë ka mundësi që të keni problem me pozicionimin e foshnjës, klikoni këtu për të parë se si ju mund të arrini një pozitë të përshtatshme. Klikoni këtu për të mësuar mënyrat për të menaxhuar dhimbjën e thithkave.

Çfarë është ënjtja?

Shumicës së grave ju ënjten duart, këmbët dhe fytyra gjatë shtatzënisë. Kjo shkaktohet nga lëngjet e shtuara në trup që ju ndihmojnë në përgatitjen e trupit për dhimbjet dhe procesin e lindjës. Mund të kalojë një kohë para se të hiqet e ënjtja edhe pasi që të lindë foshnja. Ja se çfarë mund të bëni për të menaxhuar ënjtjen e trupit:

  • Shtrihuni në anën e majtë të trupit dhe ngrini këmbët lartë.
  • Mundohuni të qëndroni e qetë dhe vishni rroba të gjëra.

Çfarë janë hemorroidet?

Hemorroidet janë vena të ënjtura dhe që dhembin brenda dhe përreth anusit. Ato iu shfaqen shumicës së grave gjatë shtatzënisë. Hemorroidet mund të përkeqësohen pas lindjës së foshnjës. Ja se çfarë mund të bëni për të menaxhuar hemorroidet:

  • Mbusheni vaskën me ujë të ngrohtë dhe qëndroni aty për një kohë.
  • Përdorni një spërkatës ose krem që shitet pa recetën e mjekut për të lehtësuar dhimbjen. Konsultohuni me mjekun për llojet e lejueshme për përdorim.
  • Hani ushqime që përmbajnë shumë fibra, si fruta, perime si dhe bukë me drithëra të papërpunuara.
  • Pini shumë ujë.
  • Mundohuni të mos sforcoheni në rast të turbullimeve të barkut.

Çfarë është kapsllëku?

Kapsllëku ndodh kur keni gazra me dhimbje ose vështirësi për të dalur jashtë. Kapsllëku mund të shfaqet pas lindjës së foshnjës. Ja se çfarë duhet të bëni për të menaxhuar kapsllëkun:

  • Hani ushqime që përmbajnë më shumë fibra.
  • Pini shumë ujë.
  • Pyesni mjekun për medikamente të nevojshme.

Çfarë probleme të urinimit mund të shfaqen pas lindjës së foshnjës?

Ju mund të ndjeni dhimbje ose therje kur urinoni. Ju poashtu mund ta keni të vështirë të urinoni, ose e kundërta, ju mund ta keni të vështirë të ndaloni së urinuari. Kjo quhet mos përmbajtje e urinës. Nëse keni dhimbje, therje, probleme në urinim apo në mbajtjën e urinës:

  • Pini shumë ujë.
  • Lëshoni ujin në lavaman kur shkoni në banjë.
  • Mbusheni vaskën me ujë të ngrohtë dhe qëndroni aty për një kohë.
  • Nëse dhimbja vazhdon kontaktoni mjekun tuaj.
  • Bëni ushtrimet Kegel për të forcuar muskujt e legenit. Kjo do t’ju ndihmojë në rastin e mos përmbajtjes së urinës.

Pse mund të djersini më tepër pas lindjës së foshnjës?

Kjo ndodh tek shumë nëna të reja, sidomos gjatë natës. Djersitja shkaktohet nga të gjitha hormonet që krijohen në trupin tuaj pas shtatzënisë. Ja se çfarë mund të bëni në këtë rast:

  • Vendosni një peshqir mbi çarçafë dhe jastëkë ashtu që të mos i lagni ato.
  • Mos përdorni shumë batanije apo vishni rroba të trasha për në shtrat.

Pse mund të ndiheni e lodhur pas lindjës së foshnjës?

Ju mund të humbni shumë gjak gjatë procesit të lindjës. Kjo do të shkaktojë lodhjën e trupit. Poashtu, foshnja me siguri nuk do t’ju lë të flini gjatë tërë natës. Ja se çfarë mund të bëni:

  • Flini kur foshnja fle, edhe kur ai/ajo bën një sy gjumë gjatë ditës.
  • Hani ushqim të shëndetshëm si fruta, perime, bukë dhe pasta me drithë të papërpunuar, mish pa dhjamë dhe mish pule. Kufizoni ëmbëlsirat dhe ushqimet e yndyrshme.
  • Kërkoni nga partneri, familja apo shoqëria t’ju ndihmojnë në kujdesin e fëmijës dhe punëve të shtëpisë.

Kur do të mund të ngeleni shtatzënë përsëri?

Nëse nuk praktikoni gjidhënien, menstruacionet do t’ju vijnë rreth 6 deri në 8 javë pas lindjës së foshnjës. Nëse praktikoni gjidhënien, ju mund të mos e filloni ciklin menstrual për muaj të tërë. Disa gra nuk do të kenë cikël menstrual përderisa ushqejnë foshnjën me gji. Është e mundur që ju mund të ovuloni (të lironi vezë) para se menstruacionet të rifillojnë. Kjo do të thotë që mund të mbesni shtatzënë, pavarësisht nëse praktikoni ose jo gjidhënien. Përdorni masa mbrojtëse për t’u siguruar që të mos mbesni shtatzënë pa qenë gati. Nëse jeni duke dhënë gji, konsultohuni me mjekun për llojin e mjeteve mbrojtëse të lejueshme për përdorim, sepse jo të gjitha janë të sigurta për t’u përdorur gjatë gjidhënies.

A mund të humbni në peshë pas lindjës së foshnjës?

Tani është koha mjaft e përshtatshme për të pasur një peshë të shëndetshme, pa marrë parasysh sa keni peshuar para shtatzënisë. Nëse keni peshë të shëndetshme, ju do të ndiheni më mirë, si dhe mundësia për të hasur në sëmundje si diabeti apo tensioni i lartë i gjakut është më e vogël. Gjithashtu, është më mirë nëse keni një peshë të shëndetshme në rast se mbesni shtatzënë prapë apo nëse planifikoni të keni një fëmijë tjetër në të ardhmen. Ja se çfarë mund të bëni që të humbni në peshë:

  • Flisni me mjekun për një peshë të shëndetshme. Nëse ju keni pasur ca kilogramë të tepërta para shtatzënisë, ju do të doni të humbni më shumë sesa peshën e fituar gjatë shtatzënisë.
  • Hani ushqime të shëndetshme. Kufizoni ëmbëlsirat dhe ushqimet me shumë yndyrë.
  • Pini shumë ujë.
  • Merruni çdo ditë me ndonjë aktivitet. Ecja dhe noti janë aktivitete të mira për nënat e reja.
  • Ushqeni foshnjën tuaj me qumësht gjiri. Kjo do t’ju ndihmojë të digjni kalori, dhe të bini në peshë më shpejtë sesa nëse nuk do ta praktikonit gjidhënien.
  • Mos u ndjeni keq nëse nuk humbni në peshë aq shpejt sa do të donit. Trupit (dhe barkut) tuaj i duhet pak kohë për t’u kthyer në formën e mëparshme.

Çfarë ndryshime mund të ndodhin në lëkurë pas lindjës së foshnjës?

Ju mund të keni të çara në vendet ku lëkura është zgjatur, si p.sh. në bark, kofshë, gjinj dhe të pasme. Përdorni kremra dhe losione në lëkurë për të menaxhuar të çarat.

Çfarë ndryshime mund të pësojnë flokët pas lindjës?

Flokët tuaja mund të jenë dukur më të dendura dhe me qime më të plota. Pas lindjës së foshnjës suaj, flokët mund të ju dobësohen. Humbja e flokëve zakonisht zgjat 3 deri në 4 muaj pas lindjës së foshnjës. Ja se çfarë mund të bëni:

  • Hani shumë fruta dhe perime. Këto do të mbrojnë dhe të ndihmojnë në rritjën e flokëve.
  • Mos i kapni flokët në bisht, gërsheta si dhe mos përdorni shnolla dhe llokne. Ato mund të tërheqin dhe të bëjnë presion në flokun dhe kokën tuaj.
  • Thani flokët me temperaturë të ulët.

Viti i parë pas lindjës

Kur do të rikthej peshën që kisha para shtatzënisë?

Lajmi i mirë është që ju me siguri do të humbni rreth 5-6kg menjëherë pas lindjës pasi që trupi juaj liron ujin e tepërt. Nënat që ushqejnë me qumësht gjiri në përgjithësi humbin peshë më shpejtë për shkak të kalorive që foshnja konsumon. Është normale që ju të dukeni sikur jeni shtatzënë për disa javë apo muaj pas lindjës, përderisa mitra juaj tkurret dhe barku kthehet në formën e mëparshme. Ushtrimet dhe ushqyerja e shëndetshme (të mos kapërceni vaktet) do të ndihmojnë. Shumicës së nënave për herë të parë ju duhen rreth 6-12 muaj që të kthehen në peshën e tyre të mëparshme (para shtatzënisë).

A do të mund të kthej “ngushtësinë” e vaginës pas lindjës?

Studimet kanë treguar që funksioni seksual afatgjatë mbetet i njëjtë dhe nuk ndikohet nga lindja vaginale. “Ngushtësia” e vaginës rikthehet brenda 6 muajve pas lindjës, të paktën për lindjën e parë. Ju mund të bëni ushtrimet Kegel për të ngushtuar vaginën, dhe kjo gjithashtu do të rrisë kënaqësinë seksuale për ju dhe partnerin tuaj.

Çfarë lloj diete dhe ushtrimesh duhet të bëj?

Është mirë të filloni me ushtrime sa më shpejtë që ndiheni gati, mirëpo nëse keni dyshime, prisni pas vizitës mjekësore gjashtë javë pas lindjës. Filloni ngadalë me aktivitet të lehtë aerobik si p.sh. ecje. Edhe nëse ju keni pasur prerje cezariane, të bëni ecje me ritëm të ngadaltë disa javë pas lindjës do të ndihmojë në shërimin dhe parandalimin e rrjedhjës së gjakut. Poashtu, vazhdoni të merrni vitaminat e para-lindjës nëse jeni duke e ushqyer foshnjën me qumësht gjiri. Mos filloni asnjë dietë deri sa foshnja të bëhet të paktën dy-muajshe, dhe poashtu mundohuni të hani vakte të rregullta të shëndetshme në vend se të tentoni të zvogëloni numrin e kalorive në vakte.

Çfarë ndryshime të tjera hormonale mund të kem?

Trupi juaj gjendet në një katrahurë hormonale. Ndryshimet e mëdha të hormoneve mund të ndikojnë në ndryshimin e disponimit dhe poashtu në ndryshimin e lëkurës tuaj si p.sh. plasaritja e lëkurës apo përmirësimi i lëkurës, si dhe heqja e shenjave të errëta dhe të çarave të lëkurës. Juve poashtu mund t’ju bien flokët më shumë, mirëpo mos u brengosni, kjo është normale pasi që nuk do t’ju bien aq shumë si gjatë shtatzënisë, këto janë thjeshtë qimet e tepërta që bien. Ju poashtu mund të vuani nga ndryshimi i disponimit (Baby Blues) apo nga depresioni i pas-lindjës (shikoni më poshtë).

Ndryshimi i disponimit pas lindjës (Baby Blues) dhe Depresioni i pas-lindjës

Ndryshimi i disponimit pas lindjës (Baby Blues)

Ndryshimet hormonale, dhimbja nga lindja, mungesa e gjumit dhe të bërit nënë mund t’ju shkaktojnë gjendje më të luhatshme emocionale. Ju mund të jeni e lumtur në të shumtën e kohës, mirëpo ndonjëherë ju shumë lehtë mund të nervozoheni dhe të qani, të ndiheni e mërzitur apo e hutuar. Rreth 80% e nënave për herë të parë vuajnë nga kjo gjendje. Kjo gjendje fillon tre deri në pesë ditë pas lindjës dhe zgjatë për disa javë. Edhe pse kjo është gjendje mjaft e vështirë emocionale, ju nuk do të keni ndonjë problem fizik. Kjo gjendje zbutet dhe largohet me kalimin e kohës. Nëse kjo gjendje nuk kalon dhe ju keni përshtypjen që po bëheni më keq, është e mundur që ju vuani nga depresioni i pas-lindjës dhe keni nevojë për ndihmë.

Depresioni i pas-lindjës

Depresioni i pas-lindjës është më i zakontë se sa e mendoni. Rreth 1 në 7 nëna të reja vuajnë nga kjo dukuri. Ky lloj depresioni shpesh fillon rreth 1-7 javë pas lindjës mirëpo mund të ndodh në çdo kohë gjatë vitit të parë. Simptomat mund të ndryshojnë mirëpo ato përfshijnë:

  • Ndjenja të zemërimit dhe nervozës.
  • Mungesë të interesit ndaj foshnjës.
  • Çrregullim të apetitit dhe gjumit.
  • Mërzi dhe vajtim.
  • Ndjenjë të fajësisë, turpit apo të qenit e pashpresë.
  • Humbje të interesit, kënaqësisë dhe gëzimit për gjëra që dikur ju pëlqenin.
  • Mendime të mundshme për ta lënduar vetën apo foshnjën.

Mos u brengosni, depresioni i pas-lindjës është i përkohshëm dhe i trajtueshëm. Nëse mendoni që po vuani nga kjo dukuri, kuptojeni që nuk është faji juaj, dhe ka gjëra që mund t’ju ndihmojnë ta tejkaloni dhe të shëroheni. Nëse mendoni që vuani nga depresioni i pas-lindjës, kontaktoni mjekun tuaj apo kontrollohuni në Qendrën tuaj më të afërt Beba-ks për t’u kontrolluar nga një specialist.

Janë tri gjëra që mund t’i bëni vetë për t’u ndjerë më mirë:

  1. Qëndroni e shëndetshme dhe në formë:
  • Bëni çdo ditë ndonjë aktivitet. Dilni për shëtitje apo merruni me fitnes.
  • Hani ushqime të shëndetshme si fruta, perime, bukë nga drithëra të papërpunuara dhe mish pa dhjamë. Mundohuni të kufizoni ushqimet e njelmëta apo të ëmbla (edhe pse këto do t’i dëshironi më së shumti).
  • Pushoni sa më shumë që mundeni. Provoni të flini kur foshnja juaj fle.
  • Mos pini alkool; alkooli është depresiv, që do të thotë që do të ulë funksionin e trupit tuaj dhe do t’ju bëjë të ndiheni edhe më keq.
  • Mos merrni droga të ndryshme. Këto do të ndikojnë në funksionimin e trupit tuaj dhe mund të shkaktojnë probleme me medikamentet që mund të jeni duke përdorur për depresionin e pas-lindjës.
  1. Kërkoni dhe pranoni ndihmë:
  • Mbani kontakt me njerëzit që i keni për zemër dhe që brengosen për ju. Tregoni partnerit, familjes dhe shoqërisë suaj se si ndiheni.
  • Ndani pak kohë për vetën tuaj. Kërkoni nga dikush që i besoni që të kujdeset për foshnjën tuaj ashtu që të mund të dilni nga shtëpia. Vizitoni ndonjë shok/shoqe apo bëni diçka që ju pëlqen. Planifikoni të kaloni pak kohë vetëm me partnerin tuaj.
  • Lejoni të tjerët t’ju ndihmojnë rreth shtëpisë. Kërkoni nga shoqëria apo familjarët të kujdesen për foshnjën, t’ju ndihmojnë me punët e shtëpisë apo bëjnë blerjën e gjërave të nevojshme për shtëpi. Mos keni frikë t’iu tregoni atyre për çka keni nevojë.
  • Bëhuni pjesë e një grupi për mbështetje online. Ju mund të merrni më shumë informacione dhe të flisni me ekspertë në Mbështetja Ndërkombëtarë për Pas-lindje (Postpartum Support International) dhe Përparimi pas lindjes (Postpartum Progress) (që të dyja vetëm në gjuhën angleze).
  1. Zvogëloni stresin:
  • Bëni gjërat që ju pëlqenin t’i bënit para shtatzënisë suaj. Dëgjoni muzikë, lexoni një libër të mirë apo regjistroni ndonjë kurs.
  • Bëni gjërat që ju bënin të ndiheni më mirë për vetën tuaj para shtatzënisë.
  • Mundohuni të mos bëni ndryshime të mëdha në jetën tuaj pikërisht pas lindjës së foshnjës. Këto përfshijnë ndërrimin e vendbanimit ose ndryshimin e punës. Ndryshimet e mëdha shkaktojnë stres për të cilin ju nuk keni nevojë.
  • Flisni me punëdhënësin tuaj për t’u rikthyer në punë. Ju ndoshta do të mund të punoni nga shtëpia apo të punoni me orar të shkurtuar në fillim.

Nëse këto ju ndihmojnë, shumë mirë! Vazhdoni t’i bëni pasi që nëse i ndalni, simptomat mund t’ju kthehen. Nëse këto gjëra nuk kanë përmirësuar simptomat tuaja brenda dy jave, ju duhet domosdoshmërisht të vizitoni një mjek apo të kontrolloheni në Qendrën tuaj më të afërt Beba-ks për t’u kontrolluar nga një specialist. Ju mund të keni nevojë për ndonjë terapi shtesë, duke përfshirë anti-depresivë me recetë të mjekut. Është shumë e rëndësishme të merrni seriozisht depresionin e pas-lindjës pasi që mund t’ju vështirësojë kujdesin ndaj foshnjës si dhe do të bëhet edhe më keq nëse lihet pa u trajtuar. Nëse keni mendime për të lënduar foshnjën apo veten, vizitoni menjëherë një mjek.

Si do të trajtojë mjeku depresionin e pas-lindjës? Mjeku së pari do të ju bëjë disa pyetje për të përcaktuar nëse vuani nga ky depresion. Ai mund t’ju bëjë teste për të parë nëse keni ndonjë problem shëndetësor që mund të shpie në depresion të pas-lindjës. Për shembull, ai mund të kontrollojë hormonet tiroide pasi që niveli i ulët i tyre mund të shkaktojë depresionin e pas-lindjës. Sa më herët që e vizitoni mjekun, aq më mirë. Ju do të mund të filloni trajtimin, që t’ju bëjë të ndiheni më mirë, dhe t’ju mundësojë të kujdeseni si duhet për vetën dhe foshnjën tuaj. Trajtimet që mund t’ju sugjerohen nga mjeku janë:

  • Seancat këshilluese, që poashtu quhen terapi. Kjo terapi bëhet kur ju flisni për ndjenjat dhe shqetësimet me ekspertë të shëndetit mendor. Ata do t’ju ndihmojnë të kuptoni ndjenjat tuaja, të zgjidhni problemet dhe t’i përballoni sfidat e përditshme.
  • Ilaçet. Depresioni i pas-lindjës shpesh trajtohet me ilaçe, duke përfshirë 1)Anti-depresivë – disa kanë efekte anësore dhe mund të mos jenë të sigurtë nëse e ushqeni foshnjën me qumësht gjiri, prandaj flisni me mjekun për të vendosur nëse është e duhura për ju. 2) Estrogjenë – ky hormon luan një rol të rëndësishëm në ciklin tuaj menstrual dhe shtatzëni, mirëpo konsultohuni me mjekun nëse e ushqeni foshnjën me qumësht gjiri.

Marrëdhënia seksuale dhe intimiteti pasi të bëheni me fëmijë

Si ju, ashtu edhe partneri juaj, jeni duke u mësuar që të keni foshnjën afër. Të qenit prind mund të jetë shqetësuese si për ju ashtu edhe për partnerin tuaj. Flisni me njëri tjetrin. Të flisni rreth ndjenjave që keni mund t’ju ndihmojë që të mos ndiheni të lënduar apo të nervozuar. Sa më shpejt që të mundeni, gjeni kohë vetëm për ju të dy. Kërkoni nga dikush që i besoni që të kujdeset për foshnjën për një orë apo dy dhe dilni për një shëtitje apo për darkë.

Zakonisht, është në rregull të kryeni marrëdhënie seksuale 4-6 javë pas lindjës, edhe pse jo të gjithë presin aq gjatë, dhe jo të gjithë janë gati aq shpejtë. Nëse ju keni pasur një lindje të vështirë, ju mund të ketë nevojë për më shumë kohë që të rikuperoheni fizikisht. Edhe nëse ju jeni fizikisht e gatshme, ju mund të mos jeni gati emocionalisht. Lindja e foshnjës është një katrahurë hormonale për gruan, prandaj ju mund të keni nevojë për më shumë kohë që të rikuperoheni. Ju poashtu mund të frikësoheni se do të keni dhimbje apo thjeshtë jeni e lodhur nga kujdesi për foshnjën. Edhe nëse nuk keni marrëdhënie seksuale, ju mund të vazhdoni të bëni gjëra intime; prekja, puthja, masturbimi apo seksi oral janë të gjitha opsione që mund të jeni e interesuar për t’i bërë. 

Ju mund të ndiheni e turpëruar nga trupi juaj pas lindjës. Mos u ndini! Ju sapo keni sjellë në jetë një qenie njerëzore,  trupi juaj është i mahnitshëm. Kurrë mos e harroni këtë! Në përgjithësi, nënave për herë të parë ju duhen 6-12 muaj për t’u rikthyer në peshën e para-lindjës. Marrëdhënia seksuale poashtu mund t’ju duket ndryshe. Shpesh, për shkak të ndryshimeve hormonale, vagina e grave mund të jetë e tharë, kështu që përdorni lubrifikues. Eksperimentoni me pozita të ndryshme për të parë se cilat janë pozitat më të rehatshme për ju. Bëhuni ju ajo që e kontrollon aktin seksual dhe ndaloni kurdo që nuk ndiheni rehat. Mos u brengosni, jeta juaj seksuale do t’i rikthehet normalitetit shumë shpejtë.

Pushimi i lehonisë në Kosovë

Në vazhdim do të shihni se çfarë lejohet sipas ligjeve të Kosovës:

  • Pushim i paguar për lindjën apo adoptimin e fëmijës: Dy ditë pune (Neni 50)
  • Pushim i papaguar për lindjën apo adoptimin e fëmijës: Dy javë, në çdo kohë derisa fëmija t’i mbush tre vjeç (Neni 50)
  • Pushimi i lehonisë: 45 ditë deri në 12 muaj (6 muajt e parë – me kompensim 70% të pagës bazë, 3 muajt e ardhshëm – me kompensim të 50% nga paga mesatare e Kosovës, 3 muajt e fundit – pa kompensim) (Neni 49)
  • Pushimi i detyruar i lehonisë: 28 ditë para datës së përcaktuar të lindjës deri në 6 muaj (Neni)
  • Pushimi prindëror: Pas skadimit të pushimit të detyruar të lehonisë, nëse prindërit pajtohën, pjesa tjetër e pushimit të lehonisë mund të përdoret nga babai i fëmijës (Neni 49)
  • Pushimi i atësisë: Nëse nëna ka vdekur apo e ka braktisur fëmijën, apo për arsye të pranuara nuk është në gjendje të kujdesët për fëmijën, të drejtat e babait janë të njëjta si të nënës (Neni 49, 50)
  • Fëmija që ka nevojë për kujdes të veçantë – njëri prind: Pas skadimit të pushimit të lehonisë nga nëna, ka të drejtë të punojë me orar të plotë apo të përgjysmuar derisa fëmija të mbush 3 vjeç apo nëse fëmija ka nevojë për kujdes të veçantë (Neni 52)
Ligji Nr.03/L-212 i Punës, http://www.assem- bly-kosova.org/common/docs/ligjet/2010-212-eng. pdf. Burimi: State of the World’ Fathers, Balkan Review, Care International Balkans & MenCare

Planifikimi i familijës

Cilat janë opsionet për kontrollin e lindjës?

Për informacione në lidhje me mundësitë për të kontrolluar lindjet, kontaktoni mjekun tuaj apo vizitoni  Qendrën tuaj më të afërt Beba-ks. Sigurohuni t’i tregoni mjekut që e ushqeni foshnjën me qumësht gjiri pasi që disa metoda për kontroll të lindjes mund të mos jenë në pajtueshmëri me gjidhënien.

Nëse e ushqej foshnjën me qumësht gjiri, a jam e mbrojtur?

Është një fakt i njohur që gjidhënia është një metodë afatshkurtër e sigurtë dhe e përshtatshme për të parandaluar shtatzëninë. Mirëpo, ju mund të keni dëgjuar për raste kur gratë kanë mbetur shtatzënë edhe pse kanë praktikuar gjidhënien. Studimet kanë vërtetuar që kur ju ushqeni foshnjën me qumësht gjiri, ju keni më pak se 2% mundësi për të ngelur shtatzënë, vetëm nëse që të tre kushtet e mëposhtme plotësohen:

  1. Cikli juaj menstrual nuk ka rifilluar pas shtatzënisë; dhe,
  2. Ju e ushqeni foshnjën me qumësht gjiri gjatë ditës dhe natës (pa intervale të gjata ndërmjet të ushqyerave, që do të thotë jo më pak se 4 orë gjatë ditës dhe 6 orë gjatë natës), nuk përdorni biberon dhe nuk e ushqeni foshnjën rregullisht me ushqime të tjera apo lëngje; dhe,
  3. Foshnja është më e re se 6 muaj.

Nëse ndonjë nga tre kushtet e lartpërmendura nuk plotësohet, ju nuk do të jeni e mbrojtur plotësisht, prandaj do t’ju duhet të përdorni ndonjë metodë tjetër mbrojtëse.

Sa gjatë duhet të pres para se të mbes shtatzënë përsëri?

Është më së miri të prisni të paktën 18 muaj ndërmjet lindjës së foshnjës dhe të ngelurit me barrë përsëri. Kjo do të thotë që foshnja juaj do të ketë mbushur të paktën një vjet e gjysmë para se të mbesni shtatzënë përsëri. Koha e shkurtër ndërmjet shtatzënive rrit rrezikun e lindjës së parakohshme, dhe këto foshnje kanë rrezik më të madh për probleme shëndetësore në krahasim me foshnjat e lindura në kohë. Trupi juaj ka nevojë për kohë për t’u rikuperuar nga shtatzënia e kaluar para se të jetë gati për shtatzëninë e ardhshme.

Category: Kujdesi i Nënës

Ligjërata mbi temën Foshnja dhe Nëna

Ne ofrojmë ligjërata pa pagesë nëpër Kosovë në qendrat tona Klasat për Nëna (Qendrat Informuese për Shëndetin e Gruas).

Gjeni qendrën ligjëruese tuajën më të afërt këtu.

Ligjërata pa pagesë

Keni pyetje?

Pyetje specialistit