Si është kur ke dhimbje të lindjës?

Dhimbjet e lindjës janë të ndryshme për çdo femër. Gratë zakonisht i përshkruajnë dhimbjet e lindjës si:
  • Ngërçet, si kur jeni në ciklin menstrual apo vuani nga diarreja.
  • Dhimbje të pjesës së poshtme të shpinës që lëviz herë në pjesën e përparme e herë në të prapme.
  • Turbullime të barkut,që pastaj bëhen shumë më të forta përderisa dhimbjet vazhdojnë.
  • Më vonë, (në periudhën Aktive) ju mund të vuani nga ndjesia për të vjellë, të villni, të keni të ftohtë, keni dhimbje të shpinës, ethe dhe të ndiheni e dëshpëruar dhe pa disponim.

Çfarë e shkakton dhimbjën?

Frika e rrit tensionin, tensioni intensifikon dhimbjën, dhe dhimbja shkakton nervozizëm dhe ankth që çon në frikë dhe më tepër tension. Këtë cikël mund ta ndërpreni me ndihmën e njohurive rreth teknikave të relaksimit, që zvogëlojnë perceptimin dhe ndjesinë e dhimbjës.

Pragu i dhimbjës është niveli ku një person përjeton dhimbje, dhe kjo ndryshon nga personi në person. Toleranca e dhimbjës është aftësia për të toleruar dhimbjën, e cila po ashtu varet nga individi. Të gjithë e ndiejmë ndryshe dhe në shkallë të ndryshme. Nëse unë do t’ju pickoja fort dhe pas 30 sekondave ju të bërtisni “ooo!”, unë kam arritur pragun e dhimbjës. Nëse unë vazhdoj t’ju pickoj dhe ju bërtisni “mjaft! pas 30 sekondave tjerë, atëherë unë kam arritur pragun e tolerancës. Nëse e keni mësuar teknikën e përballimit siç është frymëmarrja e kontrolluar, ju do të mund të filloni ta përdorni atë kur të keni thënë “mjaft!” dhe do të mund ta përballoni dhimbjën për më gjatë.

Shumica e grave do të përjetojnë dhimbje gjatë lindjës. Por përgatitja dhe mbështetja në përgjithësi do të rrisin tolerancën tuaj ndaj dhimbjës. Lindja e fëmijës është një proces natyral që çdo femër është në gjendje ta bëjë dhe përballojë. Dhe mbani mend, kjo është një dhimbje e mrekullueshme dhe me një qëllim; pas tërë asaj pune të vështirë ju do të sillni në jetë një foshnje të mrekullueshme! Shumica e femrave thonë se dhimbja zhduket kur foshnja të jetë në duart tuaja.

Si ta bëni lindjën më të lehtë?

Trupi juaj prodhon hormone në mënyrë natyrale që t’ju ndihmojë me dhimbjët dhe ju mund të rrisni nivelin e këtyre hormoneve duke bërë këto në vijim:

  1. Bëni ushtrimet të relaksimit: shikoni më poshtë për një udhëzues hap-pas-hapi.
  2. Bëni një masazhë: kërkoni nga partneri juaj apo mamia që t’ju fërkojnë pjesën e poshtme të shpinës, që shumë gra thonë se është shumë qetësuese veçanërisht gjatë shtrëngimeve të barkut (kontraksioneve).
  3. Bëni një dush: mund ta bëni këtë nëse qëndroni në shtëpi gjatë periudhës së Hershme.
  4. Kërkoni për mbështetje: nëse qëndroni në shtëpi gjatë periudhës së Hershme mund të keni një person që ju mbështet (partneri, nëna, vjehrra, ndonjë shoqe etj.)
  5. Ndërroni pozitat: nuk ju ndihmon nëse thjeshtë qëndroni e shtrirë në shpinë, kështu që mundohuni të ecni dhe ndërroni pozitat.

Më e rëndësishmja është që të keni besim në vetvete. Ju mund ta bëni. Trupi juaj është i bërë që ju ta përballoni këtë. Gratë kanë lindur fëmijë që kur njerëzimi ekziston. Mos u frikësoni, ky është një proces natyral.

Ushtrimet e relaksimit

Ekzistojnë një mori e ushtrimeve të ndryshme të relaksimit që ju mund t’i bëni për t’ju bërë lindjën më të lehtë.

  1. Përfytyrimi:

Provoni të krijoni një pamje qetësuese në mendjën tuaj, si për shembull:

- Përdorni imagjinatën pozitivisht që të mendoni një skenë apo vend të këndshëm ku ju do të dëshironit të ishit.

- Përfytyroni qafën e mitrës suaj si një lule që po hapet, imagjinoni atë tek hapet dhe foshnjën tuaj tek shkon poshtë e më poshtë gjatë çdo shtrëngimi.

- Krijoni një pikë përqendrimi, një figurë, person, apo një rrugë që e mbani mend/imagjinoni si p.sh. shkallë apo ndonjë shëtitore.

2. Ushtrimet me zë:

Provoni të përsërisni me zë (apo me vete) ndonjë frazë që ju pëlqen, si për shembull:

- Unë mund t’ia dal, unë mund t’ia dal.

- Një frymë për ty, një frymë për mua.

- Unë të dua, ti më do.

Po ashtu mund të numëroni me zë apo vetë me vete.

3. Teknikat e frymëmarrjes:

Shoqata Amerikane e Shtatzënisë, shikoni http://americanpregnancy.org/labor-and-birth/patterned-breathing/

Frymëmarrja e ngadalshme

Filloni frymëmarrjen e ngadalshme kur shtrëngimet të jenë të forta, kur ju nuk mund të flisni apo ecni pa ndërprerje.

  1. Filloni më një frymëmarrje—një psherëtimë të madhe me të filluar shtrëngimet. Kur e nxirrni frymën, lironi tërë presionin (lëshoni trupin nga koka te këmbët).
  2. Rrini e përqendruar.
  3. Merrni frymë ngadalë me hundë dhe nxirrni atë me gojë, duke mundësuar tërë ajrin të qarkullojë me një psherëtimë. Pushoni deri sa të keni nevojë për më tepër ajër.
  4. Në çdo nxjerrje të frymës, mundohuni të relaksoni një pjesë tjetër të trupit.

Frymëmarrje të lehta dhe të shpejta

Shumica e grave e ndiejnë nevojën që të kalojnë në frymëmarrje të lehtë gjatë periudhës aktive të lindjës. Lejojani shtrëngimeve të barkut që të ju udhëzojnë se kur të përdorni frymëmarrjen e lehtë. Merrni dhe nxjerrni frymën shpejtë nga goja rreth një herë në sekondë. Mbani frymëmarrjen të lehtë dhe të butë. Frymëmarrjet duhet të jetë pa zë, por nxjerrja e frymës duhet të dëgjohet qartë.

  1. Filloni me një frymëmarrje — një psherëtimë të madhe me të filluar shtrëngimet. Kur e nxirrni frymën, lironi tërë presionin (lëshoni trupin nga koka te këmbët).
  2. Rrini e përqëndruar.
  3. Merrni frymë ngadalë me hundë dhe nxirrni atë me gojë. Shpejtoni dhe lehtësoni frymëmarrjën kur shtrëngimet të intensifikohen. Nëse shtrëngimet e barkut bëhen më të forta, atëherë juve do t’ju duhet të shpejtoni frymëmarrjën më herët. Nëse shtrëngimet rritën ngadalë, edhe frymëmarrja juaj shpejtohet gradualisht për një kohë më të gjatë. Mbani gojën dhe krahët të relaksuara.
  4. Përderisa frymëmarrja juaj shpeshtohet me rritjën e shtrëngimeve, merrni dhe nxirrni frymën lehtë nga goja. Mbani frymëmarrjen të lehtë dhe të butë me një ritëm rreth një frymëmarrje për sekondë.
  5. Përderisa shtrëngimet e barkut fillojnë të lehtësohen, gradualisht ngadalësoni ritmin e frymëmarrjes dhe kthehuni në procesin e marrjës së frymës me hundë dhe nxjerrjës me gojë.
  6. Kur shtrëngimet e barkut të ndalen, merrni frymë thellë dhe nxirreni me një psherëtimë.

Frymëmarrja e ndryshueshme (Tranzitive)

Kjo është një formë tjetër e frymëmarrjes së lehtë. Nganjëherë i referohet si frymëmarrja “heh-heh-huu”. Frymëmarrja e ndryshueshme është një kombinim i frymëmarrjes së lehtë të butë me nxjerrje më të gjata apo më të zëshme të frymës. Frymëmarrja e ndryshueshme përdoret në periudhën e parë nëse nuk ndiheni rehat, nuk mund të relaksoheni, jeni e mërzitur apo e rraskapitur.

  1. Filloni më një frymëmarrje—një psherëtimë të madhe me të filluar shtrëngimet. Kur e nxirrni frymën, lironi tërë presionin (lëshoni trupin nga koka te këmbët).
  2. Përqendrohuni fokusin te partneri juaj apo një pikë tjetër fokale, si p.sh. një foto.
  3. Merrni frymë me gojë me frymëmarrje të lehta e të buta me ritëm 5-20 frymëmarrje për 10 sekonda, përgjatë kohëzgjatjës së shtrëngimeve të barkut.
  4. Pas çdo frymëmarrje të dytë, tretë, katërt apo pestë, nxirrni frymën jashtë. Mund të përpiqeni të bëni edhe “huu” apo “fhuu” për të zgjatur frymënxjerrjën.
  5. Kur shtrëngimet e barkut të përfundojnë, merrni një apo dy herë frymë thellë.

Frymëmarrja për të evituar shtyrjen në kohën e gabuar

Gjatë të dy periudhave të dhimbjeve të lindjës ju do të provoni të shtyni për të lindur por ajo mund të mos jetë koha e duhur. Shumica e grave zakonisht e mbajnë frymën gjatë këtyre momenteve shumë të vështira.

  1. Mos e mbani frymën. Provoni të merrni dhe nxjerrni frymën vazhdimisht apo duhet e ngritur mjekrën dhe duke fryrë. Kjo ju mban juve që të mos shtyni më shumë, pasi që trupi juaj tashmë po e bën një gjë të tillë.

Frymëmarrja e dëbimit/përjashtimit/largimit

Kjo frymëmarrje përdoret kur qafa e mitrës është hapur plotësisht dhe faza e dytë e dhimbjeve të lindjës ka filluar.

  1. Filloni më një frymëmarrje—një psherëtimë të madhe me të filluar shtrëngimet. Kur e nxirrni frymën, lironi tërë presionin (lëshoni trupin nga koka te këmbët).
  2. Përqendroni fokusin te foshnja juaj që po lëviz poshtë e lartë, apo një imazh tjetër pozitiv.
  3. Merrni frymë ngadalë dhe leni shtrëngimet e barkut t’ju udhëzojnë nëse duhet të përshpejtoni apo ngadalësoni frymëmarrjen që ju të ndiheni më rehat. Kur nuk mund t’i rezistoni dëshirës për të shtyrë (kur “kërkohet” që ju të reagoni), merrni frymë thellë, bashkoni mjekrën me kraharorin, lakoni trupin tuaj dhe përkuluni përpara. Pastaj qëndroni e përkulur përderisa e mbani frymën apo e lëshoni ngadalë duke gulçuar apo duke lëshuar ndonjë zë (“huu” apo “fhuu”). Më e rëndësishmja është që të relaksoni bazën e legenit. Ndihmoni foshnjën që të zbresë poshtë duke liruar tërë tensionin rreth vaginës.
  4. Pas 5-6 sekondave, lëshoni frymën dhe pastaj merrni dhe nxjerrni frymën përsëri. Kur t’ju kaplojë dëshira për të shtyrë, reagoni duke u lëshuar poshtë dhe përkulur përpara. Ndjesia që keni do të përcaktojë se sa fort do të duhet të shtyni. Do të vazhdoni me këta hapa derisa shtrëngimet e barkut të ndalën. Dëshira për të shtyrë do të vijë dhe largohet shpesh gjatë shtrëngimeve. Përdorni këto pauza që të merrni frymë thellë në mënyrë që të furnizoni trupin dhe gjakun me oksigjen të mjaftueshëm për ju dhe foshnjën.
  5. Kur shtrëngimet të ndalen, relaksoni trupin tuaj, merrni frymë thellë dhe qetësohuni.

Pozitat dhe shtyrja

Pozitat për dhimbje të lindjës dhe shtyrje

Nuk ekziston një pozitë e cila është më e mira. Në fakt, shumica e femrave kanë tendenca që të ndryshojnë pozitat shpesh gjatë dhimbjeve të lindjës. Lejoni trupin tuaj të ju udhëzojë. Sugjerohet që të mos qëndroni e shtrirë për kohë të gjatë. Studimet kanë treguar që gratë të cilat kanë ecur dhe qëndruar drejtë gjatë periudhës së hershme dhe aktive të dhimbjeve të lindjës e kanë zvogëluar kohën e lindjës për një orë.

Nganjëherë, gjendja mjekësore do të ju tregojë se çfarë është më e mira për ju dhe foshnjën tuaj. Nëse keni komplikime të cilat kërkojnë monitorim të vazhdueshëm dhe ju duhet të qëndroni domosdoshmërisht në krevat me gjendjën tuaj tek përcillet në monitor, aftësia juaj për të lëvizur do të kufizohet dukshëm. Nganjëherë, ritmi i zemrës së foshnjës suaj do të ju tregojë se ajo preferon që të qëndrojë në njërën pozitë apo në tjetrën. 

Llojet e shtyrjës

Këtu janë të shpjeguara dy llojet kryesore të shtyrjës: Të Dirigjuara dhe Spontane. Shtyrja spontane ndodh kur ju ndiqni dëshirat natyrale të trupit, kur ju shtyni atëherë kur ju ndiheni gati, dhe në çfarëdo mënyre që ju e ndjeni se është më mirë për ju. Shumë gra e shohin këtë si metodën më të lehtë. Është e rëndësishme që ju të mos shtyni nëse nuk jeni hapur plotësisht dhe infermieret/mamitë do t’ju këshillojnë që në këtë rast ju duhet t’i rezistoni shtyrjës. Është e rëndësishme që ju të dëgjoni dhe ndiqni këshillat e dhëna nga infermieret/mamitë. Shtyrja e dirigjuar, është kur ju këshilloheni që të shtyni menjëherë pasi të jeni hapur plotësisht, në fillim të çdo shtrëngimi të barkut, pa marrë parasysh a e ndjeni apo jo nevojën për të shtyrë. Poashtu mund të merrni këshilla se si të shtyni. Është shumë e rëndësishme që të mos keni frikë. Faza e shtyrjës tregon pothuajse përfundimin e lindjës suaj. Shumë gra thonë se ato ndihen mirë dhe shtyrja i bën të ndihen shumë më të lehtësuara.

Image

 

 

Image

Komplikimet

Komplikimet gjatë lindjës vaginale janë mjaft të rralla, por ato mund të ndodhin. Është mirë që ju t’i kuptoni disa nga procedurat mjekësore që mjeku mund t’i bëjë për të ndihmuar në lindjën e sigurtë të foshnjës suaj:

  • Induktimi dhe stimulimi – kjo mund të ndodhë kur: 1) Dhimbjet e lindjës vonohen (kur dhimbjet e lindjes nuk fillojnë apo rriten vetvetiu); 2) Testet tregojnë që placenta nuk po funksionon si duhet, keni sasi të vogël të lëngut amniotik, apo foshnja juaj nuk po lëviz mjaftueshëm. 3) Ju vuani nga para-eklampsia; 4) Ju keni ndonjë sëmundje kronike apo akute që rrezikon shëndetin tuaj apo të fëmijës suaj; 5) Ju keni lindur foshnje të vdekur. Ju nuk duhet të induktoheni para javës së 41-të përveç nëse ka një arsye të shpjegueshme mjekësore. Mjeku mund të përdorë medikamente apo teknika të tjera për të përshpejtuar fillimin e dhimbjeve të lindjës. Disa nga metodat që ju mund t’i bëni në shtëpi për të përshpejtuar fillimin e shtrëngimeve të barkut përfshijnë ecjen, marrëdhëniën seksuale me spermë dhe stimulimin e gjinjve.
  • Metodat e lindjës së ndihmuar – kjo mund të ndodhë për shkak se foshnja është e madhe apo ajo duhet të lindë sa më shpejtë. Këto teknika përfshijnë:
    • Episiotomia: një çarje perinale në mes të vaginës dhe vrimës anale.
    • Nxjerrja me anë të pincës: një pajisje që duket si dy lugë apo gjuhë që butësisht kapë kokën e foshnjës dhe e kthen atë apo e tërheq foshnjën jashtë.
    • Nxjerrja me vakum: një pajisje në formë të filxhanit që bën një thithje të butë në maje të kokës së foshnjës e cila parandalon foshnjën të lëvizë prapë lartë ndërmjet shtrëngimeve të barkut dhe ndihmon nënën përderisa ajo shtyn.
  • Prerja cezariane emergjente – kjo ndodh në situatat kur nëna apo/dhe foshnja është në rrezik të menjëhershëm dhe lindja vaginale nuk është e sigurt për foshnjën.  

 

 

 

 

Category: Si ndjeheni dhe si ta përballoni

Ligjërata mbi temën Lindja

Ne ofrojmë ligjërata pa pagesë nëpër Kosovë në qendrat tona Klasat për Nëna (Qendrat Informuese për Shëndetin e Gruas).

Gjeni qendrën ligjëruese tuajën më të afërt këtu.

Ligjërata pa pagesë

Keni pyetje?

Pyetje specialistit