Mitet

Ju po hani për dy persona. Mit!

Na vjen keq zonja, ju duhen vetëm 300 kalori më tepër në ditë, kështu që përpiquni që mos ta teproni me ushqime (sidomos ushqime me shumë sheqer), sepse ju mund të fitoni shumë peshë e cila rrezikon rritjen diabetit, dhembjeve të shpinës dhe presionit të lartë të gjakut (e cila ndodh më shumë në lindjet e parakohshme).  Mesatarisht, gratë fitojnë 10-12 kg gjatë shtatzënisë.

Kafeina është e ndaluar. Mit!

Ju nuk keni pse ta ndaloni komplet kafeinën, vetëm përpiquni që të mos pini më shumë se një filxhan në ditë. Duke limituar sasinë e kafeinës ju do të pushoni më mirë.

Gratë shtatzëna nuk duhet të hanë peshk. Mit!

Peshku i gatuar mirë, peshku me sasi të ulët të merkurit (si salmoni, tilapia, karkaleci, tuna, kod, dhe mustaku) janë të mira për t’u ngrënë, kur ju jeni shtatzënë, pasi ato do të ndihmojnë në zhvillimin e foshnjës. Ka disa kufizime kur të hani peshk: a) mos hani peshk që ka sasi të lartë të merkurit, si peshku shpatë, peshkaqen, dhe mbreti skumbri; dhe, b) mos hani peshk të pagatuar pasi kjo mund të bart bakteret që mund të dëmtojnë shëndetin fëmijës tuaj.

Duhet të ndaloni gji-dhënien nëse jeni shtatzënë. Mit!

Nuk ka asnjë arsye mjekësore për të ndaluar gji-dhënien kur jeni shtatzënë. Përjashtim bëjnë shtatzënitë me rrezik të lartë kur gjiri lëshon oksitocinë, i cili mund të shkaktoj  kontraktime, por juve gjithashtu ju kanë thënë që të mos kryeni marrëdhënie seksuale dhe të flini në një krevat tjetër. Shumë gra vazhdojnë t’i japin gji fëmijës  tjetër gjatë shtatzënisë dhe pas lindjes. Gjoksi (thimthat) tuaja mund të jenë më të ndjeshme dhe furnizimi gjinjëve me  qumësht mund të bjerë për shkak të ndryshimeve hormonale.

Ju nuk mund të prekni kafshë, dhe sidomos macet kur jeni shtatzënë. Mit!

Nuk ka asnjë problem nëse ju ledhatoni ose përqafoni ndonjë kafshë, fëmija juaj nuk do lind me gjemba në lëkurën e tij/saj. Megjithatë, është mirë që të mos e pastroni kutinë e mbeturinave të maces sepse fekalet e maces mund të jenë toksike, dhe mund të ndikojnë në shëndetin bebes suaj.

Ju nuk duhet të kryeni marrëdhënie seksuale/ të bëni ushtrime/ t’i ngritni duart sipër kokës/ dhe t’i prekni gishtat e këmbëve me duar kur jeni shtatzënë. Mit!

Përderisa nuk keni një gjendje të veçantë mjekësore dhe mjeku juaj ju paralajmëron kundër kësaj, ju nuk do ta lëndoni beben tuaj dhe kordoni i kërthizës nuk do të mund të përfundoj në qafën e bebes tuaj dhe t’a rrezikojë jetën e tij/saj kur bëni këto aktivitete.

Losionet parandalojnë shenjat (strijat). Mit!

Të pasurit strija/shenja kryesisht ka të bëjë me kolagjenin e juaj dhe elasticitetin e lëkurës suaj; kjo është diçka që ju e keni  të trashëguar nga prindërit tuaj. Është mirë që gjatë shtatzënisë ta lyeni barkun me losion për të parandaluar kruarjet, por mos e teproni sepse mund të ju jap skuqje në lëkurë.

Gratë shtatzëne nuk mund t’i ngjyrosin flokët. Mit!

Ngjyrosja e flokëve është proces i sigurt pasi që lëkura thith një sasi shumë të vogël të ngjyrës. Ndonjëherë amoniaku në ngjyrat e përhershme  mund të shkaktojë vjellje kështu që nëse kjo ndodh, kaloni në ngjyra gjysmë të përhershme.

Nëse ju sëmureni, fëmija do të sëmuret gjithashtu. Mit!

Pak infeksione kalojnë placentën, kështu që edhe në qoftë se ju sëmureni nga një virus në stomak kjo nuk do të thotë që fëmiu juaj do lind me sëmundje. Infeksionet më të zakonshme në tremujorin e parë janë infeksionet e kanaleve urinare, të sistemit respirator dhe gripit në stomak.  Ndërsa këto zakonisht nuk ndikojnë në fëmijën tuaj, konsultohuni me mjekun tuaj; infeksionet e traktit urinar mund të çojnë në infeksione të veshkës, kështu që ju duhet t’a trajtoni atë me antibiotik.

Nuk është e sigurt për të udhëtuar me aeroplan kur jeni shtatzënë. Mit!

Linjat ajrore mund të kenë kufizime në lidhje me fluturimin e grave shtatëzëne në tremujorin e fundit, mirëpo kjo ndodhë vetëm sepse ata nuk duan që ju të lindni në aeroplan dhe jo pse fluturimi dëmton fëmijën tuaj. Konsultohuni me kompaninë ajrore përpara se të hipni në aeroplan, sepse mund të ju duhet një vërtetim nga mjeku juaj.  Disa gra shtatzëna, si ato me probleme në mushkëri ose në zemër, nuk duhet të fluturojnë pa miratimin e mjekut. Gjithashtu, skanerët e trupit të sigurisë në aeroport nuk do të dëmtojnë fëmijën tuaj. 

Coca-Cola dhe çokollata do të ndihmojnë në lindje. Mit!

A nuk do të ishte mirë në qoftë se kjo do ishte e vërtetë? Por kjo thjesht nuk është e vërtetë, edhe pse këto të dyja mund t’ju bëjnë që të ndiheni mirë për pak kohë, kafeina dhe sheqeri do t’ju dehidrojnë, gjë që nuk është e mirë as për ju e as për beben tuaj. Ka disa ide të tjera më të pranueshme në lidhje me këtë temë. Njëra është vaji i ricinit (castor), por konsultohuni me mjekun tuaj më parë, sepse ky vaj mund t’ju jap diarre. Nëse zona e mitrës tuaj tashmë ka filluar të zbutet ju mund të provoni të ecni dhe të kryeni marrëdhënie seksuale(sperma e burrit tuaj ndihmon për ta zbutur dhe zgjeruar qafën e mitrës tuaj, ku orgazmat tuaja do ndihmojnë në përshpejtimin e funksioneve të mitrës). Stimulimi gjoksit (thimthave) mund të sjellë lindje më të lehtë sepse gjatë stimulimit lëshohet hormoni oxytocin, megjithatë ky është një proces i ngadaltë ngaqë ju duhet të bëni atë për një orë, tre herë në ditë.

Shpërthimi i ujërave do të thotë që fëmija do vijë shumë shpejt, Mit!

Jeta e vërtetë nuk është si në filma ku në momentin që shpërthejnë ujërat, gruaja menjëherë arrin në spital dhe lind pas disa minutave. A nuk e duam të gjithë këtë mrekulli! Mirëpo, vetëm 10-15% të grave ju shpërthejnë ujërat para se të lindin. Shumicën e kohës kontraktimet fillojnë shumë më herët. Nëse kontraksionet nuk fillojnë para se të shpërthejnë ujërat, ato zakonisht fillojnë brenda 12-24 orëve. Thirrni mjekun tuaj në telefon kur ju shpërthejnë ujërat për të konfirmuar kohën dhe siguroni që t’ja tregoni mjekut ngjyrën e ujit. Ju duhet të shkoni në spital brenda 24 orëve të ardhshme pasi të kenë shpërthyer ujërat.

Lindja fillon atëherë kur ju rrjedh tapa mukoide, Mit!

Tapa mukoide është shfaqja e një cipe gjaku me ngjyrë më të butë, por kjo nuk do të thotë që do lindni. Tapa mukoide zakonisht shfaqet 1-7 ditë para se të shpërthejnë ujërat, ose nganjëherë në kohën e njëjtë. Ju mund ta mos e vëreni kur del tapa mukoide, por kjo është më se normale.

Prerja cezariane (lindja me operacion) është më pak e dhimbshme se lindja vagjinale. Mit!

Ju mund të ndjeni shumë pak dhimbje, por pas operacionit ju mund të ndjeni dhembje dhe parehati sidomos kur medikamentet përfundojnë efektin e tyre ose shkaktojnë efekte anësore. Shërimi i juaj nga lindja me operacion do të jetë më i gjatë dhe do ju duhet të merrni medikamente për dhimbje.  Po ashtu, do të keni vështirësi të kapni gjëra nga toka, ta ushqeni fëmijën tuaj të porsalindur si dhe të përkujdeseni për fëmjët e tjerë që mund të kenë nevojë për më shumë vëmendje si rrjedhojë e anëtarit të ri të familjes.

Nëse e keni pjesën e legenit të gjërë atëherë do keni lindje më të lehtë. Mit!

Të lindësh një fëmijë nuk ka të bëjë asgjë me pamjen e jashtme të një gruaje. Disa mund të duken të gjëra, por zona e pelvikut prapë mund të jetë e vogël, gjë që e vështirëson shumë lindjen. Doktori është i vetmi person që mund ta tregoj saktë madhësinë e zonës së pelvikut. Teoria e njejtë është edhe për gratë të cilat e kanë legenin e ngushtë në pamje, ndërsa në të vërtetë ato mund ta kenë zonën e pelvikut të madhe, dhe kjo nuk do të thotë se kanë nevojë për prerje cezariane.

Lindja juaj do të jetë si e nënës suaj. Mit!

Kjo nuk është e vërtetë. Përderisa ju keni shancën 50/50 për të pasur formën e legenit (zonën e pelvikut) të njejtë si të nënës suaj, ka shumë faktor të tjerë që mund ta bëjnë përvojën tuaj krejtësisht ndryshe. Edhe nëse nëna juaj ka patur prerje cezariane, nuk do të thotë se ju do të keni nevojë për një të tillë.

Lindja e një vajze është më e vështirë sesa lindja e një djali. Mit!

Seksi i fëmijës nuk bën asnjë ndryshim në vështirësinë e lindjes tuaj.  Lindja e vështirë shkaktohet  vetëm nga pozicioni i fëmijës kur ai/ajo zbret përgjatë kanalit të lindjes, në rast se fëmija është shumë i madh, ose nëse nëna ka anomalitë e legenit (duke përfshirë edhe një legen të ngushtë).

Gjithashtu, çdo person percepton dhimbjen ndryshme, kështu që ajo që është e dhimbshme për disa mund të jetë e tolerueshme për të tjerët.

Shtrirja gjatë lindjes do ta bëjë atë më të lehtë. Mit!

Në fakt e kundërta e kësaj teorie është e vërtetë. Shtrirja në shpinë nuk është aspak lehtësuese; provo të ecësh dhe të ndërrosh pozicionet për të bërë lindjen më të lehtë.

Lindja patjetër se do të jetë jashtëzakonisht e dhimbshme. Mit!

Lindja është e ndryshme për çdo grua, disa e përjetojnë me kënaqësi ndërsa disa përjetojnë pa rehati e disa kanë dhimbje ekstreme. Frika rrit tensionin; tensioni intensifikon dhimbjet dhe dhimbjet prodhojnë ankth shtesë që të çon në frikë. Ju mund ta theni e ta shmangni këtë cikël përmes njohurive adekuate dhe teknikave  të relaksimit, të cilat reduktojnë perceptimin  dhe ndjenjat e dhimbjes.

Ju nuk duhet ta mbani fëmijën tuaj lëkurë-në-lëkurë menjëherë pas lindjes. Mit!

Të gjitha spitalet në Kosovë duhet të lejojnë nënat të mbajnë fëmijën e tyre lëkurë-në-lëkurë menjcherë pas lindjes, natyrisht vetëm nëse nuk ka ndonjë ndërlikim me fëmijën ose nënën. Përfitimet e mbajtjes së fëmijës lëkurë-në-lëkurë menjëherë pas lindjes janë të jashtëzakonshme.  Ajo e lejon fëmijën të ruaj temperaturën e trupit më mirë se në një inkubator; ndihmon fëmijën të mbajë normën normale të rrahjeve të zemrës, normën e frymëmarrjes dhe presionit të gjakut; fëmija është më i lumtur dhe ka më pak gjasa për të qarë; fëmija ka më shumë gjasa për gji dhënie më të gjatë; fëmija mund ta kuptoj më mirë nënën e sidomos në kohën e ushqimit, si dhe fëmija ka shumë më pak gjasa për të zhvilluar alergji, sepse ai merr të njëjtat baktere nga ju.

Shikoni se si funksionon kjo në vegëzën e dhënë këtu.

Ushqyerja me qumësht gjiri shkakton bën që gjinjtë të qëndrojnë më të varur si dhe të zvogëlohen. MIT!

Është shtatzënia, jo gjidhënia që shkakton ndryshimin e madhësisë së gjoksit, dhe formën e tyre pas lindjes. Mënyra më e mirë për të parandaluar varjen e tyre është që gjatë dhe pas shtatzënisë të përdorni sytjena të përshtatshme.

Do të ju duhet të ndaloni ushqyerjen me qumësht gjiri nëse ngeleni shtatzënë. MIT!

Nuk ka asnjë arsye mjekësore që të ndaloni ushqyerjen me qumësht gjiri kur jeni shtatzënë. Përjashtim bën rasti i shtatzënisë me rrezik të lartë, pasi që gjidhënia liron oksitocinën që mund të shkaktojë shtrëngime të barkut (kontraksione); ky do të jetë rast i njejtë në të cilin do të këshilloheni të mos keni seks dhe të qëndroni e shtrirë të shumtën e kohës. Shumë gra e vazhdojnë ushqyerjen me qumësht gjiri të fëmijës së tyre paraprak edhe gjatë shtatzënisë edhe pas lindjes. Në këtë rast, maja e gjirit (thithka) mund të bëhet më e ndjeshme dhe prodhimi i qumështit mund të zvogëlohet për shkak të ndryshimit të hormoneve.

Ju duhet të pastroni thithkat tuaja para se foshnjën ta ushqeni me qumësht gjiri. MIT! 

Ushqyerja me qumësht gjiri ka vetvetiu veti anti-bakteriale, për dallim nga të ushqyerit me qumësht me formulë me ç’rast ju duhet të sterilizoni gjithçka. Nuk ka nevojë të pastroni thithkat tuaja para ushqyerjes me qumësht gjiri pasi që kjo mund t’i fshijë vajrat mbrojtës.

Shumë gra nuk mund të prodhojnë qumësht gjiri të mjaftueshëm për foshnje. MIT!  

Pjesa më e madhe e grave prodhojnë më shumë se mjaftueshëm qumësht gjiri. Në rast se foshnja nuk fiton peshën e mjaftuar, problem mund të jetë kapja jo e mirë e saj që ndikon në mos-marrjen e qumështit të mjaftueshëm për të.

Gjinjtë e nënës nuk mund të prodhojnë qumësht të mjaftueshëm gjatë ditëve të para të paslindjes MIT! 

Kjo mund të duket, mirëpo foshnja në ditët e para pas lindjes ka nevojë për sasi të vogla të qumështit, që në fillim quhet kulloshtër dhe e cila është tejet e rëndësishme dhe e shëndetshme. Mirëpo, foshnja duhet të kapet mirë që të marrë kulloshtër, sepse nëse nuk kapet mirë, foshnja mund të ushqehet për orë të tëra dhe prapë të jetë e uritur.

Nuk ka ndonjë mënyrë për të ditur se sa qumësht gjiri foshnja po merr. MIT!

Ka forma shumë të qarta për të parë nëse foshnja po merr qumësht të mjaftueshëm: 1) Forma me të cilën foshnja thithë qumështin është duke hapur dhe mbyllur gojën me pauza ndërmjet. 2) Ndotja e pelenave. 3) Foshnja duket e kënaqur dhe e relaksuar pas ushqyerjes. 4) Foshnja e rifiton peshën e lindjes brenda dy javëve.

Në qoftë se foshnja nuk ushqehet me qumësht gjiri për disa ditë apo javë, nëna nuk duhet të rifillojë ushqyerjen me qumësht gjiri sepse qumështi thartohet. MIT!

 Qumështi do të ketë të njëjtin kualitet si më parë.

Ushqyerja me shishe është më e lehtë se sa ushqyerja me qumësht gjiri. MIT

Ushqyerja me shishe përfshin shpenzimet për blerjen e shisheve dhe formulës, mundin për pastrimin dhe sterilizimin e çdo pjese si dhe kohën për ngrohjen e qumështit. Sidoqoftë, ushqyerja me qumësht gjiri mund të jetë e vështirë nëse nuk keni ndihmën e duhur për të filluar mbarë këtë proces. Edhe pse ushqyerja me qumësht gjiri është më e ndërlikuar në fillim, ajo zakonisht bëhet më e lehtë me kalimin e kohës.

Foshnja që ushqehet me qumësht gjiri ka nevojë për më shumë ujë gjatë motit të nxehtë. MIT

Qumështi i gjirit përmban të gjitha lëngjet për të cilat foshnja ka nevojë.

Nëse nëna është e sëmurë, ajo duhet të ndalojë gjidhënien. MIT

Me shumë pak përjashtime, vazhdimi i gjidhënies kur nëna është e sëmurë, do t’a mbrojë foshnjën. Kur nënës t’i shfaqen simptomat, ajo tashmë do t’i ketë kaluar infeksionin foshnjës. Prandaj, mbrojtja më e mirë e foshnjës nga infeksioni është vazhdimi i të ushqyerit me qumështin e gjirit të nënës së saj. Nëse foshnja sëmuret, ajo do të jetë më pak e sëmurë nëse vazhdon të ushqehet me qumësht gjiri.

Të gjitha gratë menjëherë lidhen me fëmijën e tyre . Mit !

Përderisa shumë gra në fakt e përjetojnë ndjenjën e mrekullueshme të dashurisë dhe lumturisë pas lindjes si dhe krijojnë një lidhje të menjëhershme me fëmijën e tyre, disa gra kanë nevojë për më shumë kohë për tu adaptuar me idenë e të qenurit nënë dhe krijimit të lidhjes së veçantë me fëmijën e tyre. Një mënyrë e mirë që ndihmon në krijimin e kësaj lidhje është të praktikoni mbajtjen lëkurë-në-lëkurë.

Të ushqyerit me gji vjen natyrshëm për të gjitha gratë . Mit !

Kjo mund të jetë gjëja më e natyrshme në botë, por të ushqyerit me gji nuk vie natyrshëm për të gjitha gratë. Shumë prej tyre kanë vështirësi në fillim, kryesisht me sigurimin e një kapje të saktë të foshnjës për t’u ushqyer me gji, (për të shmangur dhimbjen ose dëmtimin e thimthkës) dhe kanë shqetësime për fëmijë mjaft qumësht .

Ndryshimet e menjëhershme në disponim pas lindjes (Bebi Blus) dhe Depresioni Paslindjes  janë të njëjta. Mit!

Ato janë shumë të ndryshme nga njëra-tjetra. Bebi Blus është shumë e zakonshme ku rreth 80% e nënave të reja vuajnë prej këtij çrregullimi duke përjetuar ulje dhe ngritje emocionale. Bebi Blus zakonisht zgjat 2 deri në 3 javë pas lindjes dhe pas kësaj periudhe largohen vetvetiu. Ndërsa Depresioni i Paslindjes, i cili prek rreth 15% e nënave të reja, mund të ndodhë në çdo kohë brenda vitit të parë të lindjes dhe nuk shërohet pa trajtim. Depresioni i paslindjes duhet të merret seriozisht; këtu ju mund të mësoni më shumë në lidhje me këtë temë.

Të qënurit nënë do të thotë që ju keni për të dashur gjithçka në lidhje me të (amësinë). Mit!

Është në rregull të mos duash netët pa gjumë, pelenat e ndotura, dhe të qarat e të ulëriturat e “engjëllit  tuaj”. Kjo nuk do të thotë që ju nuk e doni fëmijën tuaj ose të qenit një nënë, thjesht do të thotë që ju jeni normale. Pra, mos jini shumë kritike me veten, sepse pa diksutim, të rrisësh një fëmijë është punë e rëndë! 

Të gjitha nënat janë të shqetësuara, me mungesë gjumi, janë shumë emocionale dhe të mbingarkuara. Mit!

Po, amësia shpesh mund të përfshijë të gjitha këto simptoma e sidomos në muajt e parë pas lindjes, por nuk është normale të ndiheni kështu në pjesën më të madhe të kohës.  Nëse vazhdon kjo ndjenjë për një kohë të gjatë atëherë ju mund të vuani nga depresioni pas lindjes. Mësoni këtu se çfarë duhet të bëni.

Ju dhe fëmija juaj nuk duhet të dilni jashtë për gjashtë javë pas lindjes. Mit!

Përderisa kjo nuk është domosdoshmërisht e vërtetë, ju dhe fëmija juaj pas lindjes jeni shumë të ndjeshëm ndaj infeksioneve dhe baktereve.

Fëmija juaj ka një sistem imunitar të papjekur. Andaj, përderisa është ide e mirë për ju dhe fëmijën që të merrni ajër të pastër jashtë, sigurohuni që ju të merrni masa paraprake: qëndroni larg nga turmat e njerëzve dhe njerëzit e sëmurë, si dhe sigurohuni që të tjerët që t’i pastrojnë duart me sapun para se të prekin fëmijën tuaj.

Në Kosovë, gratë gjithashtu thonë se nuk mund të lënë fëmijën e tyre vetëm, qoftë edhe për një minutë të vetëm, posaçërisht në 40 ditët e para të jetës. Kjo nuk është gjithmonë praktike, kështu që nëse keni nevojë të largoheni për disa minuta, vetëm vendoseni beben në një pozitë të sigurt.

Vendi më i sigurt për fjetur fëmia im është në shtratin tim. Mit!

Vendi më i sigurt për fëmijën të flejë është në shpinë të tij, në një krevat posaçërisht për të në dhomën tuaj. Kjo redukton në masë të madhe Sindromën e Vdekjes së Papritur të Fëmijëve( SIDS). Rreth gjysma e të gjitha vdekjeve SIDS ndodhin kur fëmija e ndan krevatin, karrigen ose divanin me një person tjetër. Pra, nëse fëmija juaj fle në krevat të njëjtë me ju sigurohuni ta bëni këtë në mënyrën e duhur. Këtu ne ju japim disa udhëzime.

Mbuloja foshnjës fytyrën për ti mbajtur larg shpirtrat e këqij. Mit!

Ky mund të jetë bestytni e familjes por nuk është aspak e vërtetë. Po ashtu, nuk është e vërtetë që fëmija juaj do të rritet e do të bëhet i ligë  nëse nuk mbulohet fytyra. Ju nuk duhet të mbuloni fytyrën e foshnjës, sidomos kur është duke fjetur, pasi kjo rrit rrezikun e Sindromës së Vdekjes së Papritur të Fëmijës (SIDS).

Lindja e një djali e bën nënën që të jetë më të shëndoshë. Mit!

Gjinia e fëmijës suaj nuk ndikon në peshën tuaj pas lindjes. Gjërat që ndikojnë janë sasia dhe lloji i ushqimit që hani, nëse stërviteni dhe në qoftë se ju ushqeni fëmijën tuaj me gji. Shumicës së nënave të reja ju duhen 6-12 muaj të kthehen në peshën e tyre të para-shtatzënisë.

Ju do ta llastoni fëmijën tuaj duke e kapur gjithmonë në krahë kur qanë. Mit!

Kjo nuk është e vërtetë; ju nuk mund ta llastoni një fëmijë në muajt e parë. Studimet kanë gjetur se foshnjet të cilat janë mbajtur më shumë në krahë qajnë më pak. Ata fëmijë gjithashtu bëhen më të pavarur sipas një studimi nga Universiteti Johns Hopkins, njëra nga institucionet kryesore të Shëndetit Publik në botë. 

Category: Mjetet

Mjetet

Ligjërata mbi temën Ballina

Ne ofrojmë ligjërata pa pagesë nëpër Kosovë në qendrat tona Klasat për Nëna (Qendrat Informuese për Shëndetin e Gruas).

Gjeni qendrën ligjëruese tuajën më të afërt këtu.

Ligjërata pa pagesë

Keni pyetje?

Pyetje specialistit