UNË NUK E DI NËSE MUND TË MBETEM SHTATZËNË

Material i ofruar me mirësjellje nga March of Dimes (i përshtatur për Kosovën)

Çfarë është ovulimi?

Ovulimi ndodh kur vezoret e një femre lirojnë një vezë, zakonisht 14 ditë para ditës së parë të ciklit menstrual të saj. Kur një çift ka marrëdhënie seksuale dhe nuk e përdor kontrollin e lindjes rreth kohës së ovulimit, spermatozoidi i një mashkulli noton për ta takuar vezën e femrës. Procesi i depërtimit të spermatozoidit në vezë quhet fekondim ose ngjizje. Veza e fekonduar (embrioni) pastaj udhëton për në mitrën e gruas, ku implantohet në murin e mitrës dhe fillon të rritet.

Si mund ta di unë periudhën time të ovulimit?

  1. Në qoftë se ciklet tuaja menstruale janë të rregullta (paraqiten në të njëjtën datë, çdo muaj): kalkulatori i ovulimit AMC mund të ju ndihmojë juve që t'i gjeni ditët në të cilat ju keni më shumë gjasa për të ovuluar. Ky kalkulator përdor datën e parë të ciklit tuaj të fundit menstrual dhe numrin e ditëve në mes të cikleve tuaja menstruale. Datat e ovulimit janë një llogaritje. Koha më e mirë për të pasur marrëdhënie seksuale është dy ditë përpara dhe në ditën e ovulimit. Sa më shpesh që keni marrëdhënie seksuale gjatë kësaj kohe, gjasat për të mbetur shtatzënë janë më të mëdha. http://www.marchofdimes.org/pregnancy/ovulation-calculator.aspx

Për shembull:

  • Nëse janë 28 ditë në mes të cikleve menstruale, ovulimi zakonisht ndodh në ditën e 14, dhe ditët me shkallë më të lartë të fertilitetit janë ditët 12, 13 dhe 14.
  • Nëse keni cikle më të gjata, të themi 35 ditë në mes të cikleve menstruale, ovulimi ndodh në ditën e 21 dhe ditët me shkallë më të lartë të fertilitetit janë ditët 19, 20 dhe 21.
  • Nëse keni cikle më të shkurtra, të themi 21 ditë në mes të cikleve menstruale, ovulimi ndodh në ditën e 7 dhe ditët me shkallë më të lartë të fertilitetit janë ditët 5, 6, dhe 7.
  1. Në qoftë se ciklet tuaja menstruale nuk janë të rregullta (numri i ditëve ndryshon çdo muaj): Ekzistojnë disa metoda të gjurmimit të fertilitetit që mund t’ju ndihmojnë të përcaktoni periudhën tuaj të ovulimit. Këto metoda janë radhitur më poshtë. Është e rëndësishme që të bisedoni me mjekun tuaj për të mësuar më shumë lidhur me mënyrën më efektive për përdorimin e këtyre metodave.
  • Metoda e temperaturës: Përdorni një termometër bazal për të matur temperaturën e trupit çdo ditë para se të ngriheni nga shtrati. Ky është termometër që mund të masë ndryshimet më të vogla të temperaturës suaj. Një termometër i tillë mund të gjendet në farmaci. Temperatura juaj gjatë ovulimit ngrihet për rreth një shkallë. Gjatë kësaj ngritjeje të temperaturës, kini sa më shume marrëdhënie seksuale që është e mundur, në mënyrë që të keni sa më shumë mundësi të mbeteni shtatzënë.
  • Metoda e mukozës së qafës së mitrës: Kushtojini vëmendje mukozës në vaginën tuaj. Ajo bëhet më e hollë, më e rrëshqitshme, më e pastër dhe më e bollshme pak para ovulimit.
  • Pajisja për parashikimin e ovulimit: Pajisjet për parashikimin e ovulimit testojnë urinën për substancën e quajtur hormon lutenizues (LH). Prezenca e këtij hormoni rritet çdo muaj gjatë ovulimit dhe është shkaktar që vezoret të lirojnë vezë. Pajisja do t’ju tregojë nëse LH është duke u rritur apo jo. Pajisjet për parashikimin e ovulumit mund t'i blini në farmaci.

Në qoftë se ju përdorni metodën e temperaturës apo të mukozës së qafës së mitrës, filloni të përcillni ndryshimet disa muaj para se të dëshironi të mbeteni shtatzënë. Nëse përdorni pajisjen për parashikimin e ovulimit, filloni ta përdorni atë rreth 10 ditë pas fillimit të ciklit të fundit menstrual.

 

INFERTILITETI

Image

 

Në këtë pjesë do të gjeni informata në lidhje me:

  • Infertilitetin, shkaktarët e tij dhe opsionet e trajtimit në Kosovë
  • Shtatzënësitë e paplanifikuara dhe hollësitë rreth opsioneve dhe të drejtave tuaja, duke përfshirë birësimin dhe abortin.

Infertiliteti dhe opsionet e trajtimit

Nëse jeni përpjekur të mbeteni shtatzënë për mbi një vit (ose 6 muaj, nëse gruaja është mbi 35 vjeç dhe/ose nuk ka cikël të rregullt menstrual), mund të jenë në pyetje problemet me fertilitetin.  

Infertiliteti nuk është faji i askujt. Ai është një problem me sistemin riprodhues të gruas dhe/ose burrit. Nuk është vetëm problemi i gruas. Kërkimet kanë treguar që në rreth gjysmën e të gjitha rasteve, burri ishte shkaktari ose një shkak kontribuues i infertilitetit. Rrjedhimisht, është po aq e rëndësishme që burrat, ashtu si edhe gratë, të vlerësohen gjatë vlerësimeve të infertilitetit.

Infertiliteti është i zakonshëm. Statistikat për Kosovën nuk janë në dispozicion, por në SHBA pamundësia për të pasur fëmijë prek mbi 10% të popullsisë. Deri në 90% të rasteve trajtohen me barna ose operacion, ndërsa IVF dhe trajtime të ngjashme përbëjnë më pak se 3% të trajtimeve të infertilitetit.

Çfarë e shkakton infertilitetin?

Për të mbetur shtatzënë, gratë duhet të kenë vezore, tuba fallopian dhe mitër funksionale. Në shumicën e rasteve, infertiliteti femëror shkaktohet nga problemet me ovulim.

  • Funksioni i vezoreve – pa ovulim, nuk ka vezë për t’u fertilizuar. Simptomat kryesore të problemit me ovulim përfshijnë ciklet menstruale të parregullta ose që mungojnë. Funksioni i vezoreve mund të trajtohet në disa mënyra mjekësore, megjithatë është ide e mirë që të filloni të përcillni ciklin tuaj për të hetuar nëse dhe kur jeni duke ovuluar (shihni më poshtë për më tepër informata). Problemet e ovulimi zakonisht shkaktohen nga:
    • Sindromi policistik ovarian (PCOS) – mos balanca hormonale që pengon ovulimin normal. Ky është shkaktari më i zakonshëm i infertilitetit femëror.
    • Mosha – cilësia dhe numri i vezëve që prodhojnë vezoret zvogëlohet dukshëm mbi moshën 35 vjeçe.
    • Stili i jetës – p.sh. pirja e duhanit, të qenit mbipeshë ose nënpeshë, konsumimi i alkoolit ose kafeinës së tepërt, stresi, të ushqyerit e dobët dhe infeksionet seksualisht të transmetueshme (IST). Për shembull, në SHBA, deri në 13% e infertilitetit femëror shkaktohet nga pirja e duhanit, ndërsa 12% e rasteve të infertilitetit shkaktohen nga të qenit mbipeshë ose nënpeshë.
    • Faktorët e tjerë – përfshijnë pamjaftueshmërinë parësore ovariane (POI) që ndodh kur vezoret e një gruaje pushojnë së funksionuari normalisht para se ajo të mbushë 40 vjet.
  • Tubat fallopian – tubat e bllokuar ose të dëmtuar pengojnë spermën të arrijë vezën dhe arritjen e vezës në mitër. Nuk ka simptoma. Mjekët vlerësojnë problemet e tubave me anë të rentgenit ose kirurgjisë laparoskopike. Problemet me tubat zakonisht shkaktohen nga sëmundjet pezmatuese të pelvikut, IST-të, endometrioza ose operacionet për shtatzënësitë ektopike ose sterilizim.
  • Mitra – prania e fibroideve ose abnormalitë anatomike (forma e pazakonshme) ndikojnë në fertilitetin e një gruaje. Mjekët zakonisht vlerësojnë problemet e mitrës me anë të ultrazërit transvaginal.
  • Të tjera – Mukoza jonormale cervikale mund të shkaktojë probleme të fertilitetit pasi që mund të pengojë spermën të arrijë apo depërtojë vezën. Endometrioza, kur indet që zakonisht gjendet në murin e mitrës rriten jashtë mitrës, mund të shkaktojë probleme të fertilitetit nëse prek tubat fallopian apo vezoret.

Meshkujt duhet të kenë spermë që funksionon normalisht për ta lënë një grua shtatzënë. Specialisti e teston numrin e spermës, formën dhe lëvizjen për të parë nëse dhe si faktorët mashkullorë i kontribuojnë në infertilitetit. Mbi 90% e problemeve të fertilitetit mashkullor janë rrjedhojë e numrit dhe/ose cilësisë së ulët të spermës. Arsyet tipike të spermës jonormale përfshijnë:

  • Varicocelën, një venë e zgjeruar në testikuj.
  • Gjendjet mjekësore si diabeti, trauma, infeksioni, sëmundjet seksualisht të transmetueshme ose trajtimi i mëhershëm me kimioterapi.
  • Shprehitë e pashëndetshme të tilla si pirja e duhanit dhe abuzimi me substanca.
  • Ekspozimi ndaj toksinave mjedisore të tilla si plumbi dhe pesticidet.

Ndonjëherë të gjitha testet dalin normale dhe është e pamundur të përcaktohet shkaku i infertilitetit. Ai mund të jetë si pasojë e mënyrave të pa vërejtshme të funksionimit të spermës, të fertilizimit të vezës ose zhvillimit të folikulave ovariane. Fatkeqësisht, në këtë rast nuk ka opsione të trajtimit.

Opsionet e trajtimit të fertilitetit në Kosovë

Nëse testet tregojnë ndonjë abnormalitet te gruaja dhe/ose te burri, jo doemos kjo do të thotë që ndonjëri prej tyre është jofertil. Ka shumë mënyra për trajtimin e problemeve të fertilitetit, secila me përparësitë dhe mangësitë e veta (duke përfshirë efektet anësore), kostot dhe shkallën e suksesit. Zgjedhja e trajtimit të fertilitetit do të varet nga shkaqet e problemit (në rreth 25% të rasteve janë të përfshirë më tepër se një faktor). Kosova ka shumë klinika të fertilitetit që trajtojnë pacientë jo vetëm nga Kosova, por edhe nga shumë vende fqinje.

Çfarë duhet të dihet para fillimit të trajtimit të fertilitetit:

  1. Do të jetë e vështirë! Të përpiqesh të mbetesh shtatzënë me trajtime të fertilitetit mund të jetë vërtet e vështirë për shkak të pasigurisë dhe zhgënjimit të mundshëm, si dhe ndryshimeve hormonale të shkaktuara nga trajtimet hormonale. Ankthi dhe depresioni mund të jenë të zakonshëm. Gjithashtu, mund të duket si një punë me orar të plotë ose krejt për çfarë preokupoheni. Kështu që, para se të filloni, mendoni se si mund ta përballoni sfidën. Disa ide janë:
  • Jepini vetes leje të ndjeheni e mërzitur, e stresuar, e zemëruar, e mbingarkuar dhe/ose e humbur. Krejt kjo është normale. Është gjithashtu normale të fajësoni veten por mos e bëni këtë; problemi i fertilitetit nuk është faji juaj dhe, edhe nëse do të mund ta kishit ndryshuar të kaluarën, ajo tashmë ka mbetur prapa jush, kështu që përqendrohuni në të ardhmen.
  • Biseda me dikë që i besoni apo po kalon nëpër një situatë të ngjashme. Forumi ynë i vështirësive është një komunitet online ku njerëzit mund të flasin në mënyrë anonime dhe ta mbështesin njëri tjetrin. Nëse nuk ndjeheni rehat të flisni me dikë, provoni të hidhni ndjenjat tuaja në një ditar.
  • Kujdesi për veten duke bërë gjëra që ju gëzojnë dhe jua heqin mendjen nga fertiliteti. Nëse e keni të vështirë të rrini me miq që kanë bebe ose janë shtatzënë, kufizoni kontaktet me ta (nëse mund ta bëni pa u ndjerë keq, shpjegojuani atyre arsyen që të mund ta kuptojnë).
  • Ta kuptosh që bashkëshorti mund të ndjehet dhe veprojë ndryshe nga ju. Ai mund të mos mendojë rreth infertilitetit apo të ndjehet po aq i shqetësuar sa ju. Kjo është në rregull. Mirëpo është e rëndësishme që ta ndihmoni njëri tjetrin gjatë kësaj kohe pasi që trajtimet e fertilitetit rëndojnë edhe marrëdhëniet më të mira. Mundohuni t’i tregoni bashkëshortit se për çfarë mbështetjeje keni nevojë. Më e rëndësishmja, mos e fajësoni njëri-tjetrin për pamundësinë që të ngelni shtatzënë; “faji” nuk është i askujt.
  • Vënia e kufijve mbi sa gjatë do të provoni dhe sa do të paguani. Është e rëndësishme që të jeni optimistë lidhur me rezultatin, por realist lidhur me gjasat tuaja ashtu që të bëni zgjedhjet më të mira për familjen tuaj. Rreth një në tri gra që i nënshtrohen trajtimit të fertilitetit nuk do të kenë sukses në lindjen e një fëmije biologjik. Prandaj përgatituni duke lexuar informatat në këtë uebfaqe dhe në uebfaqe të tjera, si BabyCenter.
  1. Ka rreziqe. Janë disa rreziqet që ndërlidhen me trajtimet mjekësore të fertilitetit, të cilat duhet t’i bisedoni me mjekun tuaj. Kjo përfshin gjasat më të mëdha për shtatzënësi të shumëfishtë (p.sh., binjakë) që rezulton në shtatzënësi me rrezik më të lartë. Për më tepër, foshnjat e ngjizura me trajtime të fertilitetit zakonisht kanë më tepër probleme, të tilla si lindja e parakohshme, pesha e vogël në lindje dhe defektet në lindje. 
  2. Provoni fillimisht këto. Janë dy qasje kyçe jo mjekësore për të përmirësuar fertilitetin tuaj. Ato përfshijnë:
  • Të jeni të shëndetshëm – si burri ashtu edhe gruaja duhet ta ndërprejnë duhanin, të arrijnë peshë të shëndetshme, ta zvogëlojnë konsumimin e alkoolit dhe kafeinës, të ushtrojnë mesatarisht dhe të hanë mirë.
  • Ta njihni ciklin tuaj të ovulimit – ky është hapi i parë në vlerësimin e problemeve të fertilitetit femëror dhe mund të bëhet në shtëpi. Këtë e përcillni gjatë disa muajve duke: 1) Shkruar ndryshimet në temperaturën tuaj trupore në mëngjes; 2) Shkruar si duket mukoza juaj cervikale; dhe 3) Përdorur kompletin për testimin e ovulimit në shtëpi. Ne ju japin një udhëzues të hollësishëm hap pas hapi për përcjelljen e ovulimit tuaj këtu.

Opsionet e trajtimit mjekësor për gratë në Kosovë përfshijnë:

  • Terapia me barna – këto rregullojnë hormonet dhe bëjnë që të paktën një vezë të lirohet në çdo cikël të ovulacionit. Ato zakonisht përdoren për rreth 3-6 muaj para përpjekjes për të mbetur shtatzënë ose para se të provohen opsione të tjera të trajtimit. Zakonisht rreth një në tre gra mbesin shtatzënë brenda tre muajsh të përdorimit të këtij opsioni.
  • Operacioni – largon problemet duke hapur tubat e bllokuar fallopian apo duke larguar fibroidet.
  • Pllenimi brenda mitrës (IUI) – zakonisht i njohur si pllenimi artificial përfshin injektimin e gruas me spermë të përgatitur posaçërisht.
  • Teknologjia e riprodhimit të asistuar (ART) – përfshin të gjitha trajtimet ku veza dhe sperma trajtohen jashtë trupit. Vezët merren nga trupi i femrës dhe pastaj përzihen me spermë për të bërë embrione (ose vezë të fertilizuara). Embrioni/embrionet pastaj vendosen në trupin e femrës. Në rastet kur vezët e gruas nuk janë të shëndetshme ose gruaja nuk ka vezë, mund të përdoren vezët e dhuruara.

Opsionet e trajtimit mjekësor për burrat që janë në dispozicion në Kosovë përfshijnë:

  • Terapinë me barna – për çrregullimet hormonale.
  • Operacioni – për të rregulluar varicocelet dhe/ose për të korrigjuar bllokimet.
  • IUI – injektimi i gruas me spermë të përgatitur posaçërisht. Në rastet kur sperma e burrit është jo e shëndetshme ose mungon, mund të përdoret sperma e dhuruar.
  • ART – injektimi infra citoplazmik i spermës (ICSI) zakonisht përdoret me IVF për të rritur shkallën e suksesit dhe përfshin injektimin e një qelize të vetme sperme në një vezë, e cila pastaj vendoset në trupin e gruas. Edhe këtu mund të përdoret sperma e dhuruar.

Opsionet e tjera të ngjizjes

  1. Zëvendësimi – Për gratë që nuk kanë vezë ose i kanë të pashëndetshme apo që nuk duhet të ngelin shtatzënë për arsye shëndetësore. Nëna zëvendësuese pranon të jetë shtatzënë me spermën e burrit dhe vezën e saj. Për gratë që kanë vezore por jo mitër.
  2. Bartësja gestative – Për gratë që kanë vezore por jo mitër apo që nuk duhet të ngelin shtatzënë për arsye shëndetësore. Gruaja e përdor vezën e saj, e cila fertilizohet nga sperma e burrit dhe embrioni vendoset brenda mitrës së bartëses.

Birësimi

Megjithëse nuk është një alternativë e drejtpërdrejtë ndaj ngjizjes, birësimi ofron mundësinë për të rritur dhe për t’u kujdesur për një fëmijë. Megjithatë, para se ta mendoni këtë, është e rëndësishme që ju dhe partneri juaj të jenë emocionalisht të gatshëm për të vazhduar, prandaj merrni aq kohë sa ju duhet për të vuajtur dhe ndjerë humbje që nuk mund të mbeteni shtatzënë. Birësimet trajtohen në kuadër të Qendrës për Punë Sociale të komunës suaj, prandaj kjo duhet të jetë pikënisja juaj.

 

 

Category: Të mbetesh shtatzënë

Ligjërata mbi temën Vështirësitë

Ne ofrojmë ligjërata pa pagesë nëpër Kosovë në qendrat tona Klasat për Nëna (Qendrat Informuese për Shëndetin e Gruas).

Gjeni qendrën ligjëruese tuajën më të afërt këtu.

Ligjërata pa pagesë

Keni pyetje?

Pyetje specialistit