Shikoni videon Shtatzënia nga java   01-09 

Një shtatzëni zakonisht zgjat 40 javë, nëse numërimi fillon nga dita e parë e ciklit tuaj të fundit menstrual edhe pse, siç dihet, ju në atë kohë nuk keni qenë shtatzënë. Dita e parë e ciklit tuaj të fundit menstrual zakonisht i bie të jetë rreth dy javë para se ju të ovuloni dhe mbeteni shtatzënë. Numërimi bëhet në këtë mënyrë pasi që shumica e femrave nuk e dinë saktësisht se kur kanë ovuluar, por shumica e tyre e dinë se kur ka filluar cikli i tyre i fundit. Shtatzënia është e ndarë në tre tremujorë:

  • Tremujori i parë që përfshin javët 1-13,
  • Tremujori i dytë që përfshin javët 14-27 dhe
  • Tremujori i tretë që përfshin javët 28-40.

Vetëm rreth 5% e foshnjave lindin saktësisht në datën e tyre të paracaktuar; zakonisht ato lindin pak më herët apo pak më vonë. Kalkuloni këtu se në cilën datë do të lindë foshnja juaj.

Si po ndryshon trupi im dhe si po rritet foshnja ime?

Image
Image
Image

 

 
 
 

Pse ndihem kaq e sëmurë?

Rreth 75% e grave përjetojnë ndonjë lloj të sëmundjës së mëngjesit, e cila mund t’iu shfaqet në çdo kohë të ditës, madje nganjëherë edhe disa herë gjatë ditës. Të përzierat fillojnë rreth javës së gjashtë të shtatzënisë, por ato mund të fillojnë edhe që nga java e katërt. Zakonisht, kjo sëmundje bëhet edhe më keq gjatë muajit vijues. Shumica e femrave fillojnë të lirohen paksa nga të përzierat duke filluar nga java 14-20 e shtatzënisë, por ndonjëherë ndodh që kjo të rikthehet më vonë dhe prapë të largohet gjatë shtatzënisë. Zbatoni këto këshilla që të lehtësoni sëmundjen e mëngjesit:

  • Ushqehuni me racione të vogla, të shpeshta dhe të lehta gjatë ditës. Mbani ushqime të lehta me vete, siç janë biskotat.
  • Përpiquni të mos shtriheni pasi të hani.
  • Shmangni ushqimet dhe erëzat që mund t’ju sjellin të përziera dhe evitoni ushqimet e yndyrshme, të tharta (acidike) dhe djegëse (pikante).
  • Pini lëngje, sidomos mes vakteve të ngrëniës. Pini dy litra ujë në ditë. Nëse keni pasur të vjella të shumta, pini elektrolite/pije që përmbajnë jone (të cilën mund ta përgatisni vetë me 1 litër ujë, gjysmë luge çaji me kripë dhe 6 lugë çaji me sheqer).
  • Merrni ajër të pastër; dilni për shëtitje apo hapni dritarën.
  • Merrni vitamina gjatë shtatzënisë. Vitaminat i merrni gjatë vaktit (kur hani ushqim) apo pak para se të flini.  
  • Provoni të përdorni xhenxhefil që të qetësoni stomakun (grini xhenxhefil të freskët në ujë të nxehtë që të përgatisni çaj).
  • Merrni sa më shumë Vitamina B6 duke ngrënë banane, arra, bishtaja, karota, lulelakra, patate, mish pa dhjamë dhe peshk. Këtë vitaminë mund t’i merrni po ashtu me anë të shtesave të ndryshme të ushqimit.
  • Konsultohuni me mjekun tuaj se a janë të sigurta medikamentet në barnatore, për të cilat nuk nevojitet udhëzim prej mjekut pasi që shumë prej tyre nuk janë të sigurta gjatë shtatzënisë.

Për këshilla tjera se si të lehtësoni shqetësime tjera gjatë shtatzënisë, klikoni këtu.

Testet gjatë shtatzënisë

Sa më herët që vizitoni mjekun aq më mirë për ju, pasi që kjo do t’ju ndihmojë të përcaktohet se sa javë keni që jeni shtatzënë. Njëkohësisht, kjo do të ndihmojë që kujdeseni më mirë për vetën dhe foshnjën tuaj. Në vijim mund t’i gjeni disa ide se çfarë mund të pyesni në vizitën tuaj të parë te mjeku:

  • Sa peshë duhet të shtoj, duke marrë parasysh peshën e tanishme?
  • A duhet të bëj ushtrime, dhe nëse po, çfarë ushtrime dhe sa shpesh?
  • A mund të kem marrëdhënie seksuale gjatë shtatzënisë?
  • Cilat janë gjasat që të kem komplikime? Çfarë teste shtesë duhet të bëj?
  • Çfarë duhet të ha dhe pi dhe çfarë duhet të shmangë?
  • A janë të rrezikshme apo të sigurta medikamentet që jam duke i përdorur për momentin? Nëse jo, me çfarë mund t’i zëvendësoj? Cilat janë medikamentet që mund t’i marr pa recetë dhe që nuk janë të rrezikshme për zhvillimin e fetusit?
  • Cilat tretmane bukurie janë të pranueshme gjatë shtatzënisë, p.sh. lyerja e flokëve, manikyri etj.?
  • Çfarë simptomash duhet të pres dhe si mund t’i menaxhoj ato? Çka është normale gjatë kësaj faze të shtatzënisë, dhe për çfarë mundem t’ju kontaktoj?
  • Çfarë të bëj nëse unë ... Nuk ndihem mirë? Kam shtrëngime? Kam gjakderdhje? Kam temperaturë? Kur duhet t’ju kontaktoj apo të shkoj në spital?
  • Tashmë e kam pasur një lindje me prerje cezariane. A mund të kem lindje vaginale/natyrale?

Në vijim do të shihni se çfarë mund të prisni në një vizitë te mjeku gjatë tremujorit të parë të shtatzënisë:

6-13 javë:

  • Vizita te mjeku: mjeku ju pyet për herën e fundit që i keni pasur menstruacionet, nëse keni qenë shtatzënë më parë, nëse keni alergji, për probleme të mëhershme si abortet dhe sëmundjet kronike, historinë mjekësore familjare duke përfshirë sëmundjet gjenetike, shprehitë që mund të ndikojnë tek fetusi, si p.sh. konsumimi i duhanit, alkoolit dhe përdorimi i drogave. Bëhet matja e peshës dhe tensionit të gjakut.
  • Këshilla nga mjeku/mamia se si të kujdeseni për shëndetin tuaj, çfarë ushqimi të përdorni dhe të shmangni, për vitaminat që duhet të merrni gjatë shtatzënisë, shqetësimet që do t’i përjetoni, shenjat paralajmëruese që duhet t’i keni parasysh, çfarë teste tjera mund të bëni dhe ndryshimet normale që duhet t’i prisni deri në vizitën e ardhshme.
  • Kontrolli i legenit ku ekzaminohet struktura dhe merret një mostër për të kontrolluar nëse ka qeliza anormale.
  • Testet laboratorike për të kontrolluar gjakun (lloji i gjakut, sëmundjet gjenetike të fetusit etj.) dhe urinën (proteinat the nivelin e baktereve).
  • Ultrazë ku kontrollohet zhvillimi i fetusit (gestacioni/ngjizja dhe data e lindjës, madhësia, rrahjet e zemrës, shtypja e gjakut, anomalitë strukturore), shtatzënia e shumëfishtë, përcaktimi dhe skrinimi/ekzaminimi për sëmundje gjenetike.
*Numri i vizitave që ju duhet të bëni do të varet nga historia juaj mjekësore dhe nëse ka pasur komplikime që kërkojnë kontrolle dhe hapa të mëtutjeshëm. OBSH rekomandon që të bëhen së paku katër vizita gjatë shtatzënisë mes javëve 16, 24-28, 32, 36 të shtatzënisë për të evituar komplikimet e mundshme. Sidoqoftë, në shumë vende, gratë vizitojnë mjekun një herë në muaj, dhe një herë në javë gjatë muajit të fundit të shtatzënisë.
^Testi i gjakut së bashku me ultrazërin njihen si ekzaminim i kombinuar i tremujorit të parë, i cili ofron një vlerësim të rrezikut të fetusit që mund të ketë sindromin Down, si dhe probleme të tjera kromozomale dhe defekte në lindje. Këto teste nuk janë të detyrueshme; mund të vendosni që mos t’i bëni këto teste. Këto teste nuk janë definitive por mund të ofrojnë shenja që tregojnë se fetusi mund të ketë defekt gjenetik. Ka dy teste diagnostike që ofrojnë një rezultat të caktuar: 1) Marrja e mostrave për testin Chorionic villus (një test i bërë në shtatzëninë e hershme nëpërmjet të cilit mund të zbulohen anomalitë kongjenitale në fetus), që bëhet në javët 11-12; ose 2) Amniocenteza (ekzaminim për të shikuar nëse ka anomali në zhvillim të fetusit), që bëhet në javët 16-20. Këto teste janë invazive (futja e një tubi, kateteri, për të marrë një vështrim nga afër) dhe zakonisht kanë një rrezik të vogël të dështimit të shtatzënisë, kështu që ato zakonisht bëhen vetëm kur gruaja shtatzënë mund të ketë rrezik më të lartë të problemeve gjenetike apo kromozomale. Mjeku juaj do t’ju këshillojë nëse një test invaziv është i nevojshëm, por prapëseprapë ky test nuk është i detyrueshëm dhe vendimi për të bërë apo jo një test të tillë është plotësisht i juaji.

Fakte rreth kënaqësisë seksuale gjatë shtatzënisë

  • Shumica e grave mund të vazhdojnë të kenë marrëdhënie seksuale deri në momentin kur të vijë koha për lindje. Aktiviteti seksual nuk e dëmton foshnjën. Foshnja mbahet e sigurt nga qeska amniotike (membrana), qafa/zverku dhe muskujt e mitrës. Po ashtu ekziston një shtresë e trashë mukoze që e mbyll zverkun dhe mbron foshnjën nga infektimi.  
  • Është normale që dëshira seksuale e femrës të ulet gjatë tremujorit të parë për shkak të ndjeshmërisë së gjirit, lodhjës dhe të përzierave. Gra të tjera e shohin këtë si një rast kur ato nuk kanë nevojë të shqetësohën për kontrollin e lindjës apo se mos mbesin shtatzënë — kjo e bën marrëdhëniën seksuale edhe më të këndshme. Kur të vijë tremujori i dytë, shumë gra janë më pak të lodhura, kanë më pak përzierje dhe përjetojnë rritje të dëshirës seksuale.
  • Baballarët mund të mbështesin dhe/ose rrisin vetëvlerësimin e partnerit të tyre në lidhje me trupin e tyre që po ndryshon duke dhënë komente pozitive.
  • Përderisa trupi ndryshon gjatë shtatzënisë, çiftet mund të kenë nevojë të provojnë pozicione të ndryshme seksuale për të gjetur se çfarë është më e rehatshme për gruan. Disa gra zbulojnë kënaqësi të reja apo më të mëdha seksuale gjatë shtatzënisë si pasojë e eksperimentimeve të tilla. Pozita e lugës (Spooning - mbështetja nga prapa me partnerin, pozitë në formë të bashkimit të dy lugëve) përderisa partnerët qëndrojnë ulur ofron mjaft hapësirë për stimulim manual; kurse duke qëndruar shtrirë ofron hapësirë për stimulim më të rehatshëm oral. Po ashtu, eksperimentimi me jastëkë dhe pajisje tjera mund të lehtësojë dhe mbështesë një numër të pozicioneve dhe aktiviteteve të ndryshme seksuale.
  • Për shkak të ndjesisë së të qenit shtatzënë, në disa momente gjatë shtatzënisë, disa gra mund të mos ndihen rehat me marrëdhënien seksuale vaginale, kështu që zgjedhin seksin manual, oral apo vetë-kënaqësisë.
  • Ngërçet janë normale pas marrëdhëniës seksuale gjatë shtatzënisë. Mitra ngushtohet gjatë orgazmës dhe shtrëngimet e tilla të barkut (kontraksionet) mund të jenë më të dukshme gjatë shtatzënisë pasi që mitra rritet.
  • Nëse partneri rrezikon të përjetojë komplikime të shtatzënisë (gjakderdhje vaginale, rrjedhje të lëngut amniotik etj.), mjeku do t’ju sugjerojë që të mos keni marrëdhënie seksuale. Tregohuni të hapur me mjekun tuaj dhe pyesni atë se çfarë aktiviteti tjetër seksual mund të bëni.
Fragment i nxjerrë nga Kapitulli 6: Marrëdhëniet, Seksi dhe Mbështetja Emocionale në Trupi Im, Unë Vetë: Shtatzënia dhe Lindja © 2008 Boston Women's Health Book Collective

Inkurajoni përfshirjën e burrit tuaj

Studimet që kanë analizuar ndikimin e pranisë së të atit gjatë fëmijërisë tregojnë që ata fëmijë që kanë pasur një baba të përfshirë më herët, mesatarisht kanë më pak probleme me sjellje, aktivitet më të ulët kriminal, stabilitet më të mirë ekonomik, zhvillim më të mirë kongnitiv (aftësi kognitive – zhvillim i foshnjës dhe aftësive të saj për përpunim të informacionit, aftësi të perceptimit, mësim të gjuhës, dhe aspekte tjera të zhvillimit normal të trurit), përformancë më të mirë në shkollë dhe janë më pak të stresuar gjatë moshës së maturisë. Inkurajoni burrin tuaj që të lexojë dhe të përfshihet duke ia referuar seksionin Për Baballarët në këtë ueb faqe dhe duke inkurajuar të marrë pjesë në Sesionet e baballarëve në Qendrën tonë Klasat për Nëna — sesione këto që janë falas. Këto kurse ligjërohen nga meshkujt, për meshkuj. Kur ai e di se çfarë e pret dhe kur merr përgjigje në pyetjet që ka, kjo do t’i ndihmojë atij në zvogëlimin e stresit dhe do t’i ofrojë ide për t’u përfshirë në mënyra të dobishme.

Category: Tremujori i parë

Në fokus

Ligjërata mbi temën Shtatzënia

Ne ofrojmë ligjërata pa pagesë nëpër Kosovë në qendrat tona Klasat për Nëna (Qendrat Informuese për Shëndetin e Gruas).

Gjeni qendrën ligjëruese tuajën më të afërt këtu.

Ligjërata pa pagesë

Keni pyetje?

Pyetje specialistit