Të ushqyerit me gji i ofron foshnjës fillimin më të mirë të jetës; klikoni këtu për të parë pse? Ne mund t’ju ofrojmë të gjithë mbështetjen që ju nevojitet që të ushqeni foshnjën tuaj me sukses, duke përfshirë edhe ligjërata në Qendrën tuaj më të afërt Klasat për Nëna  dhe profesionistë të kualifikuar që mund t’ju përgjigjen pyetjeve në telefon.

Disa fakte themelore:

1.Foshnjat ushqehen çdo 3-4 orë (8-12 herë në ditë) gjatë muajit të parë. Kjo ndodh për shkak se ato kanë stomak të vogël dhe qumështi tretet shpejt. Kjo nuk nënkupton se ato nuk po marrin mjaftueshëm qumësht.

2.Si ta kuptoni që foshnja juaj është e uritur? Shikoni për shenjat kur foshnja: kthen kokën kah dora juaj kur e prekni, nxjerr gjuhën, thith gishtin, fut dorën në gojë dhe qanë (kjo është shenjë e vonshme, provoni ta ushqeni foshnjën para se të qajë).

3.Ushqeni foshnjën sipas nevojës dhe mos ndiqni një orar të caktuar. Lejoni foshnjën të ushqehet deri sa të përfundojë, mos e përcaktoni një kohëzgjatje nëse e ushqeni me gji apo një sasi të shishes nëse e ushqeni me formulë.

4.Vrullet e rritjes zakonisht ndodhin në javën e dytë, gjashtë dhe në muajin e tretë. Kështu që foshnja do të ushqehet më shumë dhe gjumi me shumë gjasë do t’i çrregullohet.

5.Nëse planifikoni ta ushqeni foshnjën me gji dhe me shishe, prisni deri në javët 4-8 para se t’ia prezantoni asaj shishen që të evitoni hutinë që foshnja pastaj mund të ketë ndaj thithjes.

Si ta kuptoni që foshnja juaj po ushqehet mjaftueshëm:

  1. Ndotja e pelenave – shenja më e qartë është, 4-6 pelena të lagura dhe 3-6 pelena të ndotura në ditë gjatë javëve 1-6. Urina duhet të jetë e pastër apo e verdhë e turbullt.
  2. Shtimi në peshë – foshnja rikthen peshën e lindjes brenda dy javëve, por mbani mend që foshnja humb 5-10% të peshës së lindjes në 3-4 ditët e para pas lindjes.
  3. Foshnja është e relaksuar – foshnja duket e relaksuar dhe e lumtur pasi që të ushqehet.

Nëse e ushqeni foshnjën me gji, janë dy shenja kryesore: i) gjinjtë zbuten pas të ushqyerit, ii) ju dëgjoni apo shikoni foshnjën tek gëlltitet gjatë ushqyerjes.

Shumica e ekspertëve sugjerojnë që të pritet deri në muajin e gjashtë para se foshnjës t’i prezantohet ushqimi i fortë. Qumështi i gjirit apo ai me formulë përmban të gjitha elementet ushqyese që i nevojiten. Deri sa të arrijë këtë moshë, foshnja nuk është e gatshme fizikisht që të hajë ushqime të forta dhe prezantimi i tyre më herët mund të shkaktojë problem të tretjes apo probleme të tjera shëndetësore, siç janë rastet e të ushqyerit e tepërt/çrregullimi i peshës.

Udhëzuesi i të ushqyerit për vitin e parë të foshnjës

1.        Foshnja 0-6 muajshe

Foshnjat që ushqehet me gji

  • Ushqeni foshnjën sipas kërkesës, që nënkupton kurdo dhe për sa kohë që foshnja të dëshirojë në të dy gjinjtë.
  • Gjatë dy javëve të para, ju duhet të ushqeni foshnjën çdo 2-3 orë (8-12 herë në ditë) duke lejuar foshnjën të ushqehet sa të dojë në të dy gjinjtë.
  • Ndërmjet javëve 2-6 vazhdoni ta ushqeni foshnjën sipas kërkesës, por foshnja mund të pushojë më gjatë ndërmjet të ushqyerave, ushqejeni rreth 8 herë brenda 24 orëve. Ushqyerja e shpeshtë do t’ju ndihmojë të prodhoni më shumë qumësht. Foshnjat fillojnë të aftësohen më shumë dhe koha e të ushqyerit shkurtohet.
  • Ndërmjet muajve 2-6, ushqeni foshnjën me gji 6-8 herë brenda 24 orëve.

Foshnjat që ushqehen me formulë:

  • Foshnjës i nevojiten afërsisht 150-200ml qumësht formulë për 1kg të peshës së trupit në ditë (më pak në javën e parë) dhe kjo do të vazhdojë derisa foshnja të fillojë të hajë ushqime të forta.
  • Gjatë dy javëve të para, ofroni foshnjës afërsisht 60-70ml çdo 2-3 orë.
  • Ndërmjet javëve 2-8, ofroni foshnjës 75-105ml qumësht formulë 5-8 herë çdo 24 orë. Apetiti i foshnjës mund të ndryshojë nga e ushqyera në të ushqyer dhe nga dita në ditë, kështu që shikoni për shenjat e foshnjës që të mësoni nëse ajo dëshiron më tepër (e përfundon të ushqyerjen shpejtë dhe kërkon për më shumë, vazhdon të thithë apo qan kur foshnja të përfundojë shishën) apo më pak (kthen kokën në tjetër drejtim, shtyn shishen larg nga goja, refuzon të hapë gojën). Mos e ushqeni shumë pasi që kjo mund të shkaktojë të vjella, dhimbje në stomak apo çrregullim të peshës.
  • Ndërmjet muajve 2-6, ofroni foshnjës 105-210ml, 5-6 herë çdo 24 orë.

Si ta kuptoni që foshnja juaj po ushqehet mjaftueshëm:

  • Ndotja e pelenave – shenja më e qartë është, 4-6 pelena të lagura dhe 3-6 pelena të ndotura në ditë gjatë javëve 1-6. Urina duhet të jetë e pastër apo e verdhë e turbullt.
  • Shtimi në peshë – foshnja rikthen peshën e lindjes brenda dy javëve, por mbani mend që foshnja humb 5-10% të peshës së lindjes në 3-4 ditët e para pas lindjes.
  • Foshnja është e relaksuar – foshnja duket e relaksuar dhe e lumtur pasi që të ushqehet.
  • Nëse e ushqeni foshnjën me gji, janë dy shenja kryesore: i) gjinjtë zbuten pas të ushqyerit, ii) ju dëgjoni apo shikoni foshnjën tek gëlltitet gjatë ushqyerjes.

2.        Prezantimi i ushqimit të fortë

Shenjat që foshnja është gati:

  • Mund të ngritet dhe mban kokën lartë pa u ndihmuar.
  • Nuk nxjerr gjuhën më p.sh. nuk e shtyn ushqimin jashtë nga goja dhe mund të marrë ushqimin nga luga e ta dërgojë deri në fyt.
  • Ka shtuar peshë të theksuar (dyfish sa pesha e lindjës) dhe peshon së paku 6kg.
  • Tregon interes ndaj ushqimit dhe bën lëvizje përtypëse.

Të gjitha foshnjat janë të ndryshme dhe përderisa një foshnje 4-muajshe mund të tregojë të gjitha shenjat që është e gatshme të ushqehet me ushqim të fortë, një foshnje tjetër mund të mos jetë gati deri në muajin e 7-të ose 8-të. Edhe nëse familja juaj ju bën presion të filloni ta ushqeni foshnjën tuaj me ushqim të ngurtë, ose nëse foshnja e shoqës suaj ka filluar të ushqehet me ushqim të ngurtë, kjo nuk do të thotë që foshnja juaj është gati. Foshnja juaj i pranon të gjitha vlerat ushqyese nga qumështi i gjirit dhe/ose nga formula. Nëse filloni shumë herët ta ushqeni me ushqim të ngurtë mund të zëvendësoni të gjitha vlerat ushqyese që i nevojitën foshnjës suaj dhe mund t’i shkaktohen probleme me zorrët dhe alergjitë. Kjo është arsyeja pse Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe shumë autoritete kombëtare të shëndetësisë, si­ç është Akademia Amerikane e Pediatrisë, rekomandojnë që të pritet deri në muajin e gjashtë. Poashtu mbani mend që foshnjat shpesh kanë vrull të rritjes kur janë 3-4 muajshe, që nënkupton të ushqyera më të shpeshta dhe më shumë zgjime gjatë natës. Kjo nuk është një shenjë se foshnja është e gatshme për ushqim të fortë. Provoni t’i jepni më shumë qumësht dhe për një apo dy javë foshnja do t’i kthehet shprehive normale të të ushqyerit.

Këshilla për të filluar:

  • Mos nxitoni – prezantoni ushqimet e reja një nga një dhe është ide e mirë që të prisni 2-3 ditë para se të prezantoni një ushqim tjetër të ri.
  • Filloni lehtë – që të evitoni mundësinë që foshnja të nervozohet kur është e uritur, provoni t’i ofroni pak qumësht gjiri apo formulë në fillim, pastaj nga një gjysmë luge të ushqimit të ngurtë, dhe përfundoni prapë me qumështi gjiri apo formulë.
  • Vazhdoni të provoni – mos u dekurajoni nëse foshnja nuk i pëlqen ushqimet e ngurta apo bën fytyra qesharake. Është diçka krejt e re për të. Vazhdoni t’i ofroni dhe inkurajojeni pasi që eventualisht ajo do të mësohet.
  • Mos i jepni me forcë – mos e bëni foshnjën që të hajë nëse ajo qan apo kthen kokën në tjetër anë kur provoni ta ushqeni. Kthehuni në të ushqyerën me gji apo me shishe për një kohë para se të provoni përsëri.
  • Përfshini fëmijën – kurdo që të jetë e mundur, bëni që fëmija të hajë bashkë me pjesën tjetër të familjes që ajo të ndjehet e përfshirë dhe mund të shikojë dhe të mësojë.
  • Prisni që të ketë rrëmujë – përgatituni që të gjeni ushqim në fytyrën e foshnjës, duart, përparësen, karrigën e fëmijëve, në dysheme dhe në fytyrën tuaj!           
  • Jepini shumë qumësht gjiri apo formulë – sigurohuni që foshnja të vazhdojë të pijë shumë qumësht gjiri apo formulë. Kjo do të bëjë që foshnja të marrë elementet e duhura ushqyese dhe të minimizojë mundësinë për kapsllëk, që mund të ndodhë kur të fillojë të hajë ushqime të forta.
  • Dalloni shenjat e foshnjës – nëse foshnja dëshiron të hajë, ajo do të hapë gojën ose të anojë drejt lugës. Nëse nuk dëshiron më, ajo do të mbyllë gojën dhe të kthejë kokën në anën tjetër që të mos lejojë lugën në gojë, apo e nxjerr ushqimin nga goja.

Ushqime të mira për fillim:

  • Fruta – molla, avokado, banane dhe dardha
  • Perime – karota, bizele, patate të ëmbla, kungull të shtypur
  • Drithëra – elb, qull tërshëre, oriz

3.        Foshnja 6-12 muajshe

Më poshtë keni një udhëzues të të ushqyerit për foshnjat 6-12 muajshe. Kjo tabelë duhet të përdoret vetëm për udhëzim, gjithmonë konsultohuni me mjekun e foshnjës rreth ushqimeve të forta.

Udhëzues ditor i të ushqyerit

 

6-8 muajshe

9-10 muajshe

11-12 muajshe

Sasia e marrë e qumështit

Ushqeni me gji çdo 3-4 orë

Formulë 0.7-1.1l

Ushqeni me gji çdo 4-5 orë

Formulë 0.7-0.9l

Ushqeni me gji çdo 4-5 orë

Formulë 0.7-0.9l

Ushqimet e Forta

 

 

 

- Numri i ushqimeve, gjithsej lugë

2-3 vakte, 9-24 lugë

3-4 vakte, 17-30 lugë

3-4 vakte, 17-30 lugë

- Forma e ushqimit

I lëngshëm në formë të kremit+ ushqim që hahet me gishta

I shtypur + copa të vogla + ushqim që hahet me gishta

I shtypur + copa të vogla + ushqim që hahet me gishta

- Drithëra

3-8 lugë

5-8 lugë

5-8 lugë

- Fruta

1-3 lugë 2 herë në ditë

2-4 lugë 2 herë në ditë

2-4 lugë 2 herë në ditë

- Perime

1-3 lugë 2 herë në ditë

2-4 lugë 2 herë në ditë

2-4 lugë 2 herë në ditë

- Mish/Proteina

1-2 lugë 2 herë në ditë

2-3 lugë 2 herë në ditë

2-3 lugë 2 herë në ditë

- Ujë (opsionale)

Jo më shumë se 60-90ml

Jo më shumë se 60-90ml

Jo më shumë se 60-90ml

Burimet e të dhënave: Wholesome Baby Food: http://wholesomebabyfood.momtastic.com, Johns Hopkins Medicine: http://m.hopkinsmedicine.org/healthlibrary/conditions/pediatrics/feeding_guide_for_the_first_year_90,P02209/, and BabyCenter: http://www.babycenter.com/0_age-by-age-guide-to-feeding-your-baby_1400680.bc

Gjërat që duhet të shmangni në foshnjat nën 12 muajshe:

  • Qumështin e lopës si zëvendësim i qumështit të gjirit apo atij formulë.
  • Mjaltin pasi që bakteret në të mund të shkaktojnë botulizmin.
  • Arrat pasi që kanë shumë gjasa që të shkaktojnë reaksion alergjik.
  • Drithërat në shishen e foshnjës (të njohura ndryshe si të ushqyerit e trashur) pasi që kjo mund të shkaktojë që foshnja të ngulfatet dhe të ketë pasoja në peshën e saj. Të ushqyerat e trashura duhet të bëhen vetëm me lejen e mjekut.
  • Ka pasur mendime të ndryshme rreth të ushqyerit e foshnjës me këto ushqime para se ajo të mbushë 12 muaj, si: dredhëza të freskëta, fruta të agrumeve, rrush, misër, të bardhën e vesë, dhe guaca deri. Këshillohuni me mjekun e foshnjës suaj para se t’ia ofroni foshnjës këto ushqime. 

Për këshilla rreth zverdhjës së foshnjës gjatë të ushqyerit me gji, klikoni këtu.

 

Të ushqyerit e drejtë dhe obeziteti te fëmijët 0 deri në 5 vjeç

 

Përdorimi i vitaminave shtesë, fluorit dhe hekurit në 6 muajt e parë të jetës

Vitamina K e cila parandalon gjakderdhjen, i injektohet të posalindurit menjëherë pas lindjes.

Të gjitha foshnjeve ju preferohet suplementimi me vitamin D me 400 IU në ditë duke filluar brenda ditëve të para të jetës deri sa fëmija të mbush një vit.

Fëmijët e ushqyer me gji, të lindur me kohë, nuk kanë nevojë për shtesa të hekurit sepse rezervat mjaftojnë deri në moshën një vjeç. Qumështi i gjirit ka shumë më pak hekur në krahasim me qumështin e adaptuar por shfrytëzimi i tij është më i madh.

Suplementimi me fluor nuk preferohet në 6 muajt e parë të jetës, ndërsa në vazhdim veprohet sipas indikacioneve apo vendit ku jetojnë.

Ushqimi i fëmijëve që nuk janë në gji

Nënat të cilat edhe pas informimit, për çështje të ndryshme, kanë vendosë të ushqejnë foshnjën e tyre me formulë, ju duhet ofruar mbështetje individuale dhe informata të sakta për përdorim të drejtë. Kjo vlen edhe për nënat që se kanë të mundur gjidhënien apo kanë ndonjë kundërindikacion për këtë.

Ato duhet informuar se:

• Formulat e thata (qumështi pluhur i adaptuar) nuk është prodhim steril. Mund të kontaminohet gjatë përdorimit.

• Tek formulat e thata rreptësisht duhet respektuar udhëzimet e përgatitjes që janë në paketim

• Qumështi jo i holluar i lopës (apo sisorëve tjerë), qumështi i kondenzuar, përpunuar (pa yndyrë) dhe gjysmë përpunuar (pjesërisht me yndyrë) nuk guxon t’i ipet fëmijëve nën 2 vjeç.

Për përgatitjen, ruajtjen dhe ushqyerjen  me formula të thata si dhe përdorimin e drejtë të formulave të gatshme në formë tretjeje, rekomandohet si në vijim:

• Kujdes kontaminimi!

• Çdo shujtë të përgatitet e freskët!

• Të bëhet përgatitja me ujë të vluar ( >70°C)

• Uji i vluar duhet ftohur shpejtë (jo më shumë se

30 minuta) dhe të përdoret menjëherë; kujdes që me temperaturë të lartë mos të shkaktoni djegje në gojën e fëmijës!

• Pas çdo shujte të hudhet sasia e mbetur!

 

Në situata të jashtëzakonshme dhe rrethana të ndryshme kur nëna është e detyruar ta ushqej fëmijën me qumësht lope përgatitja bëhet në këtë mënyrë:

• Në muajin e parë të jetës duhet përzier 40 ml qumësht me 20 ml ujë të vluar,

• Në muajin e dytë të jetës duhet perzier 60 ml qumësht me 30 ml ujë të vluar,

• Në muajin e tretë dhe katërt të jetës duhet përzier 80 ml qumësht me 40 ml ujë të vluar,

• Në muajin e pestë dhe të gjashtë të jetës duhet përzier 100 ml qumësht me 50 ml ujë të vluar.

 

Kur të fillohet me ushqim shtesë?

Ushqimi shtesë është plotësim i ushqimit me qumësht dhe nuk nënkupton ndërprerjen e gjidhënies apo zëvëndësimin e qumështit me ushqim tjetër. Në vitin e parë të jetës foshnja rritet më shpejtë. Në moshën 4-6 muaj foshnja dyfishon peshën e lindjes ndërsa në moshën një vjeç e trefishon. Kjo tregon se sa ka rëndësi ushqimi i drejtë dhe kualitativ në këtë periudhë.

Në moshën 6 muajshe foshnja është e gatshme për ushqim me lugë dhe organizmi është i përgatitur dhe i pjekur për ushqim të ri.

 

Disa fëmijëve u duhet kohë më e gjatë që të përshtaten, derisa të tjerët me shumë kënaqësi pranojnë ushqimin e ri. Prindërit duhet të kenë shumë durim, të jenë të qetë,të kenë mirëkuptim sepse kjo është përvojë e re për ta dhe për fëmijën e tyre.

Foshnja në fillim mund të refuzoj ushqimin por

nuk duhet “heq dorë”. Foshnja është adaptuar në thithje dhe nuk mundet menjëherë të përtypet dhe të përbijë ushqimin i cili shpeshherë i del edhe nga goja. Foshnja mund të luaj me lugën por kjo është mënyra e të mësuarit dhe e njohjes me metodën e re dhe ushqimin e ri.

Të ngrënit me lugë është hapi i  parë për pavarësi në ushqim.

Masat mbrojtëse dhe respektimi i rregullave të caktuara

Mos harro!

• Larjen e duarve para dhe gjatë përgatitjes së ushqimit.

• Enët duhet me qenë nga qelqi, nuk duhet sterilizuar por vetëm duhet pastruar në temperatura të larta dhe duhet tharë mirë.

• Produktet të jenë të freskëta, të kontrolluara dhe kualitative. Pemët dhe perimet duhet të jenë të pjekura, të freskëta, të “shëndosha”, sezonale, mundësisht të pa spërkatura, pa pesticide dhe të rritura në mënyrë natyrale.

• Produktet e reja të shtohen  një nga një, në fillim në formë qulli të miksuara dhe jo shumë të dendura, në sasi të vogël (2-3 lugë për shujtë),

e pastaj duke rritur sasinë në 125 ml, e më pas në 250 ml. Produktet e ndryshme të përdoren në distancë prej 5-7 ditësh që të shihet a po i përballon fëmija mirë.

• Asnjëherë mos të shtohen dy apo më tepër produkte së bashku për shkak të vlerësimit të intolerancës ndaj tyre (alergjia, ndryshimet në lëkurë, barkqitjet dhe vjelljet)

• Fëmijës nuk duhet dhënë sasi e tepërt e ushqimit në gojë sepse ai duhet mësuar përtypjen.

• Mos përdorni ushqim të ngrirë për fëmijën! Ushqimi i përgatitur në shtëpi mund të përdoret brenda 24-48 orë (nëse ruhet në kushte optimale).

• Ushqimi industrial (nëse është nxehur) fëmija duhet ngrënë menjëherë, në të kundërtën atë duhet hedhur.

• Qullet përgatiten pa shtim të kripës, sheqerit dhe mëlmesave tjera.

• Mos ushqeni fëmijën në pozitë të shtrirë!

• Mos ndërpreni gjidhënien apo qumështin formulë!

• Nëse fëmija manifeston ndryshime alergjike, konsultoni mjekun!

 

Me cilin ushqim të fillohet?

Fillohet me ushqim me mundësi të vogël për alergji si: lëngje pemësh, qulle nga pemët, perimet dhe drithërat.

Ky ushqim për nga shija është i ngjajshëm me shijen e ëmbël të qumështit dhe foshnja shumë lehtë do të “pranojë” shujtat e tilla.

Në muajin e 7-të shtohet mishi, së pari mishi i bardhë (i pulës apo quranit), pastaj mishi i viqit të ri (i bluar e më pas i copëtuar) si dhe supat ose qullet e  perimeve. Pas muajit të 8-të shtohet peshku i bardhë pa hala, i zier apo i përgatitur

në avull. E kuqja  e vezës e zier mirë duke shtuar sasinë gradualisht. Vaji i ullirit dhe lulediellit.

Pas muajit të 10-të mishi i mështjerrës.

Pas muajit të 11, kriposja e lehtë e ushqimit.

Pas moshës një vjeç mishi i lopës  dhe e bardha e vezës.

Për shkak të mundësisë së reaksioneve alergjike në vitin e parë të jetës nuk duhet dhënë pemët si: dredhëza, mjedra, manaferra, pemët citrone (kivi, portokalli, limoni, mandarina), pemët farore (arrat, bademi, kikirikat, lajthitë), çokollada, eurokremi, mjalti, maja buke, e bardha e vezës dhe ushqimi me konzervans.

 

Llojet e produkteve:

Fruta

Frutat janë burim i pasur i vitaminave, kripërave, mineraleve dhe karbohidrateve. Zakonisht fillohet me mollën, dardhën, kumbullën, pjeshkën dhe kajsinë. Në muajin e 8-të ipen të grryera imët, ndërsa në muajin e 11-të ipen në formë të freskët si tërësi.

Perimet

Perimet sjellin kualitet të ri në ushqim si dhe adaptim të fëmijës në “laramani” të ushqimit. Edhe pse vlerat energjike të perimeve janë të vogla ato prap janë të dobishme, sepse krahas proteinave bimore, përmbajnë edhe minerale, vitamina dhe materie të balansuara.

Zakonisht fillohet me perime që treten lehtë: karrota, patatja, kungullesha, karfioli.

Perimet e përgatitura nuk nxehen rishtazi (nga rreziku i nitriteve) si dhe nuk konsumohen 2 ditë radhazi.

 

Drithërat dhe prodhimet e tyre

Qullet me drithëra mund të jenë shujta kalimtare. Drithërat dhe prodhimet e tyre përmbajnë karbohidrate komplekse të cilat sigurojnë së paku 50% të energjisë së përgjithshme.

Pas muajit të 7-të mund të ipen disa prodhime të drithërave që përmbajnë gluten (grizi, keksi).

Mishi

Mishi është burim i aminoacideve esenciale, vitaminave dhe mineraleve. Hekuri shfrytëzohet shumë mirë nga mishi. Mishi shtohet në ushqimin e foshnjës pas muajit të 7-të. Fillohet me mish

të bardhë (pule apo qurani) sepse tretet lehtë, ka mundësi relative të vogla për alergji, është e arritshme dhe pak e kushtushme. Gjatë përgatitjes pastrohet nga lëkura dhe pjesët yndyrore.

Nuk preferohet mishi i thatë, pashtetat dhe salsiqe. Peshku është burim i vlefshëm i proteinave, kalciumit, omega 3- acideve yndyrore, dhe duhet përdorë së paku një herë në javë në menynë ushqimore. Pas muajit të 8-të  mund të përdoret peshku i bardhë pa hala i zier apo i përgatitur në avull.

Qumështi dhe prodhimet e tij

OBSH nuk preferon qumështin e lopës para moshës një vjeç. Fëmijët ushqehen me gji apo qumësht formulë konform moshës. Qumështi është burim i pasur i  kalciumit, prandaj përdoret rregullisht që të krijohen rezervat për tërë jetën

(i nevojshëm për dhëmbë dhe eshtra).

Edhe produktet tjera përmbajnë kalcium por shfrytëzimi më i mirë është nga qumështi dhe prodhimet e tij.

Vezët

Pas muajit të 8-të ipet e kuqja e vezës e zier mirë në sasi të vogël duke e shtuar gradualisht.

E bardha e vezës ipet pas moshës një vjeç. Vezët e tundura apo gjysëm të ziera nuk preferohen për shkak të alergjisë dhe infeksioneve të mundshme me salmonelën.

Mëlmesat

Kriposja e lehtë e ushqimit lejohet në muajin e11-të, por nuk përdoren biberi, speci i kuq, senfi, uthulla. Majdanozi dhe selino mund të ipen në formë çaji ose në supë.

Farat e kimit (Qimnon) ipen në muajt e parë të jetës në çaj (i dobishëm për tretje dhe largim të gazrave).

Vajrat

Vaji lulediellit, ullirit dhe misrit shtohet në ushqim në muajin e 8-të, mundet edhe buteri ndërsa margarina nuk preferohet.

Uji

Sipas dëshirës

Çaji

Kohëpaskohe si pije, e freskët, e zier nga kaça, kopri dhe kamomila.

Mjalti

Mjalti mund të përmbajë spore të Clostridium botulinum që shkakton botulizmin. Trakti i  tretjes nuk ka aciditet të mjaftueshëm që do shkatërronte sporet, prandaj mjaltin nuk duhet dhënë foshnjës deri sa të mbush një vit.

Kur fëmija adaptohet në shije të ushqimit  atëherë mund të bëhen kombinime të ndryshme të qulleve dhe konsistenca e ushqimit të përshtatet sipas mundësisë së përtypjes dhe daljes së dhëmbëve të fëmijës.

Shpeshtësia e konsumimit të produkteve të ndryshme

Qumështi dhe prodhimet e tij - çdo ditë Mishi, pula, vezët, bishtajoret - çdo ditë Peshku (i bardhë) - një herë në javë Buka, drithërat, patatja - çdo ditë

Pemët -çdo ditë Perimet- çdo ditë Uji, çaji-çdo ditë

Fëmijët 1-3 vjeç ndryshojnë si në “shpejtësi të rritjes”  ashtu edhe për nga nevojat energjike ushqyese. Pas moshës nje vjeç ngadalësohet rritja lineare dhe krahas kësaj edhe masa trupore.

Në këtë periudhë zvogëlohen kërkesat energjike dhe proteinike për kg/masë trupore prandaj fëmija han më pak. Prindërit duhet kuptuar që ky është proces normal fiziologjik.

Të ushqyerit “vet” është hap i rëndësishëm drejt pavarësimit dhe vetëbesimit të fëmijës.

Nëse fëmijës i praktikohet me “shembuj” se si të ushqehet, suksesi është më i madh.Fëmija duhet ulur komod në tavolinë bashkë me anëtarët

tjerë të familjes. Ambienti i mirë  ndikon pozitivisht në apetitin e fëmijës.Të shmangen gjërat që “tërheqin” vëmendjen si TV, radio dhe të flitet për gjërat që fëmijës i interesojnë.

Të ofrohet kohë e mjaftueshme sepse fëmija han më ngadalë se sa të rriturit.

Shujtat mundësisht të jenë në të njejtën kohë çdo ditë. Shujtat e vogla dhe të shpejta janë karakteristike në këtë moshë.

Mes-shujtat lejohen deri në atë masë sa mos të zvogëlojnë apetitin për shujtën kryesore.

Kujdes për shprehitë e mira ndaj marrjes së kripës dhe sheqerit. Ushqimi natën të jetë sa më heret.

Të kufizohet marrja e yndyrnave si preventivë ndaj

aterosklerozës ( mbyllja e enëve të gjakut) Peshku të konsumohet disa herë në javë për shkak të Omega 3 - acideve yndyrore.

Deri në 4 vjeç fëmijës nuk i ipen arrat, lajthitë, farat, bombonat e vogla sepse mund të aspirohen apo të futen në hundë apo vesh.

 

Problemet specifike gjatë ushqimit të fëmijëve dhe zgjidhja e tyre:

Refuzon qumështin

Të ipet i nxehtë, të pihet me pipës, t’i lejohet zbrazja në enë tjetër, t’i shtohen drithëra, t’i ipet në formë të produkteve tjera të qumështit.

Pin shumë qumësht

T’i ofrohet pas ushqimit, jo mes shujtave, t’i ofrohet lëng ose ujë.

Refuzon mishin

T'i ofrohet i prerë imët, i shtypur, mish i butë i pulës, peshku, vezët apo buteri si zëvendësim.

Refuzon pemët dhe perimet

T’i ofrohet pire (nga patatja e përzier me qumësht), të prera imët, të freskëta apo të ziera, të përzihen me drithëra,të shtohen në puding apo akullore.

Refuzon bukën dhe drithërat

T’i ofrohen drithëra të ziera, pemë të freskëta me drithëra ose të ziera me drithëra, copa të vogla të fetës së bukës me buter.

Han shumë ëmbëlsira

Mos të blehen, mos të mbahen në shtëpi, të përdoren ëmbëlsues natyral (pemët ) dhe fëmija mos të shpërblehet me ëmbëlsira për sjellje të mirë.

Rekomandimet për ujin dhe pijet

Fëmija duhet marrë gjatë ditës sasi adekuate të ujit që të sigurohet hidrimi i mjaftueshëm. Duhet kushtuar kujdes të veçantë në ditët e nxehta, te aktivitetet e mëdha fizike si dhe te qëndrimi jashtë në temperatura të ulëta. Fëmijët 1-3 vjeç duhet pirë gjatë ditës 6 gota ujë (100-150 ml) dhe sa

më parë të mësohen të pijnë ujin nga gota e jo nga shishja. Uji është pija më e shëndetshme për shuarjen e etjes. Fëmija duhet të ketë qasje ndaj ujit gjatë tërë ditës.

Praktikat e mira

• Të vendosen bokalle apo kanistere me çeshme të cilën fëmijët mund ta përdorin vet për marrje të ujit atëherë kur kanë etje.

• Rekomandohet uji i filtruar.

 

Pijet tjera

• Qumështi i pasterizuar dhe jogurti.

• Çaji bimor apo i pemëve (brusnicë, kaqë, çaj mali, kamomile me limon dhe mjaltë).

Mjalti vetëm mbi moshën 12 muajshe.

• Lëngu i shtrydhur nga pemët e freskëta i zbutur me ujë në raport 50:50, pa sheqer.

 

Praktikat e mira

• Qumështi mos të sheqeroset (karamelizohet), jogurti të zbutet me pak ujë që të konsumohet më lehtë.

Të evitohen

• pijet e gazuara

• pijet me shumë sheqer

• koncentratet për lëngje (si shurup  apo pluhur)

• Çaji i zi, çaji i gjelbërt, kafja, pijet energjike

Rekomandimet për kufizim të kripës

Marrja e kripës në sasi të mjaftueshme është e domosdoshme për funksionimin normal të organizmit.Kripa ndihmon që organizmi të mbaj sasinë e duhur të lëngjeve si dhe punën e nervave dhe muskujve. Sasia e madhe e kripës në ushqimin e fëmijëve krijon shprehinë e marrjes së ushqimit të njelmët që mund të rezultojë me rritje të shtypjes së gjakut më vonë si dhe  çrregullime tjera si: sëmundjet e zemrës, veshkëve dhe enëve

të gjakut. Pjesa më e madhe e kripës konsumohet nga produktet industriale.

Evitimi i ushqimit industrial dhe përgatitja e ushqimit  me pak kryp do të ndihmojë që sasia e kripës të zvogëlohet.

Te fëmijët më të rritur të kufizohet përdorimi i soseve industriale si keqapi e majoneza si dhe grickat e njelmëta si: çipsi dhe smoki.

 

Praktikat e mira

• Të përdoret kryesisht kripa e jodizuar e domosdoshme për rritje dhe zhvillim normal.

• Te prodhimet industriale të verifikohet sasia e

kripës në paketim para përdorimit.

• Mos të lihet në tavolinën e fëmijës ena e kripës.

Rekomandimet për kufizim të sheqerit

Konsumimi i shpeshtë i ushqimit dhe pijeve të ëmbla shkakton karies te fëmijët.

Dhëmbët e fëmijës janë të ndjeshëm ndaj kariesit dhe kjo ndikon negativisht në rritje dhe zhvillim të dhëmbëve të përhershëm.

Të kufizohet sasia dhe shpeshtësia e konsumimittë ushqimit të ëmbël.Sasia e sheqerit te pemët dhe qumështi nuk është i dëmshëm për shëndetin e dhëmbëve.Sheqeri nga çokollada, bombonat, lëngjet, ëmbëlsirat dhe mjalti dëmtojnë shëndetine dhëmbëve.

Ushqimi dhe alergjitë

Alergjitë në ushqim te fëmijët janë të shpeshta. Deri në moshën 3 vjeç 6-8% të fëmijëve diagnostikohen me alergji në ushqim.

Sistemi digjestiv i foshnjeve dhe fëmijëve të vegjël nuk ka pjekuri të mjaftueshme dhe me marrjen

e produkteve të reja shumë vështirë dallon të “huajën” nga e “vetja . Sistemi imun i zorrëve mund të bëjë “gabime” duke inicuar sisteminmbrojtës ndaj ushqimit dhe duke shkaktuar alergji.

Me rritjen e fëmijës dhe me marrjen e vazhdueshme të ushqimit, sistemi imun gradualisht “pjeket” dhe alergjia në ushqim bëhet më e rrallë. Për këtë arsye në vitin e parë të jetës ushqimi ipet me kujdes të veçantë.

 

Që nga lindja e deri në muajin e katërt dhe pestë ushqimi i vetëm i nevojshëm është qumështi i nënës apo qumështi formulë (nëse nëna nuk ka mundësi ta ushqejë fëmijën e saj me gji). Shtimi i hershëm i ushqimit, para muajit të katërt të jetës, rrit mundësinë për shfaqjen e alergjisë. Kujdestë veçantë duhet të ketë renditja e përdorimit të produkteve të reja.

Ushqimin të cilin fëmija e provon  për herë të parë duhet të ipet në orët e mëngjesit që të përcillet reaksioni i fëmijës gjatë ditës. Poashtu ushqimi i ri duhet të ipet çdo ditë, minimum 3 ditë radhazi.

Alergjenet më të shpeshta janë dredhëzat, e kuqja dhe e bardha e vezës, mjalti, arrat, bademat, lajthitë, kikiriki, qumështi, frutat e detit. Për këtë arsye këto produkte shtohen në ushqim ngadalë, në moshë të caktuar për produkte përkatëse.

 

Alergjia në ushqim paraqitet në forma të ndryshme, ndryshime në lëkurë si urtika (pllaka të kuqe) apo ekzemë. Alergjitë në disa lloje të ushqimit manifestohen me pengesa në traktin e

tretjes si mundim, vjellje, barkqitje, gjak në feqe si dhe fëmija nuk përparon.

 

Ndonjëherë paraqiten probleme respiratore si pengesa në frymëmarrje, rrjedhje hundësh, kollë, teshtitje, e në raste të rënda ngulfatje dhe shok anafilaktik. Ndryshimet në lëkurë paraqiten në minutat e parë deri në gjysëm ore pas marrjes së ushqimit.

Nëse lajmërohet alergjia në ushqim, prindërit duhet fotografuar ndryshimet, të shënojnë se çfarë lloj ushqimi ka ngrënë fëmija atë ditë dhe deri në vizitë te mjeku të evitojnë atë lloj të ushqimit. Shumë alergji të cilat shfaqen në vitin e parë të jetës me kalimin e kohës zhduken apo dobësohen prandaj largimi i ushqimit nga menyja ushqimore nuk

bëhet pa konsultimin  e mjekut.

Terapia nënkupton evitimin e ushqimit që shkakton alergji e sipas nevojës edhe përdorimin e medikamenteve.

 

Që nga lindja deri në 5 vjeç, punëtorët shëndetësorë kanë obligim matjen e vazhdueshme të peshës dhe gjatësisë trupore si dhe interpretimin e tyre përmes tabelave dhe diagrameve ku përcillet zhvillimi i fëmijës.

Materiali është zhvilluar dhe mbështeturë nga: 

Canada Fund for Local Initiatives

 

 

Category: Të ushqyerit

Në fokus

Ligjërata mbi temën Foshnja dhe Nëna

Ne ofrojmë ligjërata pa pagesë nëpër Kosovë në qendrat tona Klasat për Nëna (Qendrat Informuese për Shëndetin e Gruas).

Gjeni qendrën ligjëruese tuajën më të afërt këtu.

Ligjërata pa pagesë

Keni pyetje?

Pyetje specialistit