Depresioni gjatë shtatzënisë 

Materiali në këtë faqe është marrë nga “March of Dimes” (përshtatur për Kosovë)

Depresioni është më shumë se vetëm ndjenjë e të ndjerit keq për disa ditë. Ju mund të keni depresion nëse ju keni ndonjë nga këto shenja që zgjasin për më shumë se dy javë:

  • Ndryshime në ndjenjat tuaja 
    • Ndjeheni të pikëlluar, të pashpresë, të stërngarkuar
    • Ndjeheni të shqetësuar ose pa humor
    • Qarje të shpeshta
    • Ndjeheni të pavlefshëm apo fajtor
    • Ndryshime në jetën tuaj të përditshme  
  • Hani më shumë ose më pak se zakonisht
    • Keni problem me mbajtjen në mend të gjërave, koncentrim apo të merrni vendime
    • Nuk jeni në gjendje të flini ose flini tepër
    • Tërheqje nga familja dhe miqtë
    • Humbje e interesit për gjërat që zakonisht ju pëlqen t’i bëni 
  • Ndryshimet në trupin tuaj 
    • Mungesa e energjisë dhe rraskapitja, ndjeheni të lodhur gjatë gjithë kohës
    • Keni kokë dhimbje, probleme me barkun apo dhimbje të tjera që nuk largohen 

Nëse jeni shtatzënë dhe keni ndonjë nga këto shenja, ose nëse shenjat përkeqësohen, telefononi mjekun tuaj ose kontaktoni qendrën Beba-ks. Ka gjëra që ju bëjnë të ndjeheni më mirë. Nëse brengoseni se do të lëndoni veten, telefononi mjekun tuaj menjëherë.

A mundet depresioni gjatë shtatzënisë të ndikojë në foshnjën tuaj?

Po! Nëse jeni shtatzënë dhe keni depresion që nuk është trajtuar, ju jeni të prirë të keni: 

  • Lindje të parakohshme.
  • Foshnje me peshë të vogël.
  • Një foshnjë i cili/e cila është më nervoz, më pak aktiv/e dhe më pak i/e vëmendshëm/vëmendshme.

Të qenit shtatzënë mund ta përkeqësojë depresionin ose ta bëjë që të kthehet prapë, nëse ju keni qenë të trajtuar dhe ndjeheni më mirë. Nëse keni depresion të patrajtuar, ju mund të keni probleme për t’u kujdesur për veten gjatë shtatzënisë. Për shembull mund të mos hani ushqime të shëndetshme dhe nuk fitoni peshë të mjaftueshme. Ju mund të anashkaloni kontrollet para lindjes ose të mos përcillni udhëzimet e mjekut. Ose mund të pini duhan, alkohol, përdorni droga të rrugës, apo të abuzoni me barnat e përshkruara. Të gjitha këto gjëra mund të ndikojnë në foshnjën tuaj para se të lindë. 

Nëse keni depresion që nuk është trajtuar gjatë shtatzënësisë, ju keni më shumë gjasa që të zhvilloni DPP (depresion postpartal) pas lindjës. DPP ua bën më të vështirë të kujdeseni për foshnjën tuaj. Trajtimi i depresionit gjatë shtatzënisë mund të ndihmojë në parandalimin e këtyre problemeve. 

Çka e shkakton depresionin e madh?

Ne nuk jemi saktësisht të sigurt se çka e shkakton depresionin.  Mund të jetë kombinim i gjërave, si ndryshimi i kimikateve në tru ose ndryshimi i hormonove. Hormonet janë kimikate që prodhohen nga trupi. Disa nga hormonet mund të ndikojnë në pjesët e trurit që kontrollojnë emocionet apo disponimin.

Disa gjëra bëjnë më shumë se të tjerat që të keni depresion. Këta quhen faktorë të rrezikut. Të kesh faktorët e rrezikut nuk do të thotë se ju do të keni depresion. Por mund të rrisë gjasat. Bisedoni me mjekun tuaj për atë se çfarë mund të bëni për të zvogëluar rrezikun. Faktorët e rrezikut të depresionit të madh përfshijnë:  

  • Ju keni pasur depresion të madh ose ndonjë sëmundje mendore në të kaluarën, apo ju keni një histori familjare të depresionit apo sëmundjeve mendore. Kjo do të thotë se dikush në familjen tuaj ka pasur këtë gjendje.
  • Ju keni pasur ngjarje stresuese në jetën tuaj, si vdekja e një të afërmi ose një sëmundje që ndikon në ju ose tek të afërmit tuaj.
  • Keni probleme me partnerin tuaj, duke përfshirë  dhunën në familje.
  • Keni pak mbështetje nga familja dhe miqtë.
  • Keni probleme financiare.
  • Ju pini duhan, pini alkohol, përdorni droga të rrugës, abuzoni me barnat e përshkruara.  

Si trajtohet depresioni gjatë shtatzënisë?

Depresioni mund të trajtohet në disa mënyra. Ju dhe mjeku juaj mund të vendosni për përdorimin e një trajtimi të  kombinuar në vend se të perdorni vetëm një trajtim: 

  • Këshillimi (i quajtur edhe terapi apo terapi bisede)- kjo është kur ju bisedoni për ndjenjat dhe shqetësimet tuaja me një këshillues apo terapist. Ky person ju ndihmon të kuptoni ndjenjat tuaja, të zgjidhni problemet dhe të përballeni me gjëra në jetën tuaj të përditshme. Konsultohuni me mjekun tuaj ose kontaktoni qendrën Klasat për Nëna për një rekomandim.
  • Grupet e përkrahjes- këto janë grupe të njerëzve që takohen së bashku ose kyçen online për të ndarë përvojat e tyre për tema të caktuara. Ju mund të gjeni  komunitete online të dobishme ose të kontaktoni qendrën Klasat për Nëna për të zbuluar për takimet lokale personale. 
  • Medikamentet- depresioni shpesh trajtohet me medikamente të quajtura antidepresantë. Ju nevojitet përshkrimi i mjekut tuaj për këto barna. Ju mund të merrni një bari apo kombinim të barnave. Disa hulumtime kanë treguar se marrja e antidepresantëve gjatë shtatzënisë mund të vënë në rrezik foshnjën tuaj për disa probleme shëndetësore. Por nëse keni marrë antidepresant, do të ishte e dëmshme për ju ta ndërpritni. Prandaj flisni për të gjitha me mjekun tuaj për përparësitë dhe rreziqet e marrjës së antidepresantëve gjatë shtatzënisë, dhe vendosni bashkë çfarë trajtimi doni ju.  Nëse jeni duke marrë antidepresantë dhe kuptoni se jeni shtatzënë, mos e ndërpritni marrjen e barnave pa biseduar së pari me mjekun. Mosmarrja e barnave mund ta dëmtojë foshnjën dhe mund t’ju rikthehet depresioni.

Depresioni pas lindjes

Depresioni postpartal (DPP) është më i zakonshëm nga ç'mund të mendoni. Rreth 1 në 7 nëna të reja përjetojnë DPP. Shpeshherë fillon brenda 1-3 javë pas lindjes, por kjo mund të ndodhë në çdo kohë brenda vitit të parë. Simptomat ndryshojnë, por mund të përfshijnë:

  • Ndjenjat e zemërimit ose nervozizëm.
  • Mungesa e interesimit për fëmijën.
  • Çrregullimi i oreksit dhe gjumit.
  • Të qarit dhe hidhërimi.
  • Ndjenjat e fajit, turpit apo mungesës së shpresës.
  • Humbja e interesimit, gëzimit apo kënaqësisë në gjërat që i keni shijuar.
  • Mendimet e mundshme që dëmtojnë fëmijën ose vetveten.

Mos u shqetësoni, depresioni postpartal është i përkohshëm dhe i shërueshëm. Nëse mendoni se mund të vuani prej saj, ta dini se nuk është faji juaj, dhe ka gjëra që mund të bëni për të ndihmuar të përballeni me të dhe të shëroheni. Nëse mendoni se keni DPP, vizitoni një mjek ose konsultohuni me qendrën Klasat për Nëna  për ndonjë rekomandim tek specialisti.

A ka ndonjë gjë që mund të më bëjë të ndihem më mirë?

Ka tri gjëra që mund të filloni t’i bëni për veten tuaj që menjëherë të ndjeheni më mirë:

  1. Qëndroni e shëndetshme dhe e përgatitur:
  • Bëni diçka aktive çdo ditë. Bëni një shëtitje ose kthehuni në palestër.
  • Hani ushqime të shëndetshme. Këto përfshijnë fruta, perime, bukë të zezë me fara/bukë drithi dhe mish pa dhjamë. Mundohuni të hani më pak ëmbëlsira dhe ushqime të kripura (edhe pse kjo është ajo që mund t’ju pëlqejë).
  • Pushoni sa më shumë që mundeni. Provoni të flini kur fëmija juaj fle.
  • Mos pini alkool; është depresant, që nënkupton se mund të ngadalësojë trupin tuaj dhe t’ju bëjë të ndjeheni më depresive.
  • Mos merrni droga të rrugës. Ato ndikojnë në mënyrën se si trupi juaj funksionon dhe mund të shkaktojnë probleme me medikamentet që i merrni për DPP.
  1. Kërkoni dhe pranoni ndihmën:
  • Mbani kontakt me njerëzit që ju interesojnë dhe që kujdesen për ju. Tregojuni burrit tuaj, familjes dhe miqve se si ndjeheni. 
  • Kushtoni kohë vetës tuaj. Kërkoni nga dikush që ju i besoni të kujdeset për fëmijën kështu që ju mund të dilni nga shtëpia. Vizitoni ndonjë mik, dilni jashtë ose bëni diçka që ju gëzon. Planifikoni ndonjë moment vetëm me partnerin tuaj. 
  • Le t’ju ndihmojnë të tjerët rreth punëve të shtëpisë. Kërkoni nga miqtë tuaj dhe të familjes të kujdesen për fëmijën, t’ju ndihmojnë rreth punëve të shtëpisë apo të bëjnë pazaret për ju. Mos kini frikë t’u tregoni atyre se çfarë ju nevojitet.
  • Bashkojuni një grupi të përbashkët në internet. Mund të merrni më shumë informata dhe të bisedoni me ekspertët në Postpartum Support International dhe Postpartum Progress (të dyja vetëm në gjuhën angleze).
  1. Ulni stresin tuaj:
  • Bëni gjërat të cilat i pëlqenit para lindjes së fëmijës suaj. Dëgjoni muzikë, lexoni ndonjë libër të mirë apo shkoni në ndonjë kurs.
  • Bëni gjërat që ju bënin të ndjeheni mirë për veten tuaj para se të ishit shtatzënë.
  • Mundohuni të mos bëni ndonjë ndryshim të madh në jetën tuaj menjëherë pasi ta lindni fëmijën tuaj. Këto përfshijnë lëvizjet ose ndërrimin e punëve. Ndryshimet e mëdha mund ta shtojnë stresin në jetën tuaj për të cilin nuk keni nevojë tani. 
  • Bisedoni me shefin tuaj që të ktheheni përsëri në punë. Ndoshta mund të punoni nga shtëpia ose me gjysmë orari, kur të ktheheni së pari në punë.

Nëse këto gjëra ndihmojnë, bukur shumë! Vazhdoni t'i bëni ato se në qoftë se ndaloni mund t'ju kthehen prapë simptomat. Nëse këto gjëra nuk i përmirësojnë simptomat tuaja brenda dy javësh, ju duhet patjetër të vizitoni mjekun apo të konsultoheni me qendrën Klasat për Nëna për rekomandim tek specialisti. Mund të keni nevojë për terapi shtesë, duke përfshirë edhe përshkrimet kundër depresionit. Është shumë e rëndësishme që ta merrni seriozisht DPP-në sepse mund t'jua bëjë të vështirë të kujdeseni për fëmijën tuaj dhe do të bëhet edhe më keq nëse nuk trajtohet. Nëse mendoni se po e dëmtoni fëmijën tuaj apo veten tuaj, menjëherë vizitoni mjekun.

Si do ta trajtojë mjeku DPP-në tuaj?

Mjeku së pari do t’ju bëjë disa pyetje për të ditur nëse e keni DPP-në. Mund t’ju bëjnë edhe teste për të parë nëse keni probleme të tjera shëndetësore që mund të çojnë në DPP. Për shembull, ata mund t’i kontrollojnë hormonet tuaja tiroide sepse nivelet e ulëta të hormoneve tiroide mund të çojnë në DPP. Sa më shpejt që e vizitoni mjekun rreth DPP-së, aq më mirë. Ju mund të filloni me trajtimin që do t'ju bëjë të ndjeheni më mirë kështu që të mund të kujdeseni mirë për veten dhe fëmijën tuaj. Këto janë trajtimet që mjeku juaj mund t’i sugjerojë:

  • Këshillimi, që quhet edhe terapi. Kjo është kur ju bisedoni për ndjenjat dhe shqetësimet tuaja me një profesionist të shëndetit mendor. Ata ju ndihmojnë të kuptoni ndjenjat tuaja, zgjidhni problemet dhe të përballeni me gjëra në jetën tuaj të përditshme.
  • Barnat: DPP shpeshherë trajtohet me barna, duke përfshirë 1) barnat kundër depresionit - disa kanë efekte anësore dhe disa nuk janë të sigurta t’i përdorni në qoftë se jeni duke e ushqyer fëmijën me gji, kështu që bisedoni me mjekun tuaj për të vendosur nëse mund ta përdorni atë bari; 2) estrogjenin - ky hormon luan një rol të rëndësishëm në ciklin tuaj menstrual dhe shtatzënësi, por konsultohuni me mjekun tuaj nëse jeni duke ushqyer fëmijën me gji.
Category: Vështirësitë