Si mund të veproni nëse ju apo dikush që ju e njihni vuan nga dhuna në familje në Kosovë?

Si mund të veproni nëse ju apo dikush që ju e njihni vuan nga dhuna në familje në Kosovë?

 

Nuk ka asnjë arsyetim për dhunën në familje. Asnjëherë!

Qëndrimet dhe përgjigjet ndaj dhunës në familje janë duke u përmirësuar ngadalë në Kosovë. Policia dhe gjykatat janë të trajnuara më mirë për t'u përgjigjur, ndërsa mbrojtësit e viktimave, Qendrat për Mirëqenie Sociale dhe strehimoret duket se janë duke bërë një punë më të mirë në trajtimin e këtij problemi të madh.

Çfarë duhet të bëni nëse ju ose dikush që ju e njihni është viktimë e dhunës në familje?

Nëse keni përvojë ose jeni dëshmitar të dhunës ne ju inkurajojmë të lajmëroni policinë, veçanërisht nëse është një rast urgjent. Ju gjithashtu mund të telefononi në numrin pa pagesë për ndihmë: 0800 11112. Ky mirëmbahet nga Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave në Zyrën e Prokurorit Publik të Kosovës. Njerëzit që përgjigjen ndihmojnë viktimat e dhunës në familje apo njerëzit të cilët raportojnë çdo dhunë të tillë, duke i furnizuar ata me informata dhe numra të kontaktit.

 

Mbajeni në mend se në bazë të ligjeve të Kosovës “moslajmërimi për abuzimin e fëmijëve apo dhunën në familje është një vepër penale, dhe kushdo që nuk i raporton veprat penale që ndodhin brenda një bashkësie familjare mund të mbajë përgjegjësi penale.” (Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës 2015, ‘Mjaft më me arsyetime’, shih nenin 385, moslajmërimi i përgatitjes së veprave penale, paragrafi 3).

 

Cilat janë të drejtat tuaja ligjore?

 Materiali i OSBE-së "Katalogu për këshilla dhe ndihmë viktimave të dhunës në familje"

 

Sipas Ligjit të Kosovës për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, aktet e dhunës në familje janë përcaktuar si vepra apo lëshime të qëllimshme që i bën një person personit tjetër me të cilin është në marrëdhënie familjare. Kjo përfshin të gjithë ata/ato me të cilët ju ndani, apo keni ndarë një familje. Këto akte përfshijnë, por nuk kufizohen vetëm në:

 a) përdorimi i forcës fizike ose presionin psikik

b) shkaktimi ose kërcënimi se do të shkaktojë dhembje fizike dhe vuajtje psikike kundër anëtarit tjetër të familjes

c) shkaktimi i ndjenjës së frikës apo cenimit të dinjitetit

d) sulmi fizik

e) ofendimi, sharja, thirrja me emra ofendues, dhe mënyra të tjera të shqetësimit të vrazhdë

f) përsëritja e vazhdueshme e sjelljeve me qëllim të përuljes së personit tjetër

g) marrëdhëniet seksuale pa pëlqim

h) kufizimi i kundërligjshëm i lirisë së lëvizjes ndaj personit tjetër

 i) dëmtimi i pronës apo kërcënimi  për të dëmtuar pronën e një anëtari tjetër të  familjes

j) vënia e personit tjetër në pozitën që ai/ajo të frikësohet për gjendjen e tij fizike, emocionale dhe ekonomike

k) hyrja apo largimi me dhunë i personit tjetër nga banesa e përbashkët me forcë dhe

l) rrëmbimi. (Ligji Nr 03 / L-182 për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, 2010, në: http: //www.assembly- kosova.org/common/docs/ligjet/2010-182-alb.pdf.

Art. 2, paragrafi 1.2.)

 

Ligji për Mbrojtje nga Dhuna në Familje ofron një sërë masash ligjore që synojnë mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje. Ligji përcakton koncepte të tilla si dhuna në familje dhe marrëdhëniet familjare dhe shpjegon cilat lloje të masave të mbrojtjes dhe të urdhrave ekzistojnë, si dhe procedurat që duhet ndjekur për t’i marrë ato.

 

Si ju mbron ligji  ju dhe/ose fëmijët tuaj kundër dhunës në familje?

Material i OSBE-së "Katalogu për këshilla dhe ndihmë viktimave të dhunës në familje"

Masat mbrojtëse janë masa të lëshuara nga gjykata apo policia për të mbrojtur një person i cili i është ekspozuar dhunës duke mënjanuar rrethanat të cilat mund të lejojnë kryesin për të kryer më shumë akte dhune. Përveç masave të tjera,masat e mbrojtjes mund të kufizojnë autorët të vizitojnë vendet e tyre të banimit dhe mund të ndalojnë autorët të shohin fëmijët e tyre. Këto masa janë lëshuar për kohëzgjatjen e urdhrit për mbrojtje. Pas përfundimit të masës për mbrojtje, nuk do të cenohen të drejtat pasurore ose të kujdestarisë së kryerësit të dhunës në familje.

 

Gjykata komunale mund të lëshojë urdhër për mbrojtje apo urdhër për mbrojtje emergjente ku parashihen një apo më shumë masa mbrojtëse. Policia e Kosovës mund të lëshojë Urdhër për Mbrojtje të Përkohshme Emergjente ku parashihën vetëm disa masa mbrojtëse.

 

Kërkesa për urdhër për mbrojtje mund të parashtrohet nga:

• Viktima e dhunës në familje

• Përfaqësuesi i autorizuar i viktimës

• Avokati i viktimës (me pëlqimin e palës së mbrojtur)

• Një përfaqësues i qendrës për mirëqenie sociale të komunës ku viktima ka

    vendbanimin apo vendqëndrimin, atëherë kur viktima është i/e mitur

• Një organizatë joqeveritare (OJQ) që ka njohuri për gjendjen e viktimës.

 

Policia e Kosovës ka përgjegjësi për të siguruar nëse kryerësi i dhunës në familje i bindet masës mbrojtëse. Shkelja e urdhrit për mbrojtje është vepër penale dhe kundërvajtësi do të dënohet me gjobë dhe me burgim.

Për të lexuar raportin e plotë të OSBE-së, “Katalogu për Këshilla dhe Ndihmë Viktimave të dhunës në familje" shihni: http://www.osce.org/kosovo/88708?daunload=true

 

Cilat janë përgjegjësitë e policisë?

 Materiali i OSBE-së "Katalogu për këshilla dhe ndihmë viktimave të dhunës në familje"

Policia e Kosovës mban përgjegjësi për t'iu përgjigjur secilit njoftim për veprat ose kërcënimet e dhunës në familje ose çfarëdo shkeljeje të urdhrit për mbrojtje, urdhrit për mbrojtje emergjente ose urdhrit për mbrojtje të përkohshme, pavarësisht se kush e njofton atë. Policia do të hartojë një raport për incidentin pavarësisht se a është kryer vepra apo jo, a është ndaluar dikush si dhe një kopje të këtij raporti ia japin viktimës apo përfaqësuesit ligjor.

 

Përveç lëshimit të urdhërave të përkohshëm për mbrojtje, Policia e Kosovës është përgjegjëse për përdorimin e mjeteve të arsyeshme për të mbrojtur viktimën dhe për të  parandaluar dhunën e vazhdueshme, si në vijim:

 

  • Sigurimin e linjës së posaçme telefonike për raportim të dhunës në familje
  • Sigurimin e kontaktit zyrtar për viktimën ose përfaqësuesin e saj ligjor me nëpunësin hetues të policisë në rast se viktima kërkon ndihmë të mëtejshme.Nëse mungon nëpunësi hetues, atëherë ndonjë nëpunës tjetër duhet t’i ndihmojë viktimës.
  • Informimin e viktimës, përfaqësuesit ligjor ose mbrojtësit të viktimës për të drejtat e viktimës në përputhje me ligjin për mbrojtje nga dhuna, por edhe me të drejtën për të kërkuar urdhërin për mbrojtje të përkohshme
  • Informimin e viktimës lidhur me shërbimet e ndihmës ligjore, psikologjike dhe ndihmave të tjera në dispozicion nga institucionet qeveritare si dhe prej rrjetit të autorizuar të organizatave joqeveritare
  • Informimin e ofruesve përkatës të shërbimeve lidhur me rastin e dhunës në familje dhe mundësimin e kontaktit me viktimën, me kërkesën e viktimës
  • Sigurimin e transportit për viktimën, e sipas nevojës edhe të vartësve të saj

• Në objektin e duhur mjekësor për trajtim ose kontrollim mjekësor

• Vendstrehim apo vendqëndrim tjetër të përshtatshëm dhe të sigurt me kërkesën e viktimës;

  • Sigurimin e mbrojtjes për atë që ka lajmëruar dhunën në përputhje me obligimet përkatëse ligjore lidhur me mbrojtjën e dëshmitarëve;
  • Largimin e kryesit të veprës nga banesa ku e ka vendbanimin ose vendqëndrimin viktima apo ndonjë pjesë të saj (në rast të masës së mbrojtjes së largimit nga banesa, shtëpia apo ambiente të tjera të banimit).

 

Përveç kësaj, policia duhet menjëherë të raportojë për incidentin në Qendër për Mirëqenie Sociale të komunës ku personi ka vendbanimin apo vendqëndrimin në rastet kur:

• Viktima është e moshës nën tetëmbëdhjetë (18) vjeç ose nuk ka zotësi të veprimit;

• Veprat e dhunës në familje janë aq të rënda sa që ndikojnë në qetësinë a sigurinë e personit të moshës nën tetëmbëdhjetë (18) vjeç ose të personit që nuk ka aftësi të plotë të veprimit dhe i cili jeton në banesën e njëjtë me kryesin e veprës.

 

Çfarë është strehimorja dhe cilat janë shërbimet e saj?

Materiali i OSBE-së "Katalogu për këshilla dhe ndihmë viktimave të dhunës në familje"

Strehimorja është një vend i sigurt ku viktimat e dhunës në familje dhe fëmijët e tyre mund të qëndrojnë përkohësisht dhe e cila ofron mbrojtje dhe shërbime të tjera. Aktualisht ekzistojnë strehimore në Gjakovë, Gjilan, Mitrovicë, Pejë, Prishtinë dhe Prizren që strehojnë viktima të komuniteteve nga e tërë Kosova.

 

Viktimat mund të qëndrojnë për gjashtë muaj në strehimore. Kjo periudhë mund të vazhdohet në marrëveshje me Ministrinë e Punës dhe Mirëqeniës Sociale.

 

Përveç shërbimeve të tjera, strehimoret  zakonisht u ofrojnë viktimave strehim, ushqim, veshmbathje, këshilla (këshilla psiko-sociale dhe ligjore), mbështetje mjekësore, aftësim profesional (gjuhë, kompjuter, internet, lexim dhe shkrim, qepje, gatim, parukeri, rrobaqepësi), edukim shëndetësor, shërbime për kërkim të punës, si dhe aktivitete për fëmijët (muzikë, vizatim, vallëzim). Strehimoret patrullohen nga policia dhe kanë marrëveshje të ndryshme të tjera të sigurisë.

 

Disa strehimore gjithashtu kontribuojnë në parandalimin e dhunës në familje, duke organizuar aktivitete për vetëdijesim dhe vizita informuese në terren në zonat rurale. Përveç kësaj, disa strehimore janë të përfshira në monitorimin dhe avokimin e një kornize ligjore dhe të politikave në Kosovë e cila është e financuar plotësisht dhe e cila ofron mbrojtje për viktimat e dhunës në familje. Disa të tjera kryejnë vizita të rregullta te viktimat, pra pasi që ato të kthehen në familjet e tyre, ose të bëhen të pavarura.

 

Si mund ta ndihmoj një mik apo anëtar i familjes i cili është viktimë e dhunës në familje?

 

• Bisedoni me personin abuzues dhe pyetni se si ju mund të ndihmoni. Nëse janë

   mjaft të vjetër, inkurajoni ata për mbështetje dhe këshillim. Përkujtoni ata se nuk

   është faji i tyre. Askush nuk meriton të abuzohet.

• Mos gjykoni dhe mos i tregoni viktimës çfarë të bëjë. Dëgjoni dhe besoni atë që thonë

   ata. Keni durim.

• Shpesh, viktimat e dhunës në familje janë të izoluar dhe pa mbështetje. Ndihmoni që

   të krijojnë ose mbajnë kontaktet e tyre me jashtë.

• Ndihmoni atë dhe fëmijët e saj për të qenë të sigurt. Flisni me të lidhur me mënyrat që

   ajo mund ta arrijë këtë dhe inkurajoni atë që të mendojë për veten.

• Telefononi linjën falas për ndihmë, 0800 11112, për të marrë më shumë informata në

   lidhje me atë se çfarë mund të bëhet. Kjo mund të jetë më e sigurt se sa përpjekja për

të ndërhyrë në mënyrë të drejtpërdrejtë, e cila mund të jetë e rrezikshme si për ju ashtu edhe për viktimën. Nëse jeni të shqetësuar për pasojat, atëherë pas telefonimit të tillë, shlyeni atë numër telefoni.

 

Për më shumë informata

  • Thirrni numrin falas të linjës ndihmëse: 0800 11112, linja funksionon në kuadër të Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave pranë zyrës së kryeprokurorit publik të Kosovës. 
  • Ju do të gjeni adresën, emalin dhe numrin e telefonit të të gjitha institucioneve publike (si të Zyrtarëve për Ndihmë), strehimoreve dhe OJQ-ve që merren me çështjet e dhunës në familje në çdo komunë të Kosovës në faqet 24-54 në katalogun e OSBE-së “Katalogu për Këshilla dhe Ndihmë Viktimave të dhunës në familje”.
  • Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës ka qenë në krye të shërbimeve, mbrojtjes dhe promovimit të drejtave të grave dhe vajzave në Kosovë qysh prej vitit 1996. Mund të lexoni raportin e tyre, “Mjaft më me arsyetime” duke klikuar këtu.

 

 

Category: Vështirësitë