Ju mund të përjetoni disa probleme apo shqetësime gjatë të ushqyerit me gji, por mos i lejoni atë të ju demoralizojnë! Ato janë të zakonshme për nënat që ushqejnë foshnjat me gji dhe ka metoda që ju mund t’i zgjidhni ato. Këtu mund t’i gjeni të githa problemet e zakonshme dhe zgjidhjet e tyre. Nëse keni pyetje tjera apo keni nevojë për ndihmë rreth të ushqyerit me gji, kontaktoni Qendrën tuaj më të afërt Beba-ks.

Bllokimi i Kanaleve të Gjirit dhe Mastiti (Pezmatimi i Gjirit)

Bllokimi i kanalit është një masë e dhimbshme, e ënjtur dhe e fortë në gji, dhe shpesh krijohet një shtresë e kuqe e lëkurës mbi atë pjesë. Mastiti është një infektim me simptoma të ngjashme por që përfshin edhe ethe, shkakton dhimbje më të madhe dhe shtresa e kuqe/e nxehtë mbi atë pjesë zakonisht është më e madhe. Bllokimi i kanaleve pothuajse gjithmonë do të kurohet me trajtimin e rregullt brenda 1-2 ditëve, mirëpo mastiti me shumë gjasë duhet që të mjekohet edhe me antibiotikë. Sigurohuni që të kuroni kanalet e bllokuara të gjirit sa më shpejtë pasi ato mund të kalojnë në mastit. Si t’i kuroni kanalet e bllokuara të gjirit:

  1. Zbrazni plotësisht gjirin e bllokuar – ju do të mund ta lironi bllokimin e kanalit vetëm me anë të të ushqyerit të foshnjës me gji dhe të bëni që qumështi të rrjedh lirshëm përsëri. Bëni këtë duke:
  • Ushqyer foshnjën më shpesh në gjirin e bllokuar p.sh. ofrojani foshnjës gjirin e bllokuar të parin.
  • Ndihmoni foshnjën që të zbrazë gjirin tuaj gjatë çdo ushqimi të saj duke bërë shtrydhjen e gjoksit (klikoni këtu për udhëzime) dhe vendoseni foshnjën në atë pozitë që mjekra e saj të jetë në vijë me thithkën e bllokuar.
  • Masazhoni kanalin e bllokuar (masën); shtypni aty lehtë me gishta apo grusht mbi masë, pastaj rrëshqisni gishtat apo grushtin mbi masë drejt thithkës mirëpo mos e prekni thithkën. Vazhdoni ta bëni këtë 5-10 herë gjatë të ushqyerit me gji apo kur pjesa e prekur (afektuar) të ngrohet.
  • Duke shtrydhur (me dorë apo me një pompë) pjesën e prekur nëse foshnja nuk e zbraz plotësisht gjirin me qumësht.
  1. Ngrohni pjesën e prekur, sidomos para ushqyerjës me gji. Këtë mund ta arrini nëse bëni një dush të ngrohtë apo vishni rroba të ngrohta, me shishe të ngrohtë të ujit apo fashë të ngrohtë, por keni kujdes që të mos e ngrohni shumë dhe jo më gjatë se 5-10 minuta.
  2. Provoni të pushoni dhe pini shumë ujë të pastër.
  3. Hiqni sytjenat.
  4. Nëse përdorni fasuleta të gjinjve për të thithur rrjedhjën e qumështit, ndërroni ato shpesh (së paku dy herë në ditë).

“Trajtoni mastitin njejtë sikur do ta trajtonit kanalin e bllokuar të gjirit (shikoni më lartë). Mbani mend se është plotësisht e sigurtë që ju të vazhdoni të ushqeni foshnjën me gji. Antitrupat në qumështin tuaj do të mbrojnë foshnjën tuaj nga ndonjë infeksion. Nëse ju vendosni që të mos e ushqeni foshnjën me gjirin e bllokuar mund të jetë shumë më keq për ju. Të ushqyerit e shpeshtë me gji do të bëjnë që infeksioni të pastrohet sa më shpejtë.”

Burimi: La Leche Leaguue International, http://www.llli.org/nb/nbmarapr07p76.html

Nëse simptomat tuaja nuk përmirësohen apo keqësohen brenda 24 orëve, kontaktoni mjekun tuaj.

Dhimbjet (ngërçet) e barkut

Dhimbja e barkut është një term që përdoret për të përshkruar të qarat e pakontrollueshme të një foshnjeje të shëndoshë. Shkaktari kryesor është i panjohur dhe është e njejtë si për foshnjet që ushqehen me formulë, si për ato që ushqehen me qumësht gjiri. Gazrat nuk e shkaktojnë këtë dhimbje të barkut, por këto foshnje mund të kenë gazra të tepërta për shkak se ato shpesh e gëlltisin ajrin kur të qajnë.

Bllokimi i gjirit

Bllokimi i gjirit ndodh kur gjinjtë tuaj ënjten jashtëzakonisht shumë dhe duken sikur janë gati të pëlcasin, që ndodh më së shpeshti kur ju prodhoni shumë qumësht gjatë javës së parë dhe/apo të dytë të lindjes. Për shkak të ënjtjes, kjo mund të shkaktojë dhimbje në atë gji gjatë të ushqyerit dhe kur foshnja mundohet të kapë thithkën. Zakonisht kjo mbushje/ënjtje largohet brenda 12-48 orëve pasi që trupi juaj do të rikuperohet dhe foshnja të fillojë të pijë nga gjiri juaj. “Ju mund të parandaloni apo minimizoni efektet e bllokimit të gjirit duke:

  • Ushqyer foshnjën me gji herët dhe shpesh. Ushqeni atë me gji sa më herët që të keni mundësi pas lindjës, dhe së paku dhjetë herë gjatë ditës së nesërme.
  • Siguruar që foshnja juaj është vendosur saktë dhe është kapur si duhet në gjirin tuaj (klikoni këtu për udhëzime).
  • E ushqyer rregullisht. Nëse foshnja fle më shumë se dy apo tri orë gjatë ditës apo katër orë gjatë natës, zgjojeni që ta ushqeni.
  • Lejuar foshnjën që të përfundojë njërin gji para se të kthehet në tjetrin. Kjo nënkupton të prisni deri sa foshnja të fle apo të largohet vetë nga gjiri.  
  • Nëse foshnja nuk ushqehet fare me gji apo nuk po ushqehet mirë, mund ta ndihmoni foshnjën që të ushqehet duke shtrydhur gjoksin me dorë apo pompë sa më shpesh.”

Nëse kjo nuk ju lehtëson simptomat, ju mund të provoni të:

  • Bëni shtypje të ngrohta: “aplikoni shtypje të ngrohta dhe të lagëta duke shtrydhur qumështin jashtë pak para se të ushqeni foshnjën. Nëse e ngrohni për një kohë më të gjatë ju do të rrisni ënjtjen dhe pezmatimin, kështu që është më së miri ta bëni për një kohë më të shkurtër. Shtypje të ftohta mund të aplikohen ndërmjet ushqyerjeve që të zvogëloni ënjtjen dhe lehtësoni dhimbjën.” Burimi: La Leche League International, http://www.llli.org/faq/engorgement.html
  • Masazhoni gjirin: “me shuplakën e dorës duke filluar nga kreu i kraharorit tuaj (pak mbi klavikulë), butësisht goditni gjirin tuaj tëposhtë në lëvizje rrethore në drejtim të thithkës. Kjo është edhe më efektive nëse e bëni gjatë dushit apo jeni në vaskë të mbushur me ujë të ngrohtë dhe duke hedhur ujë në gjinjtë tuaj.” Burimi: La Leche League International, http://www.llli.org/faq/engorgement.html
  • Masazhoni areolën: me gishtat tuaj të vendosur siç shihet më poshtë, shtypni përbrenda drejt murit të kraharorit dhe numëroni ngadalë deri në 50. Shtypja duhet të jetë e ngadalshme, e lehtë, dhe mjaft e butë që të mos dhembë.
Image
Burimi: K. Jean Cotterman, http://www.nbci.ca/index.php?option=com_content&view=article&id=83:engorgement&catid=5:information&Itemid=17
  • Shtypja me lakër: “hiqni disa fletë të kokës së lakrës, largoni pjesën e fortë në mes, dhe shtypeni me një okllai (apo diqka të ngjashme). Ato mund të ruhen në frigorifer apo në temperaturë të dhomës. Varni fletët direkt mbi gjinjë, brenda sytjenave tuaja. Ndërroni fletat kur ato të fishkën, apo pas çdo dy ore. Ndërpreni përdorimin e tyre nëse ju shfaqën puçrra, njolla apo shenja të tjera të alergjive. Disa të dhëna thonë se përdorimi i tepërt i shtypjës me lakër mund të zvogëlojë prodhimin e qumështit, kështu që ndërpreni këtë lloj të shtypjës kur ënjtja t’ju largohet.” Burimi: La Leche League International, http://www.llli.org/faq/engorgement.html

Kontaktoni mjekun tuaj nëse simptomat nuk shënojnë përmirësime pasi që të keni provuar metodat e lartpërmendura të lehtësimit të dhimbjeve, nëse keni simptoma të mastitit (ethe me temperaturë më të lartë se 38.1°C), nëse foshnja juaj nuk kapet për gjiri apo nëse ajo nuk bën mjaftueshem pelena të ndotura.

Alergjitë në ushqim dhe ndjeshmëritë

Në të shumtën e rasteve ju do të jeni në gjendje të hani çkado (ushqime pikante, bizele, prodhime të qumështit etj.) për shkak se ushqimi që ju e hani shumë rrallë shkakton probleme. Foshnjat, në javët e para të jetës së tyre shpesh kanë gazra dhe janë të bezdisur, veçanërisht pasi që duhen të mësohen që më nuk do të ushqehen me anë të placentës (dhe poashtu me jetën në botën e jashtme) kështu që mos nxitoni që të fajësoni qumështin tuaj të gjirit.

Por nëse foshnja juaj është shumë e bezdisur çdo herë që ju hani një ushqim të caktuar, atëherë mundohuni të evitoni atë lloj ushqimi. Prodhimet e qumështit (qumështi, djathi, jogurti, gjalpi) zakonisht janë ndër arsyet më të shpeshta të shfaqjës së problemeve, kështu që ju mund të tentoni të ndaloni konsumimin e tyre për një kohë për të parë nëse ka ndonjë përmirësim. Simptoma të këtyre problemeve mund të përfshijnë diarrenë, nervozizmin, gazrat, vjelljën e lehtë, kapsllëkun, jashtëqitjen me gjak apo me mukozë, rrjedhjën e hundëve, kollitjën dhe fryerjën e barkut. Në rastet e rralla kur ushqimi shkakton gazrat apo nervozizmin, ka shumë gjasa që kjo të ndodhë për shkak të proteinave që merren nga prodhimet e qumështit. Poashtu, nëse keni alergji që e kanë edhe anëtarët tjerë të familjes, evitoni ato që ju shkaktojnë alergji gjatë ushqyerjës së foshnjës me gji.

Lemza

Lemza është mjaft e zakonshme te foshnjet që janë nën një vjeç, dhe është një bezdisje normale dhe e padëmshme që shkaktohet nga gulçimet në diafragmë. Të ushqyerit me gji nuk e shkakton lemzën dhe është e sigurtë që të vazhdoni të ushqeni foshnjën me gji edhe nëse atë e shqetëson lemza përderisa ajo është e gatshme të vazhdojë të ushqehet. Në fakt, shpeshherë të ushqyerit me gji mund të ndihmojë që të largohet lemza njejtë sikur të rriturit që pinë ujë për të larguar atë. Lemza do të jetë gjithmonë e më e lehtë dhe më e rrallë derisa foshnja dhe sistemi i saj i tretjes të zhvillohet. Disa shkaqe të zakonshme të lemzës përfshijnë:

  • Ushqyerja e tepërt e foshnjës, kështu që përpiquni të ngadalësoni të ushqyerit, ushqeni foshnjën pak dhe shpesh, dhe bëni atë që të gromësijë përderisa bëheni gati ta ushqeni me gjirin tjetër.
  • Gëlltitja e ajrit gjatë të ushqyerit, kështu që sigurohuni që foshnja juaj është kapur mirë për gjirin tuaj dhe vendoseni atë në pozitë të drejtë vertikale gjatë të ushqyerit. Poashtu mbajeni në pozitë vertikale për 20 minuta pasi ta keni ushqyer.

Nëse foshnja juaj ka lemzë të vazhdueshme dhe të rritur, ajo mund të ketë refluks (kthimi i ushqimit të tretur prapa).

Verdhëza dhe të ushqyerit me gji

Verdhëza është mjaft e zakonshme në foshnjat e porsalindura dhe mjeku juaj do t’ju sugjerojë për ndonjë trajtim më të veçantë nëse është e nevojshme. Të ushqyerit me gji nuk e shkakton apo ndikon verdhëzën, për sa kohë që foshnja merr sasinë e mjaftueshme të qumështit, dhe duhet të vazhdohet pasi kjo është më e mira për foshnjën tuaj. Nëse foshnja po ushqehet mirë me qumësht gjiri, ushqyerjet më të shpeshta do të ndihmojnë që verdhëza të largohet apo zvogëlohet. Nëse foshnja nuk është duke u ushqyer mirë me qumësht gjiri, hapi juaj i parë nuk duhet të jetë të hiqni foshnjën nga gjiri dhe ta ushqeni me formulë. Së pari duhet të provoni të përmirësoni kapjën e gjirit nga foshnja juaj dhe të shtrydhni gjoksin që ajo të marrë më shumë qumësht (klikoni këtu për udhëzime). Të ushqyerit me gji nuk duhet të ndalet kurrë, apo shumë rrallë, as për një kohë fare të shkurtër. 

Prodhimi i ulët i qumështit të gjirit

Ky është një shqetësim i zakonshëm, por shpeshherë është një alarm i rrejshëm. Shpesh, nënat janë të shqetësuara që nuk kanë mjaft qumësht kur:

  • Gjinjtë nuk ndihen më që janë plot. Alarm i rrejshëm! Kur foshnja juaj të jetë 6-javëshe deri në 2-muajshe, trupi juaj tashmë është adaptuar me nevojat e foshnjës.
  • Foshnja ka më pak jashtëqitje. Alarm i rrejshëm! Që kur foshnja juaj është 6-javëshe do të ketë më pak jashtëqitje sesa më parë dhe mund të kalojnë disa ditë dhe ajo të mos ketë pasur një tjetër.
  • Foshnja dëshiron të ushqehet për më gjatë dhe më shpesh. Alarm i rrejshëm! Foshnja do të ketë disa ndryshime në sasinë se sa ajo pi qumësht në disa muajt e parë të jetës (shpesh pas 2-3 javëve, 6 javëve apo 3 muajve), por nëse e ushqeni sa herë dhe për sa gjatë që ajo të dojë kjo do të rrisë sasinë e qumështit shumë shpejtë.

Prodhimi i qumështit është një proces që prodhohet aq sa ka nevojë, sasia e qumështit që prodhohet varet nga sasia që është marrë nga foshnja.

Treguesit më të rëndësishëm që foshnja juaj po merr mjaftueshëm qumësht janë numri i pelenave dhe shtimi në peshë. Nëse ende jeni e brengosur rreth sasisë së qumështit që foshnja po merr duke marrë parasysh edhe alarmet e rrejshme të lartpërmendura, ju duhet të:

  • Na kontaktoni apo vizitoni Qendrën tuaj më të afërt Beba-ks për informata dhe mbështetje.
  • “Inkurajoni foshnjën tuaj që të ushqehet sa më shpesh dhe për sa gjatë ajo të dëshirojë.
  • Ia ofroni të dy gjinjët gjatë të ushqyerit. Lejoni foshnjën që të qëndrojë në njërin gji përderisa ajo vazhdon të thithë dhe gëlltisë rregullisht. Ofrojani gjirin tjetër kur foshnja të ngadalësojë apo ndalojë. "Së pari përfundoni me njërin gji," është një rregull i përgjithshëm. Kjo teknikë i mundëson foshnjës të marrë sasi të mira të qumështit të pasur dhe më të yndyrshëm.”
  • Foshnja duhet të përfundojë vetë të ushqyerin. Ajo mund ta bëjë këtë duke fjetur apo duke u larguar nga gjiri pas rreth 10 deri 30 minutash të gëlltitjes dhe thithjës aktive.
  • Sigurohuni që foshnja të jetë e kapur për gjiri dhe e pozicionuar saktë në gji, që nënkupton, buzët duhet të mbulojnë areolën (pjesa e errët e gjirit). Ne mund t’ju ndihmojmë me gjetjën e pozitave të sakta dhe poashtu t’ju sugjerojmë ide që të zbusni ënjtjen.
  • Foshnja e përgjumur mund të përfitojë nga “të ushqyerit me dy gjinjtë”, që nënkupton ndërrimin e gjinjve dy apo tri herë gjatë çdo të ushqyeri. Ndërroni gjirin kur thithja e foshnjës të bëhet më e ngadaltë dhe të gëlltisë më rrallë.
  • E gjithë thithja e foshnjës duhet të bëhet në gji. Kufizoni apo ndaloni fare përdorimin e biberonit përderisa e inkurajoni foshnjën që të ushqehet me gji. Nëse përdorni suplemente, mund t’ja jepni këto suplemente me lugë apo filxhan.”
  • Praktikoni shtrydhjen e gjirit, klikoni këtu për të parë si bëhet kjo.

“Këto mund të jetë kohë shqetësuese për ju. Kujdesuni për vetën. Kushtojini rëndësi nevojës suaj për të pushuar, për t’u relaksuar, të hani shëndetshëm dhe të pini mjaft lëngje.”

Burimi: La Leche League International, http://www.llli.org/faq/increase.html

Prodhimi i qumështit me sasi të mëdha

Nganjëherë nëna prodhon më shumë qumësht sesa që foshnja ka nevojë dhe kjo bën që nga gjiri të rrjedh më shumë qumësht për shkak të gjirit të mbushur. Kjo mund të jetë shqetësuese për foshnjat gjatë dhe ndërmjet të ushqyerave. Simptomat e zakonshme të mbiprodhimit të qumështit përfshijnë:

  • “Foshnja qanë shumë dhe shpesh, është shumë e nervozuar dhe/ose e lodhur.
  • Foshnja mund të gulçojë, ngulfatet, të lëshojë zëra apo të kollitet gjatë të ushqyerit me gji.
  • Foshnja mund të kafshojë apo shtrëngojë thithkën gjatë të ushqyerit.
  • Rrjedhje të qumështit kur foshnja të përfundojë gjidhënien, sidomos në fillim të të ushqyerit.
  • Nëna mund të ketë thithka të ënjtura.
  • Fëmija mund të lakojë shpinën dhe të shtrëngojë trupin, nganjëherë edhe bërtet.
  • Të ushqyerit për foshnjën mund të duket si një betejë, ku të ushqyerit me gji bëhet shumë i çrregullt.
  • Të ushqyerit mund të jetë i shkurtër, duke zgjatur vetëm 5 deri në 10 minuta.
  • Foshnja duket se “e dashuron dhe e urren” gjirin në të njejtën kohë.
  • Foshnja mund të gromësijë apo lëshojë gazra ndërmjet të ushqyerave, dhe ka tendenca që edhe të përshtyejë.
  • Foshnja mund të ketë jashtëqitje me ngjyrë të gjelbërt, të lëngshme apo të butë dhe shpërthyese.
  • Gjinjtë e nënës ndihen se janë të mbushur shumicën e kohës.
  • Nëna shpesh mund të ketë kanale të bllokuara të gjirit, që nganjëherë janë arsyeja e shfaqjës së mastitit”.
Burimi: La Leche League International, http://www.llli.org/faq/oversupply.html

Që të bëni diçka rreth këtij problemi, provoni :

  • Të ushqeni foshnjën vetëm me njërin gji gjatë një ushqyerje. Nëse ka nevojë, ju mund të shtypni gjirin tjetër që të lironi presionin dhe të ruani qumështin e mbetur për më vonë. Nëse foshnja dëshiron të ushqehet përsëri brenda dy orësh, ofrojani të njëjtin gji përsëri.
  • Të shtyni qumështin me anë të shtypjës para se të filloni ushqyerjën për të zvogëluar sasinë e qumështit të derdhur. Mos nxirrni shumë qumësht jashtë pasi kjo do të bëjë që gjinjtë tuaj të prodhojnë prapë.
  • Të poziciononi foshnjën në pozitë vertikale gjatë ushqyerjës dhe/apo të shtriheni përgjysmë pasi që graviteti do të ndihmojë që të ngadalësohet ritmi i nxjerrjës së qumështit. Poashtu, mund të shtriheni në njërën anë.
  • Të ushqeni foshnjën para se ajo të ketë uri, gjë e cila bën që ajo të mos thithë fort dhe kështu gjinjtë tuaj nuk do të stimulohen aq shumë.
  • Të ndaloni pompimin, nëse e keni bërë këtë që të ruani qumështin, deri sa prodhimi i qumështit të përshtatet me nevojat e tanishme të foshnjës.

Nëse ju po prodhoni shumë qumësht, ju mund të përdorni fasuleta të gjinjve për të pastruar rrjedhjën, por mbani mend se ato duhet të ndërrohen së paku një herë në ditë. Poashtu, foshnja juaj me shumë gjasë do të thithë më shumë ajër, kështu që bëni foshnjën tuaj të gromësijë që të minimizoni problemet e mundshme.

Refuzimi/Të qarat

Ka shumë arsye që foshnja mund të refuzojë gjirin apo të qajë gjatë të ushqyerit, por pothuajse asnjëra prej tyre nuk duhet të bëjë që ju të ndaloni ushqyerjën me qumësht gjiri. Disa nga problemet e zakonshme dhe zgjidhjet e tyre janë:

  • Ju mund të prodhoni shumë qumësht i cili mund të dalë jashtë shumë shpejtë dhe në sasi të mëdha, gjë e cila bën foshnjën të jetë e shqetësuar. Shikoni më lartë se si ta menaxhoni këtë.
  • Ju mund të prodhoni qumësht në sasi të vogël apo duhet shumë kohë që qumështi të vijë në gojën e foshnjës që e bën atë të shqetësohet. Provoni shtrydhjën e gjoksit që të përmirësoni prodhimin e qumështit.
  • Foshnja apo fëmija juaj ka një sëmundje apo dëmtim që e bën ushqyerjën të parehatshme (infektim i veshit, hundë të mbushur, infeksion apo çarje në gojë). Në këtë rast duhet të vizitoni pediatrin. Në rast të hundës së mbushur, provoni të pastroni hundën e foshnjës para se ta ushqeni dhe vendoseni në pozitë të ngritur gjatë ushqyerjës me gji.
  • Foshnja mund të ketë ënjtje të mishit të dhëmbëve. Provoni të fërkoni mishin para se ta ushqeni me gji.
  • Mund ta keni ndërruar deodorantin, sapunin, parfumin, losionin etj. dhe juve ju vjen një erë tjetër nga ç’është mësuar foshnja. Provoni të ktheheni në ato që i keni përdorur më herët, por nëse nuk mund ta bëni këtë, ju mund të ri-lidheni me foshnjën tuaj duke e përkëdhelur, ledhatuar dhe duke aplikuar kontaktin lëkurë-në-lëkurë.
  • Ju keni qenë e shqetësuar (mund të keni pasur shumë vizitorë, keni udhëtuar dhe lëvizur shumë, keni pasur probleme familjare). Provoni të merrni ndihmë nga të afërmit për të larguar stresin dhe poashtu vazhdoni ta përkëdhelni foshnjën dhe aplikoni kontaktin lëkurë-në-lëkurë.
  • Kohët e fundit keni ndryshuar shprehitë e të ushqyerit me gji (për shkak se keni filluar të punoni, keni lënë foshnjën me dadon më gjatë se zakonisht, e keni tejkaluar një të ushqyerje se keni qenë e zënë etj.). Vazhdoni ta përkëdhelni foshnjën dhe aplikoni kontaktin lëkurë-në-lëkurë.
  • Keni reaguar në mënyrë agresive kur foshnja ju ka kafshuar, që ka bërë foshnjën të frikësohet. Vazhdoni ta përkëdhelni foshnjën dhe aplikoni kontaktin lëkurë-në-lëkurë.
  • Foshnja juaj është e shpërqendruar dhe e shqetësuar, që është e zakonshme pasi foshnja fillon të adaptohet me gjërat që e rrethojnë (diku rreth muajit të katërt). Provoni ta ushqeni atë në një dhomë të qetë dhe në një pozitë që është e rehatshme për foshnjën, dhe mos u shqetësoni pasi kjo do të kalojë shpejt.
Burimi: La Leche League International, http://www.llli.org/faq/strike.html

Foshnja e përgjumur

Nganjëherë, të porsalindurit flejnë për më gjatë sesa tri orë, apo shpesh i zë gjumi gjatë ushqyerjës me gji. Nëse foshnja juaj po ushqehet mirë dhe numri i pelenave e shtimi në peshë janë në parametrat e duhur (klikoni këtu për ta parë udhëzuesin), ju nuk keni nevojë të brengoseni. Nëse jo, atëherë provoni ta ushqeni foshnjën së paku dhjetë herë në ditë deri sa ajo të ketë katër jashtëqitje çdo ditë për së paku një javë. Foshnjat e përgjumura zakonisht e kanë të vështirë të zgjohen për t’u ushqyer, kështu që provoni të ndiqni këto këshilla:

  • Hiqjani disa apo të gjitha rrobat.
  • Ledhatojini shpinën apo gudulisni dhe flisni me të.
  • Fshijani fytyrën me një leckë të lagur.
  • Lageni buzën e saj me qumësht apo/dhe jepni të pijë qumësht.
  • Nëse po e merr gjumi gjatë ushqyerjës me gji provoni t’i flisni me zë të lartë, ledhatojini shpinën, ndërroni gjirin apo bëni të gromësijë kur ta vëreni që ajo është e gatshme për gjumë.

Ënjtja e thithkave

Thithkat e buta janë të zakonshme në fillim të ushqyerjës rreth javës së parë të të ushqyerit me gji. Nëse thithkat janë shumë të ënjtura, të çara, të nxira apo kanë gjakderdhje, diçka nuk është në rregull. Sidoqoftë, ënjtja e thithkave pothuajse gjithmonë është pasojë e pozicionimit të gabuar të foshnjës në gji. Klikoni këtu për të mësuar si të gjeni pozitën dhe kapjen e duhur të foshnjës në gji. Shkaktarë tjerë të ënjtjes se thithkave mund të jenë: 1) bllokimi; 2) përdorimi i gabuar i pompës; 3) biberonët apo shishet që bëjnë që foshnja të hutohet kur të shohë thithkën dhe kjo çon në ushqyerjën jo të saktë me gji; 4) infeksioni i majës së thithkës, shikoni numrin 13 më poshtë; 5) heqja e foshnjës nga gjiri pa e bërë së pari ndaljën e procesit të gjidhëniës, që bëhet duke e futur njërin gisht në skajin e gojës së foshnjës.

Heqja e foshnjës nga gjiri është zgjidhja e fundit. Ka shumë mënyra që të trajtoni ënjtjen e thithkave:

  • Ushqeni foshnjën së pari në atë anë ku thithka është më pak e ënjtur apo ushqeni vetëm më atë anë për një pjesë të ditës apo tërë ditën nëse është e mundur (kontrolloni pelenat që të siguroheni se foshja po merr mjaft qumësht).
  • Eksperimentoni me pozita të ndryshme, disa mund të jenë më pak të dhimbshme sesa tjerat (klikoni këtu për sugjerime).
  • Provoni të ushqeni foshnjën shpesh dhe për kohë të shkurtër që të inkurajoni thithje më të lehta.
  • Lyeni thithkat me qumësht gjiri të nxjerrë nga shtrydhja e gjirit (nëse nuk keni infeksion të thithkave).
  • Lini thithkat (gjinjtë) tuaja të marrin ajër sa më shumë.
  • Përdorni kremë të thithkave siç është lanolina e pastër, pas ushqyerjës së foshnjës me gji dhe mos e hiqni atë.
  • Mos i lani shpesh thithkat tuaja. Nëse laheni një herë në ditë, është e mjaftueshme.
  • Aplikoni shtrydhje të ngrohët dhe të lagët me një leckë në thithkat tuaja (nëse nuk keni infeksion të thithkave).

Nëse keni dhimbje dhe nuk mund ta ushqeni foshnjën fare, në vend që të provoni metodat e lartpërmendura, bëni një pushim të shkurtër (2-5 ditë) nga të ushqyerit me gji që t’i lejoni gjinjtë tuaj të shërohen. Gjatë kësaj kohe, është më së miri për ju dhe për foshnjën që ju ta ushqeni atë me qumështin që e nxirrni nga shtrydhja e gjirit (klikoni këtu për udhëzime). Në këtë mënyrë ju e mbani prodhimin e qumështit stabil dhe do të vazhdoni me ushqyerje me gji kur thithkat t’ju jenë shëruar.

Vjellja e lehtë dhe refluksi

Më shumë se gjysma e foshnjeve kanë rregullisht apo me raste vjellje të lehtë pa ndonjë arsye, dhe kjo shënon rritjen më të madhe gjatë muajit të katërt. Kjo ndodh për shkak se ato thithin ajër gjatë të ushqyerit, pinë shumë qumësht apo sistemi i tyre i tretjës ende nuk është zhvilluar plotësisht. Refluksi ndodh kur foshnjat vjellin aq shumë saqë kjo mund të ndikojë rritjën e tyre apo të shkaktojë dhimbje të fytit apo probleme me frymëmarrje. Simptoma të tjera mund të përfshijnë kollitjën dhe shtrëngimin gjatë të ushqyerit apo të japë shenja të dhimbjës së stomakut siç është lakimi i shpinës, tërheqja e këmbëve dhe të zgjohen duke bërtitur. Si foshnjat që ushqehen me gji poashtu edhe ato me formulë vjellin dhe kanë refluks por studimet kanë treguar se foshnjat që ushqehen me gji kanë shqetësime të tilla më të rralla dhe më të shkurtëra.

Këshilla që të minimizoni vjelljën dhe refluksin:

  • Ushqejeni foshnjën shpesh që sasia e qumështit që mirret të jetë më e vogël.
  • Ushqejeni foshnjën në pozitë të ngritur.
  • Bëni të gromësijë rregullisht por lehtë, duke u siguruar që ajo gromësin pasi të ushqehet.
  • Mbajeni në pozitë vertikale për 20 minuta pas të ushqyerës.
  • Kufizoni kohën në ulësen e makinës pasi kjo e shtyp stomakun e foshnjës.

Nëse simptomat e foshnjës suaj vazhdojnë dhe janë shumë të bezdisshme për atë, vizitoni mjekun pasi që ka medikamente që ndihmojnë me këtë (sidoqoftë, studimet tregojnë se të ushqyerat me qumësht të trashë dhe pikat Simetikon nuk kanë efekt).

Infektimi i majës së thithkës

Mëllenja është një infektim i zakonshëm dhe i parrezikshëm i gojës së foshnjës që mund të prekë edhe thithkat gjatë të ushqyerit me gji. Ushqyerja me gji duhet dhe mund të vazhdojë edhe përkundër mëllenjës, edhe pse mund të jetë më e dhimbshme për nënën. Përmirësimi i pozitës dhe kapjës së gjirit nga foshnja juaj (klikoni këtu për udhëzime) do t’ju ndihmojë.

“Shenja të zakonshme të infektimit të majës së thithkës te nënat që ushqejnë foshnjat me gji janë: thithkat kruhen, janë të kuqe, rozë, të shndritshme dhe ju djegin (mund t’ju jenë çarë); 2) dhimbje e thellë dhe therëse gjatë dhe pas ushqyerjës. Shumica e foshnjeve kanë simptoma, por ato më të rritura mund edhe të mos kenë. Ato që kanë mund të: 1) kenë njolla të bardha në pjesën e brendshme të buzëve apo faqeve që duken në formë djathi dhe nuk hiqen lehtë. Nëse shihni një shtresë të bardhë në gjuhën e foshnjës suaj dhe askund tjetër, me shumë gjasë është thjesht mbetje e qumështit. 2) qajnë kur të ushqehen apo thithin në biberon apo shishe. Shtresat e bardha të lartpërmendura mund të jenë të dhimbshme dhe të bëjnë të ushqyerit të parehatshëm nëse infektimi është më serioz. 3) njolla në pelena që janë të forta me maje, copa-copa me ngjyrë të kuqe të çelët apo të mbyllët. Njolla të vogla të kuqe paraqiten shpesh rreth skajeve të jashtëqitjes në pelenë. Pjesa e prekur është e kuqe dhe mund të jetë e ndjeshme dhe e dhimbshme, dhe jashtëqitjet mund të përhapen përreth organeve gjenitale apo këmbëve të foshnjës. Pothuajse kurrë nuk gjindet në prapanicë. Nëse dyshoni se foshnja juaj ka mëllenjën, kontaktoni mjekun tuaj për testimin dhe trajtimin e foshnjës.” Burimi: babycenter.com, http://www.babycenter.com/0_thrush-in-breastfeeding-moms_8486.bc?shoëAll=true

“Mëllenja mund të jetë shumë e vështirë për t’u trajtuar. Është shumë e rëndësishme që ju bashkë me foshnjën tuaj të mjekoni mëllenjën pasi që jo vetëm që përhapet lehtë por poashtu shpërndahet shpejtë në pjesët e lagëta e të nxehta siç është goja e foshnjës apo thithkat tuaja. Pasi të fillojë trajtimi i mëllenjës, simptomat mund të duken se përkeqësohen për disa ditë para se ato të fillojnë të përmirësohen. Përderisa ju vazhdoni të keni dhimbje, ofroni foshnjës të ushqehet shpesh dhe shkurt, duke filluar nga ana që ju dhemb më pak. Sigurohuni që të pastroni thithkat tuaja dhe leni të marrin ajër pas çdo ushqyerje.” Burimi: La Leche League International, http://www.llli.org/faq/thrush.html

Hapa të tjerë që mund të zvogëlojnë përhapjen e mëllenjës përfshijnë: 1) nëse përdorni biberon/shishe, zijini ato për 20 minuta çdo ditë dhe ndërroni me të reja çdo javë; 2) nëse përdorni pompimin, zijeni çdo pajisje apo element që bie në kontakt me thithkën apo qumështin e gjirit; 3) duke larë duart në ujë të ngrohtë me sapun për së paku 20 sekonda pas ndërrimit të pelenës; 4) duke larë me ujë të ngrohtë dhe zbardhues të gjitha rrobat që bien në kontakt me thithkat tuaja.

 

Ne falenderojme burimet ne vijim qe jane perdorur per zhvillimin e informatave ne kete seksion: La La Leche League International, BabyCenter, International Breastfeeding Center and March of Dimes. 

Category: Problemet e zakonshme dhe zgjidhjet

Ligjërata mbi temën Gjidhënia

Ne ofrojmë ligjërata pa pagesë nëpër Kosovë në qendrat tona Klasat për Nëna (Qendrat Informuese për Shëndetin e Gruas).

Gjeni qendrën ligjëruese tuajën më të afërt këtu.

Ligjërata pa pagesë

Keni pyetje?

Pyetje specialistit