Këtu poshtë i gjeni të renditura 10 mitet më të dëgjuara rreth Lindjës në Kosovë.

1. Coca-Cola dhe çokollata do të ndihmojnë në lindje. Mit!

A nuk do të ishte mirë në qoftë se kjo do ishte e vërtetë? Por kjo thjesht nuk është e vërtetë, edhe pse këto të dyja mund t’ju bëjnë që të ndiheni mirë për pak kohë, kafeina dhe sheqeri do t’ju dehidrojnë, gjë që nuk është e mirë as për ju e as për bebën tuaj. Ka disa ide të tjera më të pranueshme në lidhje me këtë temë. Njëra është vaji i ricinit (castor), por konsultohuni me mjekun tuaj më parë, sepse ky vaj mund t’ju jap diarre. Nëse zona e mitrës tuaj tashmë ka filluar të zbutet ju mund të provoni të ecni dhe të kryeni marrëdhënie seksuale(sperma e burrit tuaj ndihmon për ta zbutur dhe zgjeruar qafën e mitrës tuaj, ku orgazmat tuaja do ndihmojnë në përshpejtimin e funksioneve të mitrës). Stimulimi gjoksit (thimthave) mund të sjellë lindje më të lehtë sepse gjatë stimulimit lëshohet hormoni oxytocin, megjithatë ky është një proces i ngadaltë ngaqë ju duhet të bëni atë për një orë, tre herë në ditë.

2. Shpërthimi i ujërave do të thotë që fëmija do vijë shumë shpejt, Mit!

Jeta e vërtetë nuk është si në filma ku në momentin që shpërthejnë ujërat, gruaja menjëherë arrin në spital dhe lind pas disa minutave. A nuk e duam të gjithë këtë mrekulli! Mirëpo, vetëm 10-15% të grave ju shpërthejnë ujërat para se të lindin. Shumicën e kohës kontraktimet fillojnë shumë më herët. Nëse kontraksionet nuk fillojnë para se të shpërthejnë ujërat, ato zakonisht fillojnë brenda 12-24 orëve. Thirrni mjekun tuaj në telefon kur ju shpërthejnë ujërat për të konfirmuar kohën dhe siguroni që t’ja tregoni mjekut ngjyrën e ujit. Ju duhet të shkoni në spital brenda 24 orëve të ardhshme pasi të kenë shpërthyer ujërat.

3.  Lindja fillon atëherë kur ju rrjedh tapa mukoide, Mit!

Tapa mukoide është shfaqja e një cipe gjaku me ngjyrë më të butë, por kjo nuk do të thotë që do lindni. Tapa mukoide zakonisht shfaqet 1-7 ditë para se të shpërthejnë ujërat, ose nganjëherë në kohën e njëjtë. Ju mund ta mos e vëreni kur del tapa mukoide, por kjo është më se normale.

4. Prerja cezariane (lindja me operacion) është më pak e dhimbshme se lindja vagjinale. Mit!

Ju mund të ndjeni shumë pak dhimbje, por pas operacionit ju mund të ndjeni dhembje dhe parehati sidomos kur medikamentet përfundojnë efektin e tyre ose shkaktojnë efekte anësore. Shërimi i juaj nga lindja me operacion do të jetë më i gjatë dhe do ju duhet të merrni medikamente për dhimbje.  Po ashtu, do të keni vështirësi të kapni gjëra nga toka, ta ushqeni fëmijën tuaj të porsalindur si dhe të përkujdeseni për fëmjët e tjerë që mund të kenë nevojë për më shumë vëmendje si rrjedhojë e anëtarit të ri të familjes.

5. Nëse e keni pjesën e legenit të gjërë atëherë do keni lindje më të lehtë. Mit!

Të lindësh një fëmijë nuk ka të bëjë asgjë me pamjen e jashtme të një gruaje. Disa mund të duken të gjëra, por zona e pelvikut prapë mund të jetë e vogël, gjë që e vështirëson shumë lindjen. Doktori është i vetmi person që mund ta tregoj saktë madhësinë e zonës së pelvikut. Teoria e njejtë është edhe për gratë të cilat e kanë legenin e ngushtë në pamje, ndërsa në të vërtetë ato mund ta kenë zonën e pelvikut të madhe, dhe kjo nuk do të thotë se kanë nevojë për prerje cezariane.

6. Lindja juaj do të jetë si e nënës suaj. Mit!

Kjo nuk është e vërtetë. Përderisa ju keni shancën 50/50 për të pasur formën e legenit (zonën e pelvikut) të njejtë si të nënës suaj, ka shumë faktor të tjerë që mund ta bëjnë përvojën tuaj krejtësisht ndryshe. Edhe nëse nëna juaj ka patur prerje cezariane, nuk do të thotë se ju do të keni nevojë për një të tillë.

7. Lindja e një vajze është më e vështirë sesa lindja e një djali. Mit!

Seksi i fëmijës nuk bën asnjë ndryshim në vështirësinë e lindjës tuaj.  Lindja e vështirë shkaktohet  vetëm nga pozicioni i fëmijës kur ai/ajo zbret përgjatë kanalit të lindjës, në rast se fëmija është shumë i madh, ose nëse nëna ka anomalitë e legenit (duke përfshirë edhe një legen të ngushtë).

Gjithashtu, çdo person percepton dhimbjen ndryshme, kështu që ajo që është e dhimbshme për disa mund të jetë e tolerueshme për të tjerët.

8. Shtrirja gjatë lindjes do ta bëjë atë më të lehtë. Mit!

Në fakt e kundërta e kësaj teorie është e vërtetë. Shtrirja në shpinë nuk është aspak lehtësuese; provo të ecësh dhe të ndërrosh pozicionet për të bërë lindjen më të lehtë.

9. Lindja patjetër se do të jetë jashtëzakonisht e dhimbshme. Mit!

Lindja është e ndryshme për çdo grua, disa e përjetojnë me kënaqësi ndërsa disa përjetojnë pa rehati e disa kanë dhimbje ekstreme. Frika rrit tensionin; tensioni intensifikon dhimbjet dhe dhimbjet prodhojnë ankth shtesë që të çon në frikë. Ju mund ta theni e ta shmangni këtë cikël përmes njohurive adekuate dhe teknikave  të relaksimit, të cilat reduktojnë perceptimin  dhe ndjenjat e dhimbjes.

10. Ju nuk duhet ta mbani fëmijën tuaj lëkurë-në-lëkurë menjëherë pas lindjes. Mit!

Të gjitha spitalet në Kosovë duhet të lejojnë nënat të mbajnë fëmijën e tyre lëkurë-në-lëkurë menjëherë pas lindjes, natyrisht vetëm nëse nuk ka ndonjë ndërlikim me fëmijën ose nënën. Përfitimet e mbajtjes së fëmijës lëkurë-në-lëkurë menjëherë pas lindjes janë të jashtëzakonshme.  Ajo e lejon fëmijën të ruaj temperaturën e trupit më mirë se në një inkubator,ndihmon fëmijën të mbajë normën normale të rrahjeve të zemrës, normën e frymëmarrjes dhe presionit të gjakut,fëmija është më i lumtur dhe ka më pak gjasa për të qarë, fëmija ka më shumë gjasa për gji dhënie më të gjatë, fëmija mund ta kuptoj më mirë nënën e sidomos në kohën e ushqimit, si dhe fëmija ka shumë më pak gjasa për të zhvilluar alergji, sepse ai merr të njëjtat baktere nga ju.

Shikoni se si funksionon kjo në vegëzën e dhënë këtu.

Category: Mjetet

Ligjërata mbi temën Lindja

Ne ofrojmë ligjërata pa pagesë nëpër Kosovë në qendrat tona Klasat për Nëna (Qendrat Informuese për Shëndetin e Gruas).

Gjeni qendrën ligjëruese tuajën më të afërt këtu.

Ligjërata pa pagesë

Keni pyetje?

Pyetje specialistit