Sa shpesh duhet të ushqej foshnjën time?

Foshnja juaj ka një stomak të vogël, dhe përgjatë kohës që ka qenë në mitër është mësuar që të ushqehet vazhdimisht, kështu që ajo do të ketë nevojë të ushqehet shpesh dhe për sa kohë që ajo dëshiron, të paktën në javët e para:

  • Të porsalindurit zakonisht ushqehen rreth 8-12 herë në ditë, që mund t’ju duket se do të kaloni 24 orë vetëm duke ushqyer foshnjën. Mos u brengosni, kjo ushqyerje nuk zgjatë për shumë kohë.
  • Foshnja juaj duhet të ushqehet të paktën çdo 3-4 orë në disa javët e para, kështu që nëse foshnja po fle, zgjojeni.
  • Për të parë udhëzuesin më të detajuar, klikoni këtu.

Si mund ta di kur foshnja ime është e uritur?

Preferohet që të mos ndiqni një orar të rreptë të ushqyerjes së foshnjës, por ushqeni atë kurdo që shihni shenja të urisë, të cilat mund të jenë:

  • Foshnja është më e bezdisshme dhe më aktive.
  • Futja në gojë apo tendenca për të kapur thithkën tuaj.
  • Vënia e dorës së foshnjës në gojën e saj.
  • Lëvizje apo tinguj të thithjes.
  • Foshnja qanë, sidoqoftë kjo është një shenjë e vonshme e urisë; me rregull, ju duhet të filloni të ushqeni foshnjën tuaj para se ajo të fillojë të qajë.

Sa zgjat një e ushqyer e foshnjës?

Lejojeni foshnjën tuaj të ushqehet për sa kohë që ajo dëshiron; kjo zakonisht zgjat rreth 15 deri në 30 minuta. Foshnja juaj mund të marrë më shumë apo më pak kohë. Kur ajo të ketë përfunduar të ushqyerit nga njëri gji, leni foshnjën të gromësijë. Pastaj ushqeni atë me gjirin tjetër. Sigurohuni që të filloni ushqyerjen e ardhshme nga gjiri tjetër. Lejoni foshnjën që të përfundojë vetë të ushqyerit me gji.

Si mund ta di nëse foshnja ime po merr mjaft qumësht?

Shumë nëna të reja e bëjnë këtë pyetje. Trupi juaj është i mahnitshëm; përderisa ushqeni foshnjën me qumësht gjiri, trupi juaj mëson se kur foshnja juaj duhet të ushqehet. Trupi juaj prodhon saktësisht sasinë e duhur për foshnjën tuaj. Por çfarë nëse ju ende nuk jeni të sigurtë se ajo nuk po ushqehet mjaftueshëm? Foshnja juaj po merr sasi të mjaftueshme të qumështit nëse:

  1. Foshnja ka 3-5 pelena të lagura dhe 3-4 pelena të ndotura kur ajo është 3 deri në 5-ditëshe. Foshnja ka 4-6 pelena të lagura dhe 3-6 pelena të ndotura kur ajo është 5 deri në 7-ditëshe. Pas gjashtë javëve, numri i pelenave të ndotura mund të ulet në një në çdo disa ditë.
  2. Shtimi në peshë; foshnja duhet të arrijë peshën e lindjes brenda dy javëve. Për një udhëzues më të detajuar në shtimin e peshës, klikoni këtu.

Mënyra tjera që të kuptoni se foshnja juaj po merr mjaft qumësht:

  1. Foshnja lëshon tinguj të gëlltitjes (mund ta keni vështirë ta dëgjoni, kështu që dëgjoni apo shikoni me kujdes).
  2. Gjinjtë tuaj janë më të butë pas ushqyerjes së foshnjës.
  3. Foshnja duket e relaksuar dhe e kënaqur pas të ushqyerit.

Si të sigurohem se kam qumësht të mjaftueshëm për foshnjën?

Prodhimi i qumështit është një proces që prodhohet aq sa ka nevojë; sasia e qumështit që prodhohet varet nga sasia që është marrë nga foshnja.

  • Konsumimi i qumështit është veçanërisht i rëndësishëm në 2-3 javët e para për shkak se kjo është koha kur përcaktohet kapaciteti i prodhimit. Sa më shumë qumësht që të merret gjatë kësaj periudhe, aq më shumë qumësht do të keni për foshnjën tuaj në periudhën afatgjatë.
  • Por mos u brengosni nëse keni telashe në javët e para, ka mënyra për të përmirësuar prodhimin e qumështit më vonë.
  • Kur njëherë të filloni të prodhoni qumësht, ju do të vazhdoni të prodhoni vazhdimisht; qumështi prodhohet më shpejtë nëse gjinjtë janë më pak të mbushur; dhe më ngadalë nëse ka ende mjaft qumësht në gji. Kjo është arsyeja se pse prodhimi juaj i qumështit ngadalësohet nëse ju prisni që gjinjtë të “mbushen” për të ushqyer foshnjën, kështu që mos prisni! Kjo është poashtu arsyeja që gjinjtë tuaj kurrë nuk janë të zbrazët; ju gjithmonë mund të nxjerrni më shumë qumësht!

A ka nevojë foshnja ime për suplemente të vitaminave?

Po. Suplementi është një produkt që ju e merrni për të marrë ushqyes të caktuar që ju nuk i merrni mjaftueshëm nga ushqimet që i hani. Qumështi i gjirit nuk përmban sasi të mjaftueshme të vitaminës D për foshnjën tuaj. Vitamina D ndihmon në forcimin e eshtrave dhe dhëmbëve dhe parandalon sëmundjen e eshtrave të quajtur rakit. Jepni foshnjës tuaj vitaminë D me anë të pikave duke filluar në ditët e para të jetës. Konsultohuni me mjekun e foshnjës tuaj për pikat me vitamin D që mund t’i përdorni.

Informata të mëtutjeshme dhe ndihma

Përderisa ushqyerja me qumësht gjiri është e natyrshme, shumë gra, sidomos nënat për herë të parë, kanë shumë pyetje dhe kanë nevojë për ndihmë. Është e vërtetë që familjarët dhe miqtë ju duan të mirën, por këshillat e tyre mund të mos jenë të bazuara në fakte, kështu që inkurajoni të vërtetojnë ato në portalin tonë. Bashkëshorti juaj mund të mos ndihet i gatshëm për t’ju ndihmuar nëse keni nevojë, por këtu mund të shihni disa mënyra që ai të jetë më mbështetës. Është shumë e rëndësishme që të mos hezitoni të kërkoni ndihmë. Këtu i keni disa mundësi për të kërkuar ndihmë:

  • Ne ofrojmë klasa për të ushqyerit e foshnjës me gji dhe këshillime një-me-një në qendrat tona Klasat për Nëna. Gjeni qendrën tuaj më të afërt këtu.
  • Familjarët dhe miqtë. Edhe pse ata mund të mos i kenë të gjitha informatat e sakta dhe të duhura, ata mund t’ju mbështesin nëse:
  1. Kontaktoni në Qendrën tuaj më të afërt/ Klasat për Nëna për këshilla.
  2. Gatuajnë ushqime dhe ju lënë ushqim të gatshëm, sidomos ato lloje që mund t’i hani me një dorë.
  3. Ju rikujtojnë që të pini shumë ujë.
  4. Ju ndihmojnë me punët e shtëpisë, siç është pastrimi, blerja e gjësendeve të nevojshme për shtëpi apo marrja e fëmijëve nga shkolla.
  5. Ju dhurojnë shumë dashuri dhe mbështetje; duke ju rikujtuar që ju po bëni një punë të mrekullueshme, se sa e bukur është foshnja juaj dhe se si këto kohë të vështira do të kalojnë dhe pas disa muajsh ju do të mësoheni me faktin që jeni bërë nënë.
  • Mjeku juaj apo mjeku i foshnjës suaj; por keni parasysh se ata mund të mos kenë shumë përvojë dhe kualifikim për t’ju këshilluar rreth gjidhënies. Për shembull, nëse ata sugjerojnë që ju të ndaloni së ushqyeri foshnjën me qumësht gjiri, ju duhet të kërkoni për një mendim të dytë nga dikush tjetër.
  • Ka shumë burime dhe forume të informatave online, kryesisht në gjuhën angleze. Këtu janë disa nga më të preferuarat për ne:
  1. La Leche League International – http://www.llli.org/nb.html
  2. International Breastfeeding Centre – http://www.nbci.ca
  3. BabyCenter – http://www.babycenter.com/breastfeeding
  4. March of Dimes – http://www.marchofdimes.org/baby/feeding-your-baby.aspx

Ekziston gjithashtu një aplikacion i shkëlqyer mbi të ushqyerit me gji të cilin ju mund të shkarkoni në celularin tuaj nga Nancy Mohrbacher Solutions Inc., "Breastfeeding Solutions".

Category: Gjidhënia

Ligjërata mbi temën Gjidhënia

Ne ofrojmë ligjërata pa pagesë nëpër Kosovë në qendrat tona Klasat për Nëna (Qendrat Informuese për Shëndetin e Gruas).

Gjeni qendrën ligjëruese tuajën më të afërt këtu.

Ligjërata pa pagesë

Keni pyetje?

Pyetje specialistit