Shtatzënia

Çfarë po ndodh me gruan time?

Shtatzënia zgjat 40 javë dhe ndahet në tre tremujorë:

  1. Tremujori i parë përfshin javët 1-13. Hormonet që ndihmojnë foshnjën të rritet mund të bëjnë që gruaja të ketë ndryshime të disponimit, që nënkupton se ajo mund të jetë e lumtur për një moment dhe e mërzitur në tjetrin. Ajo shpesh mund të ndihet e lodhur pasi që është e vështirë të rrisësh një krijesë në trupin tënd. Rreth 75% e grave përjetojnë ndonjë lloj të sëmundjës së mëngjesit, e cila mund të shfaqet në çdo kohë gjatë ditës, dhe ndonjëherë dhe tërë ditën. Ajo mund t’i dëshirojë disa ushqime të caktuara dhe ndërkohë t’i urrejë ushqimet që zakonisht i pëlqejnë.
  2. Tremujori i dytë përfshin javët 14-27. Gratë shpesh fillojnë të ndihen shumë më mirë; kanë më pak ndjesi për të vjellë, më pak ndryshime të disponimit, dhe skuqja e lëkurës do t’i bëjë të ndihen më mirë, edhe pse është normale që disa gra ende të jenë nervoze dhe të kenë ndryshime të humorit. Barku fillon t’iu dallohet dhe ato do ta ndjejnë foshnjën tek lëvizë.
  3. Tremujori i tretë përfshin javët 28-40. Përderisa foshnja rritet, barku i gruas poashtu do të rritet dhe ajo mund të fillojë të mos ndihet rehat. Lëvizjet e foshnjës bëhet më të mëdha dhe madje ju mund të shihni shenja në barkun e gruas tuaj kur foshnja të shkelmojë. Gruaja mund të ketë probleme me gjumë, të ketë marramendje dhe telashe me ekuilibrin. Ajo duhet të pushojë sa më shumë që të jetë e mundur. Ajo poashtu mund të ketë shtrëngime të barkut (kontraksione) Braxton Hicks, që është mënyra e trupit të saj që të bëhet gati për lindje.  

Përgjatë shtatzënisë së bashkëshortës tuaj, ju keni një rol shumë të rëndësishëm në ruajtjen e shëndetit fizikë dhe stabilitetit emocional të saj, që është thelbësore për zhvillimin e duhur të foshnjës suaj. Shtatzënia është një periudhë e gëzueshme, por mund të jetë edhe stresuese poashtu. Mund të thellojë lidhjën tuaj edhe më tepër, por edhe mund të krijojë tensione të reja rreth shqetësimeve të të qenit prind, rreth të ardhurave dhe rreth lidhjës suaj. Këtu mund të shihni disa mënyra që ju mund ta bëni shtatzëninë një eksperiencë më të mirë për të dy:

  • Shoqërojeni në vizitat e para-lindjës që t’i ofroni mbështetje emocionale. Kjo poashtu do t’ju japë mundësinë që të bëni pyetje dhe ta shihni foshnjën tuaj në ultrazë. Shikoni këtu se cilat vizita të para-lindjës duhet t’i bëni.
  • Mësoni më shumë duke lexuar në këtë portal apo duke marrë pjesë ne Sesionet për Baballarët në Qendrat tona Beba-ks. Këto sesione janë të ligjëruara nga meshkujt, për meshkuj. Kur ju e dini se çfarë ju pret dhe kur merrni përgjigje për pyetjeve që keni, kjo do t’ju ndihmojë në zvogëlimin e stresit dhe do t’ju ofrojë ide për t’u përfshirë në mënyra të dobishme.
  • Ndihmoni rreth shtëpisë. Flisni me partnerën tuaj se çfarë dëshironi të dytë për foshnjën. Vendosni se ku do të flejë foshnja, dhe bëni atë pjesë të shtëpisë me ngjyra të gëzueshme dhe të këndshme për foshnjën. Shkoni të blini gjërat për foshnjën, klikoni këtu të shikoni se nga duhet t’ia filloni.
  • Ndihmoni partnerën tuaj që të jetë e shëndetshme duke e inkurajuar të hajë mirë, të bëjë ushtrimet, të mos pijë alkool apo duhan apo të marrë medikamente pa recetë apo edhe të mos e teprojë me ato me recetë. Edhe ju si baba duhet ta leni duhanin pasi duhanpirja pasive e dëmton foshnjën tuaj të palindur. Ndihmoni në uljen e stresit dhe lejojeni të pushojë duke i dhënë mbështetje emocionale, duke i ndihmuar me punët e shtëpisë apo duke u kujdesur për fëmijët tjerë nëse keni. Poashtu, ju do ta qetësoni atë nëse flisni për planet që keni për foshnjën.
  • Kryeni marrëdhënie seksuale nëse partnerja juaj ka dëshirë. Për më tepër rreth marrëdhënieve seksuale dhe shtatzënisë klikoni këtu.
  • Mbështetni vendimin e partneres suaj për të ushqyer foshnjën me gji. Qumështi i gjirit është ushqimi më i mirë për foshnjën tuaj. Ai përmban të gjitha elementet ushqyese që foshnjës i nevojiten për t’u rritur. Për të lexuar më tepër se si ta mbështesni atë, klikoni këtu.

Cilat vizita të Para-Lindjës duhet të bëhen?

Inkurajoni gruan tuaj që të vizitojë mjekun sa më herët që të jetë e mundur gjatë shtatzënisë pasi që kjo mund të ndihmojë të përcaktohet se sa javë ka që ajo është shtatzënë, dhe të identifikoni ndonjë komplikim të mundshëm. Shoqërojeni atë në këto vizita dhe poashtu mund të bëni edhe pyetje. Ju mund të kënaqeni gjatë ultrazërit pasi do të mund të shihni foshnjën në monitor dhe të dëgjoni rrahjet e saj të zemrës. Pas vizitës së parë në tremujorin e parë, OBSH rekomandon që të bëhen së paku katër vizita të para-lindjës (prenatale) mes javëve 16, 24-28, 32, dhe 36 të shtatzënisë për të evituar komplikimet e mundshme. Sidoqoftë, në shumë vende, gratë vizitohet një herë në muaj. Për më tepër informacione mbi shëndetin para lindjës klikoni këtu.

Cilat janë disa nga shenjat e rrezikshme?

Nëse e vëreni se gruaja ka ndonjë nga këto shenja, menjëherë kërkoni ndihmë mjekësore pasi që këto mund të jenë shenja paralajmëruese se diçka është duke rrezikuar shëndetin e gruas apo të foshnjës suaj të palindur:

  • Dhimbje të mëdha të vazhdueshme të barkut.
  • Gjakderdhje vaginale, sidomos nëse është e kuqe e çelët.
  • Vjellje të shumta dhe të pakontrolluara që shkaktojnë dehidrim.
  • Kokë-dhembje, marramendje ose shikim të dyfishtë ose të turbullt për 2-3 orë.
  • Ka të ftohtë dhe/ose temperaturë (38°C ose më tepër).
  • Ka ënjtje të menjëhershme në fytyrë, duar dhe këmbë ose ka shtuar peshë që nuk mund të shpjegohet.
  • Lëvizje të rrallë ose mungesë të lëvizjes së foshnjës pas muajit të gjashtë.

Vajzë apo djalë: kush vendos?

Kur të vijë java e 18-të, ju duhet të jeni në gjendje të dini se a do të bëheni me vajzë apo djalë. Sperma e babait përcakton gjininë e fëmijës varësisht nëse ajo përmban kromozomin X apo Y. Në vezën e nënës tashmë është kromozomi X, kështu që gjinia e foshnjës përcaktohet nga kromozomi X apo Y i spermës së babait. Studimet tregojnë që gjasat që ju të keni vajzë apo djalë janë të trashëguara, që do të thotë se nëse babai ka shumë vëllezër gjasat janë më të mëdha që ai të ketë djem, përderisa nëse ka më shumë motra ai do të ketë më shumë gjasa që të ketë vajza. Ka shumë storie të gjërave që mund të bëni për të ngjizur vajzë apo djalë; pozicionet gjatë marrëdhënies seksuale (femra qëndron mbi apo shtrirë në njërën anë), vendet ku kryeni marrëdhënie, koha kur kryeni marrëdhënie (në ditët teke apo në mbrëmje), apo edhe ushqimet që ju apo burri juaj konsumoni (ushqime të njelmëta, guaca deti etj.) Por nuk ka asnjë dëshmi mjekësore që mund të vërtetojë se këto storie në realitet funksionojnë.

Çfarë duhet të kemi gati për foshnjën?

  • Këtu i keni disa gjëra thelbësore që ju do të doni t’i keni gati para se fëmija të lindë:
  • Veshja – 6-8 komplete për foshnje, 6-8 jelekë dhe bluza me mëngë të shkurtëra, 2-4 kapele, 1 palë shpioza ose një xhaketë dhe 4-6 batanije mbështjellëse.
  • Pelena – planifikoni të përdorni rreth 70 pelena në javë.
  • Gjumi – një dyshek apo krevat fëmijësh që është i rehatshëm dhe i përshtatshëm.
  • Ushqimi – nuk duhet të bëni gati asgjë nëse foshnja ushqehet me gji, por nëse përdorni formulë ju do të keni nevojë për grykëse, shishe, thithëse, furçë për pastrimin e shishës, dhe një formë për ta sterilizuar shishën (kjo e fundit është shumë e rëndësishme).
  • Larja – vaskë për foshnje me mbështetëse për larjën e foshnjës, sfungjerë të butë për larje dhe peshqirë, dhe sapun të butë për foshnje.
  • Lëvizja – ulëse të makinës nëse udhëtoni me makinë. Jeleku kangur për bartjën e foshnjës apo karroca e fëmijëve nuk janë të domosdoshme por mund t’ju ndihmojnë shumë. 

Çfarë duhet të dini rreth prerjeve cezariane?

Nuk është zgjidhje e duhur që lindja të bëhet me prerje cezariane, përveç rastit kur ka ndonjë arsye mjekësore si p.sh. komplikimet në lindje siç është fëmija i lidhur (në pozitë me kokën lartë), apo prerje të mëparshme cezariane. Prerja cezariane mund të shkaktojë probleme për ju dhe foshnjën tuaj, veçanërisht në lindjet e ardhshme. Çdo lindje me prerje cezariane rrit rrezikun për komplikime serioze në shtatzënitë e ardhshme, që edhe është arsyeja se pse mjekët rekomandojnë lindje të rregullt vaginale nëse keni plane për të lindur fëmijë të tjerë. Jini të vëmendshëm kur mjekët mund t’ju shtyjnë që të lindni me prerje cezariane pa dhënë ndonjë arsye specifike mjekësore, pasi që lindja me prerje cezariane shpesh kushton më tepër sesa lindjet vaginale, e cila mund të jetë me e përshtatshme për mjekët pasi që këto lindje mund të aranzhohen gjatë ‘orarit të punës’.

Disa njerëz mendojnë se lindja me prerje cezariane mund të jetë më e lehtë, më pak e dhimbshme dhe më pak e komplikuar, kështu që është e rëndësishme të bëhet ndarja mes miteve dhe realitetit.

Miti 1: Më e përshtatshme. Po, mund të ndihmojë që të planifikoni më mirë ndihmën familjare dhe pushimin mjekësor, por a e dini që gruaja juaj:

  • Nuk do të jetë në gjendje të aranzhojë lindjën me prerje cezariane para javës së 39-të, kështu që duhet të jeni të gatshëm nëse foshnja vendos që të dalë para asaj kohe.
  • Do ta ketë më të vështirë rikuperimin nga një operacion i vështirë përderisa do të duhet të kujdeset për foshnjën e porsalindur dhe fëmijët tjerë nëse keni.
  • Do të qëndrojë në spital për një kohë më të gjatë (mesatarisht tri ditë, në vend të një ose dy).
  • Do të duhet të kufizojë aktivitetet fizike për disa javë.
  • Do të ketë dhembje nga prerja që do ta bëjë gjidhënien më të parehatshme.
  • Do të ketë dukshëm më shumë gjasa të rikthehet në spital për komplikime të mëtutjeshme.

Miti 2: Shmang dhimbjën e lindjës. Po, ajo mund të mos ndjejë shumë dhimbje gjatë operacionit, por a e dini që gruaja juaj:

  • Me shumë gjasë do t’i zgjatet dhe vështirësohet koha e rikuperimit në krahasim me femrat që kanë lindje vaginale.
  • Do të ketë dhembje në javët pas lindjës dhe do të ketë nevojë për medikamente.
  • Do të ketë vështirësi në bartjen, kujdesjen dhe ushqyerjën e foshnjës së porsalindur dhe fëmijëve tjerë më të mëdhenj që mund të kenë nevojë për kujdes më të madh pas lindjës së vëllait apo motrës.
  • Me shumë gjasë do të ndjejë dhembje gjatë lindjës dhe pas lindjës poashtu kur barnat të mos kenë më efekt apo të japin efekte anësore në trupin e saj.

Miti 3: Minimizimi i komplikimeve. Po, lindja me prerje cezariane mund t’i ndihmojë në shmangien e komplikimeve që ndodhin në një përqindje të vogël të lindjeve vaginale, por a e dini që ajo mund të sjellë:

  • Rreziqe fizike për nënën, menjëherë pas lindjës poashtu edhe në të ardhmen. Pasi që kjo është një ndërhyrje e rëndë kirurgjikale, ajo do të përcillet me rreziqe për komplikime siç janë infeksionet, gjakderdhja dhe dëmtimi i organeve të tjera. Kur ajo të ketë një lindje me prerje cezariane, gjasat janë mjaft të mëdha që edhe lindjet e ardhshme t’i kryejë me prerje cezariane, dhe kjo shkakton probleme në shtatzënitë e ardhshme siç është bllokimi i shtratit të fëmijës dhe mitrës. Shumica e të çarave që ndodhin gjatë lindjeve vaginale ndodh që të shkaktojnë shqetësime të lehta apo mund të kërkojnë qepje të plagës por zakonisht u duhet një kohë mjaft e shkurtër për t’u shëruar.
  • Rreziqe psikologjike për nënën duke përfshirë ndjenja negative rreth lindjës, dhe kontakt më të pakët me foshnjën menjëherë pas lindjës, që mund të pengojë lidhjën dhe gjidhëniën, e poashtu të rrisë rrezikun për ballafaqim me depresionin pas lindjës.
  • Rreziqe për foshnjën pasi që foshnjat e lindura me anë të prerjes cezariane mund të kenë më shumë probleme me frymëmarrje dhe aspekte tjera shëndetësore.

Miti 4: Ruajtja e ‘ngushtësisë së vaginës’. Studimet kanë dëshmuar se aktiviteti afatgjatë seksual mbetet i njejtë dhe nuk ndikohet nga lindja vaginale. Ngushtësia paraprake e vaginës rikthehet brenda gjashtë muajsh pas lindjës së fëmijës së parë. Gruaja juaj mund t’i bëjë ushtrimet Kegel që të kthejë ngushtësinë e vaginës së saj pas lindjës vaginale.

Fakte rreth kënaqësisë seksuale gjatë shtatzënisë

  1. Shumica e grave mund të vazhdojnë të kenë marrëdhënie seksuale deri në momentin kur të vijë koha për lindje. Aktiviteti seksual nuk e dëmton foshnjën. Foshnja mbahet e sigurtë nga qeska amniotike, qafa dhe muskujt e mitrës. Poashtu ekziston një shtresë e trashë mukoze që e mbyll qafën e mitrës dhe mbron foshnjën nga infektimi.  

  2. Është normale që dëshira seksuale e femrës të ulet gjatë tremujorit të parë për shkak të ndjeshmërisë së gjirit, lodhjës dhe ndjesisë për të vjellë. Gra të tjera e shohin këtë si një rast kur ato nuk kanë nevojë të shqetësohen për kontrollin e lindjës apo se mos mbeten me barrë që e bën marrëdhënien seksuale edhe më të këndshme. Kur të vijë tremujori i dytë, shumë gra janë më pak të lodhura, kanë më pak ndjesi për të vjellë dhe përjetojnë rritje të dëshirës seksuale.
  3. Baballarët mund të mbështesin dhe/ose rrisin vetëvlerësimin e partnerit të tyre në lidhje me trupin e tyre që po ndryshon duke dhënë komente pozitive.

  4. Përderisa trupi ndryshon gjatë shtatzënisë, çiftet mund të kenë nevojë të provojnë pozicione të ndryshme seksuale për të gjetur se çfarë është më e rehatshme për gruan. Disa gra zbulojnë kënaqësi të reja apo më të mëdha seksuale gjatë shtatzënisë si pasojë e eksperimentimeve të tilla. “Spooning” (mbështetja nga prapa me partnerin) përderisa partnerët qëndrojnë ulur ofron mjaft hapësirë për stimulim manual, kurse duke qëndruar shtrirë ofron hapësirë për stimulim më të rehatshëm oral. Poashtu, eksperimentimi me jastëkë dhe pajisje mbështetëse mund të ndihmojë që të lehtësojë dhe mbështesë një numër të pozicioneve dhe aktiviteteve seksuale.
  5. Për shkak të ndjesisë së të qenit me barrë, në disa momente gjatë shtatzënisë, disa gra mund të mos ndihen rehat me marrëdhënien seksuale vaginale, kështu që zgjedhin seksin manual, oral apo masturbimin.
  6. Ngërçet janë normale pas marrëdhënies seksuale gjatë shtatzënisë. Mitra ngushtohet gjatë orgazmës dhe shtrëngimet e tilla të barkut (kontraksionet) mund të jenë më të forta gjatë shtatzënisë pasi që mitra rritet.
  7. Nëse partnerja rrezikon të përjetojë komplikime të shtatzënisë (gjakderdhje vaginale, rrjedhje të lëngut amniotik etj.), mjeku do t’ju sugjerojë që të mos keni marrëdhënie seksuale. Tregohuni të hapur me mjekun tuaj dhe pyesni atë se çfarë aktiviteti tjetër seksual mund të bëni.
Fragment i nxjerrë nga Kapitulli 6: Marrëdhëniet, Seksi dhe Mbështetja Emocionale në Trupi Im, Unë Vetë: Shtatzënia dhe Lindja © 2008 Boston Women’s Health Book Collective

Shqetësimet e zakonshme e të bërit baba

  1. Siguria – meshkujt janë ata që duhet të mbrojnë familjet e tyre, si fizikisht ashtu dhe financiarisht dhe është normale për baballarët që të ndjejnë presion më të madh gjatë kësaj kohe.
  2. Aftësia – shumë meshkuj brengosen se mos e lëndojnë foshnjën e tyre dhe që nuk dinë të kujdesjen për një fëmijë. Mos u brengosni; lexoni këshillat tona dhe pastaj praktikoni ato.
  3. Frika nga vdekja – të qenit të vetëdijshëm se ata mund të vdesin  dhe më të frikësuar për jetën e gruas dhe foshnjës së palindur është shumë normale.
  4. Lidhja – meshkujt shpesh frikësohen se ata do të ‘zëvendësohen’ nga foshnja, por kjo shumë shpesh zhduket kur ata të takojnë foshnjën. Ata poashtu shqetësohen për jetën e tyre seksuale para dhe pas lindjës së foshnjës, për më tepër rreth kësaj do të flasim pak më poshtë në këtë faqe.
  5. Vagina – vetë fjala mund t’i bëjë meshkujt që të mbyllin gojën. Meshkujt zakonisht nuk ndihen rehat që të mendojnë apo flasin rreth gjërave që lidhen me trupin e gruas gjatë dhe pas shtatzënisë.

Pse ka rëndësi përfshirja e babait

Studimet që kanë analizuar ndikimin e pranisë së të atit gjatë fëmijërisë tregojnë që ata fëmijë që kanë pasur një baba të përfshirë më herët, mesatarisht kanë më pak probleme me sjellje, aktivitet më të ulët kriminal, stabilitet më të mirë ekonomik, zhvillim më të mirë kongnitiv, përformancë më të mirë në shkollë dhe janë më pak të stresuar gjatë moshës së maturisë. (Sarkadi, Kristiansson, Oberklaid, dhe Bremberg, 2008).

  • Fëmijët që kanë babain pranë kanë aftësi më të mira kognitive. 

  • Fëmijët që kanë babain pranë kanë më shumë gjasa që të kenë më shumë vetëbesim dhe mund të zgjidhin problemet pa dhunë. 

  • Fëmijët që kanë babain pranë zakonisht kanë më pak probleme me sjelljën e tyre. 

  • Baballarët që janë të përfshirë në jetën e fëmijës së tyre janë më të lumtur dhe me shumë gjasa do të vazhdojnë të qëndrojnë të përfshirë. 

  • Baballarët që janë të përfshijnë kanë shëndet më të mirë, marrin më pak medikamente, konsumojnë më pak alkool, jetojnë më gjatë dhe ndihen më të shëndetshëm mentalisht e fizikisht. 

  • Disa studime tregojnë që baballarët që përfshihen në kujdesin e fëmijës kanë lidhje shumë më të shëndosha dhe të lumtura me partnerët e tyre, ndihen më të lidhur me familjen e tyre dhe kanë jetë më të mirë seksuale.

  • Baballarët që janë të përfshirë kontribuojnë në uljen e stresit të nënës gjatë shtatzënisë. 

  • Me shumë gjasë, gratë shtatzënë do të shkojnë në më shumë vizita të para-lindjës nëse janë të shoqëruara nga partneri, krahasuar me ato që nuk kanë shoqërues. 

Burimi: Promundo, CulturaSalud, and REDMAS (2013). Program P – A Manual for Engaging Men in Father- hood, Caregiving, Maternal and Child Health. Promundo: Rio de Janeiro, Brazil and Washington, D.C. USA.
Category: Shtatzënia

Në fokus

Ligjërata mbi temën Për Baballarët

Ne ofrojmë ligjërata pa pagesë nëpër Kosovë në qendrat tona Klasat për Nëna (Qendrat Informuese për Shëndetin e Gruas).

Gjeni qendrën ligjëruese tuajën më të afërt këtu.

Ligjërata pa pagesë

Keni pyetje?

Pyetje specialistit