FAKTE THEMELORE PËR FOSHNJËN

 Çfarë të bëni kur ta sillni foshnjën në shtëpi?

Shumica e atyre që bëhen prindër për herë të parë janë të frikësuar dhe të shqetësuar në momentin kur të sjellin foshnjën e tyre në shtëpi. Zakonisht do t’ju duhen rreth gjashtë javë që të mësoheni dhe të gëzoheni me faktin që tashmë jeni prindërit e kësaj foshnjeje. Këtu keni disa këshilla se çfarë mund të bëni:

  • Tregoni durim ndaj foshnjës dhe partnerit tuaj, dhe falni ata nëse gabojnë. E gjithë kjo është një eksperiencë e re për ju dhe ju duhet kohë që të adaptoheni. Reagoni me dashuri dhe provoni të gjeni se çfarë ata kanë nevojë. Mbani mend të mos e llastoni foshnjën me shumë përkëdhelje dhe vëmendje.
  • Kërkoni ndihmë nga familjarët dhe miqtë për pastrimin, blerjen e gjërave, përgatitjen e ushqimit dhe kujdesjen ndaj fëmijëve tjerë. Të gjithë kanë nevojë për ndihmë kur kanë një foshnje!
  • Përpiquni të pushoni kurdo që keni mundësi.
  • Kërkoni nga bashkëshorti juaj që t’ju ndihmojë; këtu mund të shihni disa mënyra se si ai mund të ndihmojë.
  • Vizitoni portalin tonë dhe Shikoni videot tona Si Të Bëhet në mbajtja e foshnjës, ndërrimi i pelenave, mbështjellja si në djep, larja e foshnjës, masazhimi i foshnjës, kontakti lëkurë-në-lëkurë dhe qetësimi i foshnjës që qan

Karakteristika të foshnjës së porsalindur

Image

Mësimi i sinjaleve (shenjave) të foshnjës

Mësoni të flisni gjuhën e foshnjës suaj që të mund t’i përgjigjeni nevojave të saj dhe që foshnja të mos fillojë të qajë.

  • E uritur: kthen kokën kah dora juaj kur ju i prekni faqen, nxjerr gjuhën, thith apo fut dorën në gojë.
  • E lodhur: shikon vërdallë dhe gogësin (hap gojën). Fërkon sytë dhe veshët. Mund të kthejë kokën nga njëra anë në tjetrën si të jetë duke luftuar gjumin. Sytë mund të skuqen dhe fshihen pas qepallave. I dridhen duart apo këmbët.
  • Ka të nxehtë: merr frymë shpejtë dhe qafa mund të jetë e djersitur.
  • Ka të ftohtë: dridhet dhe lëkura mund të jetë si me njolla.
  • E mërzitur apo shumë aktive: kthen kokën në kahjen e kundërt. Shikon në tjetër anë.
  • Qetësojnë vetveten: mund të bëjë një të qarë të përsëritur në vete.
  • Ka dhimbje: të qara të papritura dhe më të zhurmshme sesa zakonisht. Mund të mbajë frymën më gjatë kur qan.

Kontakti lëkurë-në-lëkurë me foshnjën

Mbajtja e foshnjës suaj lëkurë-në-lëkurë është një metodë shumë e fuqishme për t’u lidhur me foshnjën dhe është gjëja më e mirë për shëndetin fizik, mental dhe emocional të saj. Kjo do të zvogëlojë stresin e saj, që nënkupton më pak të qara dhe zhvillim më të mirë fizik dhe emocional. Kjo ndodh për shkak se foshnja ndihet E SIGURTË në nënën e saj, dëgjon ritmin e zemrës, zërin dhe ndjen aromën, të gjitha këto të njohura për të; këto ndihmojnë në stabilizimin e ritmit të zemrës, frymëmarrjes dhe temperaturës së foshnjës. Nëse foshnja juaj ka lindur para kohe, praktikimi i kontaktit lëkurë-në-lëkurë bëhet akoma më i rëndësishëm.

Do t’ju ndihmojë me ushqyerjen me gji, stimulimin e hormoneve të duhura që bëjnë që t’ju vijë qumështi, dhe po ashtu do t’ju ndihmojë në luftimin e ndryshimeve të disponimit të pas-lindjes apo edhe depresionit të pas-lindjes. Baballarët mund të përfitojnë shumë nga praktikimi i kontaktit lëkurë-në-lëkurë pasi kjo është metodë e shkëlqyer për t’u lidhur me foshnjën, dhe ju mundëson juve të pushoni po ashtu.

Si ta bëni:

  1. Menjëherë ose disa minuta pas lindjes, vendoseni foshnjën, të veshur vetëm me një pelenë dhe kapele, mbi gjoksin tuaj në mënyrë që ajo të mund të pushojë gjoks mbi gjoks.
  2. Kthejeni kokën e foshnjës në atë pozitë që të ketë të hapur frymëmarrjen.
  3. Mbulojeni foshnjën me një batanije.
  4. Sigurohuni që edhe ju të ndiheni rehat; përdorni edhe jastëkë dhe uluni në pozitë gjysmë të shtrirë (as ulur as ngritur).
  5. Lejoni foshnjën të qëndrojë ashtu së paku një orë menjëherë pas lindjes.
  6. Vazhdoni të ushtroni kontaktin lëkurë-në-lëkurë për së paku tre muaj. 

Foto të marra nga: www.kangaroomothercare.com, www.pregnancyand baby.com, www.twiniversity.com dhe Creative Commons.

Image

Mbani mend të mos e llastoni foshnjën me shumë përkëdhelje dhe vëmendje.

Ndërrimi i pelenave

Sigurohuni që të vendosni foshnjën në një sipërfaqe të butë, dhe nëse ajo sipërfaqe

është më e lartë (p.sh. një tavolinë fëmijësh), mbani foshnjën me njërën dorë gjatë tërë kohës. Sigurohuni që të përdorni fasuleta që nuk kanë alkool dhe parfum, apo të kenë vetëm ujë të pastër dhe lecka të jetë e pastër, që të evitoni irritimin e foshnjës. Kur të ndërroni pelenën e foshnjës, mbuloni organet gjenitale të saj që të mos spërkateni. Kur të ndërroni pelenat e një vajze, sigurohuni ta fshini nga para, pastaj prapa, që të evitoni infektimin. Si vajzat ashtu dhe djemtë, sigurohuni t’i mbuloni në pjesën e sipërme që të mbroni zonën rreth kërthizës.

 Këtu janë disa fakte që duhet mbajtur mend rreth ndërrimit të foshnjës:

  • Foshnja duhet të ketë 3-5 pelena të lagura dhe 3-4 pelena të ndotura kur ajo është 3 deri në 5-ditëshe. Foshnja duhet të ketë 4-6 pelena të lagura dhe 3-6 pelena të ndotura kur ajo është 5 deri në 7-ditëshe.
  • Jashtëqitja në ditët e para është shumë e mbyllët; e zezë në të gjelbërt dhe si katran. Pas apo rreth ditës së tretë: Forma e nevojës ngjan në formën e gjalpit të kikirikëve apo gjizës, dhe aroma është mjaft e butë. Jashtëqitja e foshnjave të ushqyera me qumësht formulë është ngjyrë hiri e çelët me aromë më të fortë dhe kapsllëku është më i shpeshtë.
  • Mos u befasoni që në disa muajt e parë të përjetoni ‘plasjen e pelenave’, ku jashtëqitja e foshnjës del nga pelenat dhe rrjedh në shpinën dhe këmbët e foshnjës. Mos u brengosni pasi kjo është normale. Por nëse vini re se aty ka gjak, kontaktoni mjekun e foshnjës suaj.
  • Tek foshnjat që ushqehen me gji, është normale që numri i jashtëqitjeve rreth javës së gjashtë të ulet në një në ditë, sidoqoftë, foshnjat shpesh mund të kalojnë disa ditë apo madje edhe një javë pa pasur jashtëqitje. Kjo ndodh pasi që qumështi i gjirit ka shumë pak mbetje të forta që duhet të largohen nga sistemi i tretjes së foshnjës. Kjo nuk do të thotë që ju t’i jepni edhe formulë, çajra, lëngje nga frutat e bluara apo ushqime tjera. Provoni ta ushqeni më shpesh, dhe po ashtu bëni masazh të lehtë në bark dhe lëvizjani këmbët.
  • Foshnjat fillojnë të vuajnë nga kapsllëku kur të hanë ushqime të forta për herë të parë, rreth muajit të gjashtë pas lindjes. Nëse e ushqeni me gji, provoni ta bëni të pijë më shumë. Po ashtu mund të provoni t’i ofroni ujë, lëngje të dardhës apo të bluara (pa sheqer) dhe evitoni ushqimet si drithërat (kornfleks) apo bananet.

Skuqja e lëkurës nga pelena

Foshnjës suaj mund t’i skuqet lëkura nga pelenat. Këto paraqiten në të pasmen e foshnjës tuaj. Kjo mund ta bezdisë dhe shqetësojë foshnjën tuaj shumë gjatë ndërrimit të pelenave. Skuqja e lëkurës shpesh ndodh për shkak të pelenave të lagëta apo mos-ndërrimit të shpeshtë të tyre, ndjeshmërisë së lëkurës, fërkimit/irritimit nga penelat apo rrobat e ngushta, apo irritimit nga produkte të reja si faculetat, pelenat, kremrat apo detergjentet e larjes së rrobave. Po ashtu, foshnjave mund t’ju paraqiten këto skuqje kur ato të fillojnë të hanë ushqime të forta. Zakonisht, skuqja e lëkurës mund të trajtohet lehtë në shtëpi duke:

  1. Ndërruar pelenat më shpesh.
  2. I lënë foshnjat pa pelena për një kohë më të gjatë; së paku disa minuta të ajrosjes gjatë çdo ndërrimi të pelenave.
  3. Përdorur krem nën pelena.
  4. Ndërruar produktet si p.sh. përdorni pelena më të mëdha, përdorni faculeta pa alkool apo aromë, etj.

Nëse lëkura e foshnjës nuk përmirësohet pas disa ditësh të trajtimit shtëpiak, kontaktoni mjekun tuaj. Po ashtu, vizitoni mjekun nëse kjo skuqje përkeqësohet gjatë trajtimit shtëpiak, nga ajo pjesë rrjedh gjak apo lëng, shkakton dhimbje kur foshnja të urinojë apo bëjë nevojën, apo nëse foshnja ka ethe.

Larja e foshnjës tuaj   

Derisa të bie cungu i kërthizës, foshnjën e lani vetëm duke e fërkuar dhe përdorni sfungjerë të butë e të ngrohtë. Pastroni mirë pjesën gjenitale pas çdo ndërrimi të pelenave.

Kujdesi për cungun e kërthizës

Cungu i kërthizës do të bie pas rreth 10 ditësh. Deri atëherë, ja çfarë mund të bëni:

  • Sigurohuni që cungu është i pastër dhe i tharë. Mbylleni pelenën e foshnjës poshtë kërthizës në mënyrë që kërthiza të jetë e ekspozuar. Vishni foshnjën në rroba të gjëra apo nëse është nxehtë përdorni vetëm një pelenë dhe një bluzë.
  • Që të pastroni cungun e kërthizës, përdorni një leckë të ulur në ujë të vakët të pastër, pastaj lini atë të thahet (studimet kanë dëshmuar që është më së miri të mos përdoret alkooli). Këtë bëni gjatë larjes dhe në rast se pjesa e cungut bëhet e papastër dhe e lagësht. Përveç këtyre, mos e prekni dhe lini që të bie vetë.
  • Mos tentoni që ta tërhiqni cungun jashtë edhe nëse ju duket sikur është gati të bie. Sigurohuni që pelena të mos prekë cungun duke e mbyllur poshtë kërthizës.
  • Sigurohuni që cungu i kërthizës të jetë sa më shumë i ekspozuar ndaj ajrit.
  • Kontaktoni mjekun tuaj nëse lëkura rreth kërthizës është e kuqe, nëse nga ajo po rrjedh lëng i verdhë, nëse ka erë të keqe, nëse foshnja qan kur ju e prekni apo nëse cungu i kërthizës nuk ka rënë pas katër javësh.

Larja e foshnjës

Pasi që cungu i kërthizës të ketë rënë dhe ajo pjesë të jetë shëruar, ju mund të filloni ta lani foshnjën. Foshnjën mund ta lani një herë në disa ditë pasi që larjet e shpeshta mund ta thajnë lëkurën e foshnjës suaj. Nëse foshnja e pëlqen larjen, mund ta bëni këtë më shpesh (por lyeni me krem për lëkurën e fëmijës më pas), por nëse ato nuk e pëlqejnë (disa qajnë gjatë tërë kohës), lajini shpejt dhe më rrallë.

Larja e foshnjës së porsalindur mund të jetë e frikshme në fillim, pasi që ato janë shumë të lëshuara, të përdredhura dhe të rrëshqitshme, sidomos kur ju përdorni edhe sapun. Qëndroni të qetë dhe kapni mirë foshnjën. Është mirë që t’ju ndihmojë dikush gjatë disa larjeve të para. Mbani mend, kurrë mos e lini foshnjën vetëm gjatë larjes, apo t’i ktheni shpinën, madje as për disa sekonda. Shikoni videon tonë se si mund ta lani foshnjën tuaj dhe gjërat që do t’ju nevojiten.

 Larja e foshnjës është një mënyrë shumë e mirë për të qetësuar foshnjat e bezdisura, edhe pse zakonisht rekomandohet që larja të bëhet kur foshnja është e zgjuar dhe e hareshme. Disa nëna e përdorin si rutinë për ta vënë foshnjën në gjumë kur ajo të mbushë disa muaj pasi që uji i nxehtë i bën ato të përgjumura.

Thonjtë e foshnjës

Preni thonjtë e foshnjës disa herë në javë pasi iu rriten shpejtë dhe mund të gërvishtin veten, dhe juve po ashtu! Në javët e para të foshnjës, ju mund t’i hiqni lehtë me gishtat tuaj pasi thonjtë janë shumë të butë. Ju po ashtu mund të përdorni gërshërë apo prerës thonjsh. 

Veshja e foshnjës tuaj

Veshja e një foshnjeje të porsalindur mund të jetë e ndërlikuar pasi ato janë shumë të lëshuara. Sigurohuni që të mbani mirë kokën dhe shpinën e foshnjës, qoftë në prehrin tuaj apo në një sipërfaqe të butë. Që ta vishni, hapni jakën e veshjes dhe fusni në kokën e foshnjës, pastaj fusni dorën në hapësirën për dorë nga jashtë dhe kapni dorën e foshnjës dhe tërhiqni përtej. Që ta zhvishni, së pari hiqjani mëngët njërën pas tjetrës dhe pastaj hapni jakën e veshjes, largoni së pari duke filluar nga mjekra dhe pastaj nga tërë koka. Këtu keni disa gjëra tjera për të mbajtur mend:

  • Foshnjën visheni me disa shtresa që të mund të shtoni apo hiqni sipas nevojës. Foshnjës ia vishni një shtresë më shumë sesa që ju keni veshur.
  • Mos e vishni trash/ngushtë foshnjën pasi ato mund të nxehen shumë shpejtë. Kur të jeni në ambiente te brendshme, hiqjani disa veshje.
  • Vendosini kapele kur të jeni në ambiente të jashtme, por po ashtu sigurohuni që foshnja të ekspozohet në diell që të marrë vitaminën D.
  • Mos provoni të përcaktoni temperaturën e foshnjës duke u bazuar në shuplakat apo shputat e saj pasi ato janë gjithmonë më të ftohta. Për të bërë këtë, prekjani pjesën e pasme të qafës, kraharorin apo duart.

Mbështjellja e foshnjës

Mbështjellja e foshnjës është kur ju përdorni një batanije të hollë që ta mbuloni foshnjën në pothuajse tërë trupin, nga qafa e poshtë. Mbështjellja mund të ndihmojë që foshnja të rrijë e qetë, të qetësojë foshnjën kur qan apo është e shqetësuar, dhe e ndihmon të fle më mirë gjatë ditës apo natës. Kjo ndodh për shkak se foshnjat lindin me refleksin Moro, apo të trembjes. Kur foshnja juaj të trembet apo ndjehet e pambështetur, ajo do të hapë dhe mbyllë duart shumë shpejtë. Ky refleks zhduket pas tre muajsh. Foshnjave kjo iu ndodh kur janë në gjumë dhe shpesh i bën të zgjohen, që edhe është arsyeja pse mbështjellja është e mirë për gjumë, pasi i mban duart të lidhura dhe bën që foshnja të ndihet e sigurtë. Shikoni videon tonë që të mësoni disa metoda të ndryshme të mbështjelljes.

Text Box: Video – mbështjellja e foshnjës Mbani foshnjën tuaj të mbështjellur sigurt duke kontrolluar që:

  • Batanija mbulon tërë foshnjën, por jo shumë ngushtë. Foshnja duhet të marrë frymë lirshëm. Koka dhe qafa nuk duhet të jenë të mbuluara nga batanija. Fusni dy apo tre gishta ndërmjet batanijes dhe kraharorit të saj që të siguroheni që ajo ka mjaft hapësirë për të marrë frymë.
  • Foshnja mund të lëvizë ijët dhe këmbët. Nëse shtrëngoni shumë këmbët e saj përderisa ato janë në pozitë të drejtë mund të shkaktojë zhvendosjen e ijëve. Kjo ndodh kur foshnja ka lidhje anormale të eshtrave të ijëve ku pjesa e sipërme e ashtit nuk vendoset mirë në gropën e ijës.
  • Batanija është e shtrënguar dhe e mbyllur mirë. Nëse batanija hapet, mund ta mbulojë fytyrën e foshnjës dhe ta rrezikojë që të ngulfatet apo lidhet.
  • Foshnja juaj nuk ka shumë të nxehtë. Të qenit e mbështjellë në batanije mund ta bëjë foshnjën tuaj të ketë shumë të nxehtë, sidomos nëse ka veshur rroba të trasha dhe të rënda. Ajo mund të ketë të nxehtë nëse merr frymë shpejtë, djersitet apo i skuqet lëkura.
  • Vini foshnjën në gjumë në shpinë dhe në një sipërfaqe të rrafshët, të butë, siç është dysheku i fëmijëve. Kontrollojeni kur fle që të siguroheni që nuk rrotullohet dhe të bie barkazi. Kur foshnja të fillojë të bie barkazi, mos e mbështillni më për ta vënë në gjumë.

 

Marrë nga March of DimesImage

Struktura e fjetjes dhe siguria

Strukturat e fjetjes

Foshnjat e porsalindura mesatarisht flenë rreth 16+ orë në ditë, që mund të duket shumë, por ato zgjohen shpesh dhe rrallë flenë më shumë se 3 orë për disa herë me radhë. Kjo ndodh për shkak se ato shpesh janë në gjumë të lehtë për shkak të zhvillimit të trurit. Ato po ashtu kanë nevojë të ushqehen shpesh; për foshnjat që ushqehen me gji, çdo një orë e gjysmë deri në tri orë, për foshnjat që ushqehen me qumësht formulë, çdo tri orë. Kur foshnja të mbushë dy muaj ato mund të flenë më shumë gjatë natës.

 

Në vazhdim keni një udhëzues me strukturën e fjetjes së foshnjës gjatë vitit të parë. Por të gjitha foshnjat janë të ndryshme dhe disa mund të kenë nevojë të flenë më shumë sesa tjerat. Kjo strukturë e fjetjes mund të ndryshojë po ashtu nga zhvillimet kognitive dhe motorike, siç janë ecja duke u zvarritur, dalja e dhëmbëve dhe frika nga ndarja. Lejoni foshnjën t’ju tregojë për ­çfarë ka nevojë dhe vini re shenjat e lodhjes si p.sh. fërkimi i syve, tërheqja e veshëve/flokëve, gogësitja apo foshnja është shumë e bezdisur.

Mosha

Numri total i orëve në gjumë

Mesatarisht kohë zgjuar

Numri i dremitjeve gjatë ditës

E porsalindur

 

16+ orë

50 - 60 minuta

Shumë. Nuk ka strukturë dhe zgjohet shpesh për t’u ushqyer.

1-2 muaj

 

±16 orë

1 orë - 1 orë e 20 minuta

3-4+. Foshnja adaptohet me natën kundrejt ditës.

3-4 muaj

±15 orë

1 orë e 20 minuta - 2 orë

3+. Disa mund të flenë 6-8 orë pa pushim gjatë natës.

5-6 muaj

 

±14 orë

2 orë – 2 orë e gjysmë

2-3. Dremitjet bëhen më të gjata me një në mëngjes dhe një pasdite.

7-9 muaj

 

±14 orë

2 orë e 45 minuta – 3 orë e gjysmë

2. Mund të jetë më e vështirë për t’i vënë/mbajtur në gjumë për shkak të frikës nga ndarja.

10-12 muaj

 

-14 orë

3 orë e gjysmë - 4 orë e gjysmë

2. Dremitjet bëhen më të shkurtra, sidomos ajo e mëngjesit (poashtu largohet e para).

Si të krijoni një strukturë të mirë të fjetjes

  • Jepjani foshnjës mundësinë të dremisë shpesh dhe mos prisni deri sa të jetë shumë e lodhur pasi kjo e bën edhe më të vështirë që të fle. Zakonisht mund ta dalloni që foshnja është shumë e lodhur nëse fle me vështirësi apo zgjohet shumë pak kohë pasi që të ketë fjetur.
  • Mësojani foshnjës ndryshimin mes ditës dhe natës, që mund ta bëni duke filluar nga koha kur foshnja të jetë dy-javëshe.
  • Vini re shenjat që tregojnë lodhjen e foshnjës siç janë fërkimi i syve, tërheqja e veshëve, gogësitja apo foshnja është shumë e bezdisur.
  • Filloni të ndiqni një rutinë të gjumit të natës për foshnjën, pasi që duke ndjekur një kronologji të gjërave që bëhen, foshnja fillon t’i kuptojë shenjat që ka ardhur koha për gjumë.
  • Ka dallim të madh ndërmjet lëkundjes apo ushqyerjes së foshnjës me gji për ta vënë në gjumë kundrejt mënyrës që ta lini të fle vetë. Vetëm ju dhe foshnja juaj mund të vendoni së bashku se cila është mënyra më e mirë.

Çfarë janë këto zhurma të çuditshme?

Foshnjat shpesh rënkojnë, ofshajnë, qajnë, gërhasin dhe shkelmojnë kur janë në gjumë. Kjo mund të jetë shqetësuese, por në të shumtën e rasteve është normale. Foshnjat nën gjashtë-muajsh mund të ndryshojnë ritmin e frymëmarrjes gjatë fjetjes; për shembull, marrin frymë shpejtë, pastaj ngadalë, pushojnë për 15 sekonda para se të fillojnë me të njëjtën rutinë. Nëse jeni brengosur se foshnja nuk po merr frymë, prekeni apo lëkundni lehtë që të shihni nëse reagon. Nëse nuk reagon, ajo mund të ketë nevojë të menjëhershme për ndihmë. Foshnja mund të luftojë gjumin (rekleksi Moro), të shtrëngojë dhëmbët, të rrotullohet herë para e herë prapa dhe të godasë kokën në krevat, dhe të gjitha këto janë normale dhe të padëmshme. Foshnja po ashtu mund të gërhasë, por edhe pasi kjo është e zakonshme sidomos nëse foshnja ka hundët e zëna, kontaktoni mjekun e foshnjës suaj nëse kjo është diçka e vazhdueshme dhe e shpeshtë. 

Siguria gjatë fjetjes (Sleeping Safety)

Është shumë e rëndësishme që foshnja të fle në shpinë. Kjo zvogëlon shumë rrezikun e Sindromit të Vdekjes së Papritur të Fëmijës (SVPF). SVPF më së shumti i prek fëmijët ndërmjet 2-4 muajsh. Shumica e vdekjeve nga SVPF janë të lidhura me gjumin dhe ndër faktorët më të rrezikshëm është fjetja barkazi. Që kur foshnjat janë vënë në flenë në shpinë në Shtetet e Bashkuara, vdekjet nga SVPF kanë shënuar rënie prej mbi 50%. Kur foshnja të mund të rrotullohet vetë kur është rreth 4-7-muajshe, është në rregull që ta lini të fle barkazi nëse kthehen vetë në atë pozitë pasi ju ta keni lënë në shpinë. Mënyra tjera si të zvogëloni SVPF-në përfshijnë:

  • Vendoseni foshnjën në krevatin e fëmijëve në dhomën tuaj. Kjo do ta bëjë ushqyerjen me gji edhe më efektive gjatë natës. Derisa foshnja do të zgjohet më shpesh për t’u ushqyer, studimet kanë treguar që nënat flenë së paku aq sa flenë foshnjat kur janë ne te njejten dhome. While baby will likely wake more frequently to feed, studies have shown that mothers get at least as much sleep as when babies sleep in their own room. Gjithashtu, foshnjat që ndajnë dhomën me prindërit flenë më shumë sesa ato që kanë dhomë të veçantë.
  • Sigurohuni që krevati i foshnjës ka sipërfaqe të butë e të rrafshët dhe nuk ka batanije, jastëkë, lodra, kukulla apo lojëra tjera. Nuk duhet të ketë më shumë se 6cm ndërmjet listelave të shtratit, dhe jo më shumë sesa trashësia e një gishti mes dyshekut dhe listelave.
  • Mos e bëni foshnjën të nxehet. Foshnja duhet të jetë e veshur në pizhame, e mbështjellur në një batanije apo mbështjellëse të gjumit (batanije që vishet). Mbani temperaturën e dhomës ndërmjet 16-20ᵒC.
  • Ushqeni foshnjën me gji pasi ka dëshmi se kjo e zvogëlon rrezikun e SVPF.
  • Nëse nuk e ushqeni foshnjën me gji, provoni ta vini foshnjën në gjumë duke përdorur biberon gjatë vitit të parë të jetës.
  • Sigurohuni që foshnja ka marrë vaksinat e imunizimit dhe bëni kontrolle të rregullta mjekësore pasi kjo e ul rrezikun e SVPF për 50%.
  • Mbani foshnjën larg nga ambientet ku konsumohet duhani pasi që ekspozimi si duhanpirës pasiv dyfishon rrezikun e foshnjës për të pasur SVPF. Po ashtu, mos pini duhan gjatë shtatzënisë pasi kjo trefishon rrezikun për SVPF.

Image

Nëse planifikoni që foshnja të fle në krevatin tuaj, është shumë e rëndësishme që t’i ndiqni këto udhëzime që të mbani foshnjën të sigurtë dhe të evitoni ngulfatjen. Rreth gjysma e vdekjeve SVPF ndodhin kur foshnja ndan një krevat, divan apo kolltuk me një person tjetër.

  • Mos e lejoni askënd që është në ndikim të alkoolit apo drogës që të fle në atë krevat.
  • Mos e lejoni askënd që konsumon duhan të fle në atë krevat, edhe nëse nuk konsumon në krevat.
  • Mos e lejoni askënd që është shumë i sëmurë apo shumë i lodhur që të zgjohet lehtë.
  • Mos i lejoni fëmijët tjerë të flenë pranë foshnjës në krevat.
  • Vini foshnjën në gjumë vetëm në dyshek të rrafshët dhe të butë. Mos e lini foshnjën të fle (me apo pa ju) në krevat me ujë apo me gunga, në divan, në kolltuk, apo çfarëdo sipërfaqe tjetër që nuk është e butë apo mund të ketë efekt në frymëmarrjen e foshnjës suaj.
  • Sigurohuni që çarçafët janë të mbërthyer mirë, të mos përdorni batanije/mbështjellës të rëndë dhe të mbani jastëkët larg fytyrës së foshnjës.
  • Mos e mbështjellni foshnjën, por në vend të saj përdorni mbështjellëse të gjumit apo shpioza. Që të evitoni nxehjen e foshnjës, vishni foshnjën me rroba më të lehta sesa që do ta vishnit nëse do të flinte e vetme.
  • Për më tepër, mund ta vendosni dyshekun në dysheme, që edhe nëse foshnja rrotullohet ajo nuk do të bie shumë poshtë. Nëse jo, atëherë vendoseni krevatin të mbështetur për muri dhe kontrolloni çdo ditë se mos ka hapësira nga të cilat foshnja mund të rrëshqasë, dhe nëse ka mbuloni ato me ndonjë peshqir të rrotulluar apo të mbledhur. Mos përdorni listela kah koka apo këmbët që janë më shumë se 6cm ndërmjet pasi këto mund ta zënë kokën e foshnjës. Vendosni krevatin larg elementeve të dhomës të cilat mund të jenë të rrezikshme për foshnjën siç janë spangot për tërheqjen e roletave të dritareve, llambat, etj.

Koha për të qëndruar barkazi

Koha e qëndrimit barkazi është thelbësore që nga dita e parë për të ndihmuar foshnjën të rritet e fortë dhe të zhvillohet mirë. Kjo e ndihmon foshnjën që të mësojë të shtyjë, rrotullohet, ngritet, zvarritet apo të ulet. Poashtu ndihmon foshnjën që të evitojë ‘kokën e rrafshët’ e cila shkaktohet kur ajo fle në shpinë. Disa foshnje nuk e pëlqejë kohën barkazi pasi që nuk janë mësuar dhe nuk ndihen rehat. Nëse foshnja qan gjatë kësaj kohe, mundohuni ta mbani edhe pak në atë pozitë duke folur apo luajtur me të. Kohë e mirë për të praktikuar kohën barkazi është kur foshnja nuk është e uritur apo e lodhur (prisni rreth një orë pasi foshnja të jetë ushqyer për të evituar vjelljen e lehtë apo refluksin acidik të fëmijës). Disa prindër e shohin më të lehtë që ta praktikojnë këtë gjatë ndërrimit të pelenës.

Category: Fakte themelore për foshnjën

Ligjërata mbi temën Foshnja dhe Nëna

Ne ofrojmë ligjërata pa pagesë nëpër Kosovë në qendrat tona Klasat për Nëna (Qendrat Informuese për Shëndetin e Gruas).

Gjeni qendrën ligjëruese tuajën më të afërt këtu.

Ligjërata pa pagesë

Keni pyetje?

Pyetje specialistit