Pas lindjës (Post-Partum)

Image

Menjëherë pas lindjës

Urime! Ju ja dolët! Foshnja juaj tashmë ka lindur. Pasi që tani do të jeni nëna e kësaj foshnjeje, për t’ia nisur mbarë, janë disa gjëra që ju mund t’i bëni menjëherë.

  1. Mbani foshnjën tuaj menjëherë lëkurë-në-lëkurë

Përfitimet e të mbajturit foshnjën lëkurë-në-lëkurë menjëherë pas lindjës janë shumë të mëdha:

  1. E bën më të lehtë adaptimin e foshnjës me ushqyerjën me gji.
  2. Mbajtja e temperaturës ideale të trupit dhe shumë më e mirë sesa në inkubator.
  3. Ndihmon foshnjën të ruajë ritmin e zemrës, ritmin e frymëmarrjës dhe presionin e gjakut.
  4. I ofron foshnjës nivele më të mira (më të larta) të sheqerit në gjak.
  5. Foshnja është më e lumtur dhe me më pak gjasa që të qajë.
  6. Foshnja ka më shumë gjasa që të ushqehet vetëm me gji dhe për një kohë më të gjatë.
  7. Foshnja i jep më lehtë shenja nënës që është e gatshme për t’u ushqyer.
  8. Foshnja ka më pak gjasa që të vuajë nga alergjitë pasi që merr të njëjtat bakterie nga e ëma.
     

    Si ta filloj kontaktin lëkurë-në-lëkurë:

  9. Menjëherë apo pak minuta pas lindjës, kërkoni nga mamia apo mjeku që të vendosin foshnjën, të veshur vetëm me një pelenë dhe një kapele, në kraharorin tuaj ashtu që ju të jeni në kontakt gjoks mbi gjoks.
  10. Ktheni kokën e foshnjës në njërën anë që t’i hapën kanalet e frymëmarrjës.
  11. Mbuloni foshnjën me një batanije.
  12. Sigurohuni që edhe ju jeni rehat, kërkoni jastëkë shtesë apo rregulloni shtratin që ju të jeni gjysmë e ngritur (as e shtrirë e as e ulur drejtë).
  13. Mbani foshnjën të ngjitur për ju së paku për një orë menjëherë pas lindjës.
  14. Vazhdoni të praktikoni kontaktin lëkurë-në-lëkurë për së paku tre muaj. Është shumë e preferuar që edhe baballarët ta praktikojnë këtë.

Foto të marra nga: www.kangaroomothercare.com, www.pregnancyand baby.com, www.twiniversity.com dhe ‘Creative Commons’.

 

 

Image

 

Image  

2. Ushqeni foshnjën me gji brenda një ore pas lindjës

Përpiquni të ushqeni foshnjën me gji brenda një ore pas lindjës pasi që kjo do të:

  • Ndihmojë mitrën tuaj që të ngushtohet, gjë e cila përshpejton nxjerrjën e placentës dhe zvogëlon gjakderdhjën dhe rrezikun për hemorragji pas lindjës.
  • Ndihmojë lidhjën e menjëhershme me foshnjën për shkak të lëshimit të hormoneve (oksitocinës).
  • Stimulojë prodhimin e qumështit.
  • Bëjë ushqyerjën me gji më të suksesshme; studime të gjata kanë treguar që kjo metodë ofron përvojë më të gjatë dhe më të suksesshme në gjidhënie.
  • Zvogëlon tensionin dhe stresin e foshnjës dhe nënës për shkak të lëshimit të hormoneve.

Si të filloni ushqyerjën me gji:

  • Shtrini foshnjën tuaj lëkurë-në-lëkurë si më lartë (nëse është e mundur). Studimet kanë treguar se shumë foshnje që janë të vendosura lëkurë-në-lëkurë menjëherë pas lindjës kanë më shumë gjasa që të mësohen me ushqyerjën me gji dhe të ushqehen vetë.
  • Ktheni tërë trupin e foshnjës të drejtuar nga ju, gjoks mbi gjoks.
  • Prekni buzën e saj të sipërme me thithkën tuaj, dhe pasi që foshnja të hapë gojën tërhiqni atë drejt gjirit tuaj, duke mbajtur gjirin për mbështetje. Nëse është e mundur, bëni që goja e saj të mbulojë jo vetëm thithkën por poashtu edhe areolën (pjesën më të errët që e rrethon atë).
  • Mos u brengosni nëse foshnja juaj ka telashe të ushqehet me gji. Kjo kërkon durim dhe shumë praktikë. Kërkoni ndihmë nga infermieret ose ndonjë shoqe që ka eksperiencë në gjidhënie. Ju poashtu mund të kontaktoni një nga ekspertët tanë të gjidhëniës për këshilla në çdo kohë.
  • Gjidhënia nuk duhet të shkaktojë dhimbje. Nëse keni dhimbje, mundohuni të ndryshoni pozicionin e foshnjës duke shtyrë prapanicën e foshnjës drejt trupit tuaj me dorë. Kjo do të shtyjë kokën e foshnjës prapa dhe hunda do të jetë në pozicion të “frymëmarrjës”. Nëse është e nevojshme, mundohuni ngadalë të tërhiqni mjekrën e foshnjës dhe/ose buzën e poshtme, që pjesën më të madhe të pjesës të kaftë të gjirit ta ketë në gojë.

 

Image

 

 

Foto të marra nga: www.hobomama dhe https://thecrunchysoup.wordpress.com

Shenja paralajmëruese pas lindjës

Përmbajtja e marrë nga March of Dimes

Trupi juaj kalon nëpër ndryshime të shumta pas lindjës së foshnjës. Këto ndryshime i ndihmojnë trupit tuaj të rimarrë veten nga shtatzënia, si dhe ju ndihmojnë juve të bëheni gati për t’u kujdesur për foshnjën tuaj. Është normale të mos ndiheni rehat, të ndiheni e lodhur dhe të keni dhimbje, përderisa trupi juaj po shërohet pas lindjës.

Megjithatë, shqetësime dhe probleme të tjera shëndetësore mund të jenë shenja që ju keni nevojë për kujdes mjekësorë. Kontaktoni mjekun tuaj nëse keni ndonjë nga këto shenja paralajmëruese:

  • Gjakderdhje më të madhe se sa gjatë një cikli të zakonshëm menstrual, apo që bëhet më keq.
  • Jashtëqitje, dhimbje apo skuqje që nuk hiqet apo bëhet më keq. Këto mund të jenë si pasojë e prerjes cezariane, epiziotomisë ose çarjës perinale (çarje midis vaginës dhe zorrës së trashë).
  • Ndjenjë të trishtimit që zgjatë më tepër se 10 ditë pas lindjës.
  • Temperaturë më të lartë se 38⁰C.
  • Dhimbje ose therje kur shkoni në banjë.
  • Dhimbje, ënjtje apo zbutje të këmbëve, sidomos rreth pulpit.
  • Damarë të kuq ose kapilarë që dhembin në gjoksin tuaj.
  • Dhimbje të madhe në pjesën e poshtme të barkut, ndjesia për të vjellë apo edhe vjellje.
  • Rrjedhje e lëngjeve të vaginës që kanë erë të keqe.

Besojini instinkteve tuaja. Nëse ndjeni që diçka nuk është në rregull, kontaktoni mjekun tuaj. Shumë nga këto probleme mund të trajtohen lehtë, mirëpo nëse shenjat e rrezikut injorohen dhe nuk trajtohen, ato mund të shkaktojnë probleme serioze. Kontaktoni mjekun apo shkoni menjëherë në spital nëse mendoni që jeta juaj mund të jetë në rrezik, apo keni ndonjërën nga këto shenja:

  • Gjakderdhje që nuk mund ta kontrolloni.
  • Dhimbje të gjoksit.
  • Probleme në frymëmarrje.
  • Shenja të tronditjës si p.sh. ethe, lëkurë të ftohtë dhe të djersitur, marramendje, alivanosja apo zemra e çuar peshë (rrahje të shpejta të zemrës)

Gjashtë javët e para pas lindjës

Përmbajtja e marrë nga March of Dimes

Gjatë shtatzënisë, trupi juaj ka ndryshuar shumë përderisa ka punuar për të mbajtur foshnjën të sigurtë dhe të shëndetshme. Tani që foshnja juaj ka lindur, ndryshime të tjera ndodhin në trupin tuaj. Disa nga këto ndryshime janë fizike si p.sh. gjoksi juaj mbushet me qumësht. Ndryshimet e tjera janë emocionale, si rritja e stresit. Ja se çka mund të prisni.

Çka është dhimbja perinale?

Zona ndërmjet vaginës dhe zorrës së trashë quhet perineum. Gjatë shtrëngimeve dhe procesit të lindjës, kjo zonë hapet madje mund edhe të çahet. Dhimbjet do të jenë edhe më të mëdha nëse keni pasur epiziotomi (prerja e hyrjes së vaginës për të ndihmuar foshnjën të dalë jashtë). Për të menaxhuar dhimbjën e perineumit, ju mund të bëni:

  • Ushtrimet Kegel. Këto ushtrime do t’i forcojnë muskujt në zonën e legenit, e cila ndihmon në shërimin e perineumit. Për t’i praktikuar këto ushtrime, shtrëngoni muskujt që ju përdorni për të ndaluar urinimin. Mbani muskujt e shtrënguar për 10 sekonda dhe pastaj lëshojini.
  • Vendosni një leckë të ftohtë në zonën perinale. Përdorni akull të mbështjellur me një leckë. Ju po ashtu mund të blini lecka të gatshme të cilat i mbani në frigorifer.
  • Uluni mbi jastëk.
  • Mbusheni vaskën me ujë të ngrohtë dhe qëndroni aty për një kohë.
  • Pastroni vaginën sa herë që shkoni në banjë. Kjo do t’ju ndihmojë të parandaloni infeksionet kur epiziotomia juaj shërohet.
  • Pyesni mjekun tuaj për medikamente që ju ndihmojnë të lehtësoni dhimbjën.

Çka janë dhimbjet e paslindjës?

Dhimbjet e paslindjës janë ngërçe që ndjeni përderisa mitra juaj kthehet në madhësinë e saj të rregullt. Menjëherë pas lindjës, mitra juaj është e rrumbullakët, e fortë dhe peshon rreth 1.14kg. Afër 6 javë pas lindjës së foshnjës, mitra peshon rreth 57gr. Këto ngërçe duhet të kalojnë pas disa ditësh. Pyesni mjekun tuaj për medikamentet pa recetë që mund t’i merrni për lehtësim të dhimbjeve.

Çfarë ndryshime në trup mund të ndodhin pas prerjes cezariane?

Lindja me prerje cezariane është një operacion i vështirë prandaj do t’ju duhet një kohë për t’u shëruar. Ju mund të ndiheni shumë e lodhur në ditët apo javët e para pas lindjës me prerje cezariane. Kjo ndodh për shkak se ju humbni shumë gjak gjatë operacionit. Poashtu, mund të keni dhimbje në varrën nga prerja në barkun tuaj. Ja se çfarë mund të bëni:

  • Pyesni mjekun tuaj për medikamente kundër dhimbjës dhe konsultohuni me të para se të përdorni ndonjë medikament të blerë pa recetën e mjekut.
  • Kërkoni nga partneri, familja apo shoqëria që t’ju ndihmojnë në kujdesin e fëmijës dhe punëve të shtëpisë.

Çfarë është rrjedhja e lëngjeve nga vagina?

Ekziston një lëng trupor që rrjedh nga vagina, rrjedhja e të cilit mund të rritet gjatë dhe pas shtatzënisë. Pas lindjës së foshnjës, trupi liron gjakun dhe indet që kanë qenë brenda mitrës. Në ditët e para, ky lëng është më i rëndë, me ngjyrë të kuqe të qelët dhe mund të përmbajë mpiksje të gjakut. Pas një kohe, rrjedhja bëhet më e lehtë dhe me ngjyrë më të qelët. Kjo rrjedhje mund të vazhdojë për disa javë, për një muaj apo edhe më tepër. Përdorni fasuleta intime të femrave deri sa rrjedhja e lëngjeve nga vagina të ndalet.

Çfarë është bllokimi i gjirit?

Bllokimi i gjirit ndodh kur gjinjtë fryhen pasi të mbushen me qumësht. Kjo mund t’ju shkaktojë dhimbje. Kur ju të filloni gjidhënien, dhimbja duhet të fillojë të largohet. Nëse nuk planifikoni ta ushqeni foshnjën me gji, kjo do të zgjasë deri sa gjinjtë të ndalojnë së prodhuari qumësht. Klikoni këtu për të mësuar për mënyrat se si mund ta menaxhoni bllokimin e gjirit.

Çfarë është dhimbja e thithkave?

Nëse jeni duke dhënë gji, ju mund të hasni në dhimbje në zonën e thithkave dhe përreth tyre gjatë ditëve të para, sidomos nëse në thithkat tuaja ka çarje. 

Çfarë është ënjtja?

Shumicës së grave ju ënjten duart, këmbët dhe fytyra gjatë shtatzënisë. Kjo shkaktohet nga lëngjet e shtuara në trup që ju ndihmojnë në përgatitjen e trupit për dhimbjet dhe procesin e lindjës. Mund të kalojë një kohë para se të hiqet e ënjtja edhe pasi që të lindë foshnja. Ja se çfarë mund të bëni për të menaxhuar ënjtjen e trupit:

  • Shtrihuni në anën e majtë të trupit dhe ngrini këmbët lartë.
  • Mundohuni të qëndroni e qetë dhe vishni rroba të gjëra.

Çfarë janë hemorroidet?

Hemorroidet janë vena të ënjtura dhe që dhembin brenda dhe përreth anusit. Ato iu shfaqen shumicës së grave gjatë shtatzënisë. Hemorroidet mund të përkeqësohen pas lindjës së foshnjës. Ja se çfarë mund të bëni për të menaxhuar hemorroidet:

  • Mbusheni vaskën me ujë të ngrohtë dhe qëndroni aty për një kohë.
  • Përdorni një spërkatës ose krem që shitet pa recetën e mjekut për të lehtësuar dhimbjën. Konsultohuni me mjekun për llojet e lejueshme për përdorim.
  • Hani ushqime që përmbajnë shumë fibra, si fruta, perime si dhe bukë me drithëra të papërpunuara.
  • Pini shumë ujë.
  • Mundohuni të mos sforcoheni në rast të turbullimeve të barkut.

Çfarë është kapsllëku?

Kapsllëku ndodh kur keni gazëra me dhimbje ose vështirësi për të dalur jashtë. Kapsllëku mund të shfaqet pas lindjës së foshnjës. Ja se çfarë duhet të bëni për të menaxhuar kapsllëkun:

  • Hani ushqime që përmbajnë më shumë fibra.
  • Pini shumë ujë.
  • Pyesni mjekun për medikamente të nevojshme.

Çfarë probleme të urinimit mund të shfaqen pas lindjës së foshnjës?

Ju mund të ndjeni dhimbje ose therje kur urinoni. Ju poashtu mund ta keni të vështirë të urinoni, ose e kundërta, ju mund ta keni të vështirë të ndaloni së urinuari. Kjo quhet mospërmbajtje e urinës. Nëse keni dhimbje, therje, probleme në urinim apo në mbajtjen e urinës:

  • Pini shumë ujë.
  • Lëshoni ujin në lavaman kur shkoni në banjë.
  • Mbusheni vaskën me ujë të ngrohtë dhe qëndroni aty për një kohë.
  • Nëse dhimbja vazhdon kontaktoni mjekun tuaj.
  • Bëni ushtrimet Kegel për të forcuar muskujt e legenit. Kjo do t’ju ndihmojë në rastin e mospërmbajtjes së urinës.

Pse mund të djersini më tepër pas lindjës së foshnjës?

Kjo ndodh tek shumë nëna të reja, sidomos gjatë natës. Djersitja shkaktohet nga të gjitha hormonet që krijohen në trupin tuaj pas shtatzënisë. Ja se çfarë mund të bëni në këtë rast:

  • Vendosni një peshqir mbi çarçafë dhe jastëkë ashtu që të mos i lagni ato.
  • Mos përdorni shumë batanije apo vishni rroba të trasha për në shtrat.

Pse mund të ndiheni e lodhur pas lindjës së foshnjës?

Ju mund të humbni shumë gjak gjatë procesit të lindjës. Kjo do të shkaktojë lodhjën e trupit. Po ashtu, foshnja me siguri nuk do t’ju lë të flini gjatë tërë natës. Ja se çfarë mund të bëni:

  • Flini kur foshnja fle, edhe kur ai/ajo bën një sy gjumë gjatë ditës.
  • Hani ushqim të shëndetshëm si fruta, perime, bukë dhe pasta me drithë të papërpunuar, mish pa dhjamë dhe mish pule. Kufizoni ëmbëlsirat dhe ushqimet e yndyrshme.
  • Kërkoni nga partneri, familja apo shoqëria t’ju ndihmojnë në kujdesin e fëmijës dhe punëve të shtëpisë.

Kur do të mund të ngeleni shtatzënë përsëri?

Nëse nuk praktikoni gjidhëniën, menstruacionet do t’ju vijnë rreth 6 deri në 8 javë pas lindjës së foshnjës. Nëse praktikoni gjidhënien, ju mund të mos e filloni ciklin menstrual për muaj të tërë. Disa gra nuk do të kenë cikël menstrual përderisa ushqejnë foshnjën me gji. Është e mundur që ju mund të ovuloni (të lironi vezë) para se menstruacionet të rifillojnë. Kjo do të thotë që mund të mbesni shtatzënë, pavarësisht nëse praktikoni ose jo gjidhëniën. Përdorni masa mbrojtëse për t’u siguruar që të mos mbesni shtatzënë pa qenë gati. Nëse jeni duke dhënë gji, konsultohuni me mjekun për llojin e mjeteve mbrojtëse të lejueshme për përdorim, sepse jo të gjitha janë të sigurta për t’u përdorur gjatë gjidhëniës.

A mund të humbni në peshë pas lindjës së foshnjës?

Tani është koha mjaft e përshtatshme për të pasur një peshë të shëndetshme, pa marrë parasysh sa keni peshuar para shtatzënisë. Nëse keni peshë të shëndetshme, ju do të ndiheni më mirë, si dhe mundësia për të hasur në sëmundje si diabeti apo tensioni i lartë i gjakut është më e vogël. Gjithashtu, është më mirë nëse keni një peshë të shëndetshme në rast se mbesni shtatzënë prapë apo nëse planifikoni të keni një fëmijë tjetër në të ardhmën. Ja se çfarë mund të bëni që të humbni në peshë:

  • Flisni me mjekun për një peshë të shëndetshme. Nëse ju keni pasur ca kilogramë të tepërta para shtatzënisë, ju do të doni të humbni më shumë sesa peshën e fituar gjatë shtatzënisë.
  • Hani ushqime të shëndetshme. Kufizoni ëmbëlsirat dhe ushqimet me shumë yndyrë.
  • Pini shumë ujë.
  • Merruni çdo ditë me ndonjë aktivitet. Ecja dhe noti janë aktivitete të mira për nënat e reja.
  • Ushqeni foshnjën tuaj me qumësht gjiri. Kjo do t’ju ndihmojë të digjni kalori, dhe të bini në peshë më shpejtë se sa sikur të mos praktikonit gjidhëniën.
  • Mos u ndjeni keq nëse nuk humbni në peshë aq shpejt sa do të donit. Trupit (dhe barkut) tuaj i duhet pak kohë për t’u kthyer në formën e mëparshme.

Çfarë ndryshime mund të ndodhin në lëkurë pas lindjës së foshnjës?

Ju mund të keni të çara në vendet ku lëkura është zgjatur, si p.sh. në bark, kofshë, gjinj dhe të pasme. Përdorni kremra dhe losione në lëkurë për të menaxhuar të çarat.

Çfarë ndryshime mund të pësojnë flokët pas lindjës?

Flokët tuaja mund të jenë dukur më të dendura dhe me qime më të plota. Pas lindjës së foshnjës suaj, flokët mund të ju dobësohën. Humbja e flokëve zakonisht zgjat 3 deri në 4 muaj pas lindjës së foshnjës. Ja se çfarë mund të bëni:

  • Hani shumë fruta dhe perime. Këto do të mbrojnë dhe të ndihmojnë në rritjën e flokëve.
  • Mos i kapni flokët në bisht, gërsheta si dhe mos përdorni shnolla dhe llokne. Ato mund të tërheqin dhe të bëjnë presion në flokun dhe kokën tuaj.
  • Thani flokët me temperaturë të ulët.

Ndryshimi i disponimit pas lindjës (Baby Blues) dhe Depresioni i pas-lindjës

Ndryshimet hormonale, dhimbja nga lindja, mungesa e gjumit dhe të bërit nënë mund t’ju shkaktojnë gjendje më të luhatshme emocionale. Ju mund të jeni e lumtur në të shumtën e kohës, mirëpo ndonjëherë ju shumë lehtë mund të nervozoheni dhe të qani, të ndiheni e mërzitur apo e hutuar. Rreth 80% e nënave për herë të parë vuajnë nga kjo gjendje. Kjo gjendje fillon tre deri në pesë ditë pas lindjës dhe zgjatë për disa javë. Edhe pse kjo është gjendje mjaft e vështirë emocionale, ju nuk do të keni ndonjë problem fizik. Kjo gjendje zbutet dhe largohet me kalimin e kohës. Nëse kjo gjendje nuk kalon dhe ju keni përshtypjën që po bëheni më keq, është e mundur që ju vuani nga depresioni i pas-lindjës dhe keni nevojë për ndihmë. Rreth 15% e femrave vuajnë nga ky depresion gjatë vitit të parë të lindjës. Për më shumë informata rreth depresionit të pas-lindjës, duke përfshirë simptomat dhe trajtimin e tij, klikoni këtu.

 

 

Category: Pas lindjes (post-partum)

Ligjërata mbi temën Lindja

Ne ofrojmë ligjërata pa pagesë nëpër Kosovë në qendrat tona Klasat për Nëna (Qendrat Informuese për Shëndetin e Gruas).

Gjeni qendrën ligjëruese tuajën më të afërt këtu.

Ligjërata pa pagesë

Keni pyetje?

Pyetje specialistit